16 prill 2020 

Presidenca e Parë Jep Udhëzime mbi Mënyrën e Administrimit të Kishës në Kohë Sfiduese

HeslopFamily_SacMeetHome

Burime ofrohen në përgjigje të ndërprerjeve të vazhdueshme të shkaktuara nga pandemia COVID‑19

Si mundet një njeri të japë shërbesë, një bekim priftërie, apo të sigurojë sakramentin e Darkës së Zotit gjatë një pandemie botërore? Këto janë midis çështjeve të trajtuara nga Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në një letër dhe dy dokumente që iu dërguan udhëheqjes botërore të besimit ndërsa vijon të trajtojë ndikimet e COVID‑19. Faqja Newsroom.ChurchofJesusChrist.org ka gjithashtu një dokument të tretë, i cili u jep përgjigje shumë pyetjeve të tjera të patrajtuara në letrën e Presidencës së Parë për udhëheqjen.

Të dy dokumentet që u janë dërguar udhëheqësve shpjegojnë parimet administrative për Kishën gjatë këtyre kohëve sfiduese.

“Bashkëngjitur janë udhëzimet për ordinancat thelbësore, bekimet dhe funksione të tjera të Kishës për t’i orientuar udhëheqësit gjatë krizës së tanishme dhe ditëve sfiduese që do të vijnë”, thotë letra e Presidencës së Parë. “Këto dokumente janë publikuar si përgjigje për ndërprerjet në procedurat e Kishës dhe veprimtaritë e anëtarëve, të shkaktuara nga pandemia mbarëbotërore e COVID‑19. Ato duhet të japin udhërrëfim për aq kohë sa kjo pandemi të ekzistojë në një vend apo rajon të veçantë. Udhëzime të tjera mund të publikohen më vonë.”

Dokumenti mbi parimet administrative ofron kurajë për udhëheqësit. Ai nxjerr në pah vështirësinë e pazakontë të çastit të tanishëm, përgjegjësinë e çdo shenjtori për të qenë një qytetar i mirë i botës, një kujtues se Zoti e ka përgatitur këtë Kishë për këto sfida, dhe ato çka u duhen udhëheqësve të urtë për të kryer detyrat e tyre kishtare.

“Zoti do të na ndihmojë”, thotë dokumenti. “Fuqia e priftërisë dhe drejtësia e anëtarëve do të na ndihmojnë të shkojmë përpara në ditët që do të vijnë.”

Lexojeni këtu dokumentin e plotë “Parime Administrative në Kohët Sfiduese”.

Dokumenti i dytë trajton ordinancat thelbësore të besimit (pagëzimet, konfirmimet, shugurimet në priftëri, dhe veçimet), bekimet e priftërisë, administrimin e sakramentit të darkës së Zotit, mbledhjet e Kishës, dhe shërbimin e përditshëm që jepet nga Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme.

Ritet e pagëzimit, konfirmimit dhe shugurimit në priftëri duhet të bëhen fizikisht. Nëse është e domosdoshme, udhëheqësi që i mbikëqyr këto ordinanca (bashkë me udhëheqës të tjerë, familje, dhe miq) mund të vërejë nga larg me anë të teknologjisë.

Bekimet e priftërisë për të shëruar të sëmurin kërkojnë gjithashtu një prekje fizike të dorës me kokën. Sidoqoftë, dokumenti thotë: “Pasi merret çdo masë e nevojshme, kur kushtet e ndalojnë vënien e duarve mbi kokën e një personi, lutja mund të bëhet duke përfshirë përdorimin e teknologjisë. Kjo është një lutje besimi dhe jo një bekim priftërie. Çdokush, në çdo kohë mund të lutet, të agjërojë ose t’u japë shërbesë të tjerëve në mënyra të tjera.”

Sikurse ka ndodhur prej mesit të marsit të këtij viti, peshkopët vendorë mund të autorizojnë mbajtës priftërie në bashkësinë e vet që të përgatitin dhe administrojnë sakramentin në shtëpitë e tyre. “Në rrethana të pazakonta kur sakramenti nuk është i mundur, anëtarët mund të ngushëllohen duke i studiuar lutjet e sakramentit dhe duke u zotuar sërish për të jetuar sipas besëlidhjeve që anëtarët kanë bërë dhe duke u lutur për ditën që do ta marrin atë fizikisht, të administruar siç duhet me anë të priftërisë”.

Lexoni më shumë në dokumentin “Udhëzime për Ordinancat Thelbësore, Bekimet dhe Funksione të Tjera të Kishës”.

Dokumenti PeP u përgjigjet disa pyetjeve të tjera të rëndësishme që janë bërë nga Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme anembanë botës. Sa vijojnë janë vetëm tre shembuj:

A mundet që martesat dhe funeralet të kryhen në shtëpitë e mbledhjeve?

Në vendet ku ka kufizime sipas rregullave të qeverisë, martesat, pritjet dhe ceremonitë funerale nuk duhet të zhvillohen në shtëpitë e mbledhjeve. Sipas lejes nga ligji, peshkopët dhe presidentët e kunjeve mund ta kryejnë ceremoninë martesore në një rrethanë të përshtatshme ku të mund të ruhet distanca shoqërore. Teknologjia mund të përdoret gjithashtu për t’i lejuar familjen dhe miqtë që ta shohin shërbesën. Udhëheqësit dhe anëtarët duhet të veprojnë në përputhje me urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë.

A duhet të vazhdojnë të bëhen intervistat për rekomandimin e tempullit fizikisht?

Jo. Anëtarët e peshkopatave dhe presidencave të kunjeve mund t’i bëjnë përkohësisht intervistat për rekomandimin e tempullit duke u takuar ballë për ballë nëpërmjet teknologjisë. Anëtarët duhet të vazhdojnë të intervistohen si nga një anëtar i peshkopatës ashtu edhe nga një anëtar i presidencës së kunjit.

A duhet të vazhdojmë të marrim pjesë në dhurimin e gjakut?

Po, dhurimi i gjakut do të vazhdojë, por duhet të zbatohen urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë që janë vendosur në secilën vendndodhje dhe protokollet e organizatës për dhurimin e gjakut (Kryqi i Kuq ose të tjera). Shtëpi mbledhjesh dhe vendet e parkimit në shtëpitë e mbledhjeve mund të përdoren nga Kryqi i Kuq dhe organizata të tjera që përdorin mjete të lëvizshme, në qoftë se zbatohen të gjitha urdhrat, rregullat, dhe direktivat e qeverisë.

Lexojeni dokumentin e pyetjeve dhe të përgjigjeve te “Përgjigje ndaj COVID‑19: Përgjigje për Pyetjet.”

“Ne jemi mirënjohës për përpjekjet që po bëjnë shumë prej jush për të zbatuar me kujdes udhëzimet nga udhëheqësit kombëtarë, shtetërorë dhe vendorë në shumë vende si përgjigje ndaj pandemisë së COVID‑19”, tha Presidenca e Parë. “Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është duke marrë gjithashtu masat e duhura paraprake dhe po jep ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Sipas rrethanave të tanishme dhe kushteve që mund të ekzistojnë në të ardhmen, Kisha dhe anëtarët e saj do ta tregojnë besnikërisht zotimin e tyre për të qenë qytetarë të mirë dhe fqinj të mirë.”