16 Prill 2020

Udhëzime për Ordinancat Thelbësore, Bekimet dhe Funksione të Tjera të Kishës

Në kohë të jashtëzakonshme, ordinancat zakonisht mund të përmbushen ndërkohë që merren masat e nevojshme. Për shembull, kur sëmundja ngjitëse përbën shqetësim, ata që i kryejnë ordinancat duhet t’i lajnë shumë mirë duart dhe madje mund të përdorin doreza dhe maska të fytyrës.

Pagëzimet dhe Konfirmimet

Pagëzimet dhe konfirmimet kërkojnë miratimin e një udhëheqësi të priftërisë me çelësat e duhur. Kur e kërkon nevoja, shërbesat e pagëzimeve mund të vijojnë me të paktën katër persona: personin që do të pagëzohet, priftin ose mbajtësin e Priftërisë Melkizedeke që do ta kryejë pagëzimin dhe dy dëshmitarët. Pagëzimi kryhet nën autorizimin e një peshkopi ose presidenti të misionit, i cili mban çelësat e nevojshëm të priftërisë. Peshkopi ose presidenti i misionit apo dikush që ata e caktojnë (që mund të jetë njëri/ra nga dëshmitarët/et) duhet ta vëzhgojë dhe ta shënojë pagëzimin dhe konfirmimin. Nëse është e nevojshme, personi që e ka marrë autorizimin mund ta bëjë këtë prej së largu duke përdorur teknologjinë. Udhëheqësit, familjarët dhe miqtë mund të vëzhgojnë prej së largu duke përdorur teknologjinë. Kur mbledhjet e sakramentit janë përkohësisht të pezulluara, të kthyerit në besim mund të konfirmohen menjëherë pas pagëzimit.

Shugurimet në Priftëri dhe Veçimet

Shugurimet në priftëri dhe veçimet kërkojnë miratimin paraprak të personit që i mban çelësat e duhur të priftërisë. Ato kërkojnë gjithashtu vënien e duarve mbi kokë fizikisht nga një mbajtës i autorizuar i priftërisë. Ordinanca duhet të vëzhgohet dhe të shënohet nga individi që i mban çelësat e priftërisë ose nga dikush që ai cakton. Nëse është e nevojshme, ky individ mund ta vëzhgojë ordinancën prej së largu duke përdorur teknologjinë. Udhëheqësit, familjarët dhe miqtë mund të vëzhgojnë prej së largu duke përdorur teknologjinë.

Shugurimet, thirrjet dhe veçimet mund të kryhen pa u mbështetur më parë në lagje dhe në mjediset e kunjit, nëse miratohen që më parë nga personi që mban çelësat e duhur të priftërisë. Kjo lejon që vepra e Zotit të shkojë përpara dhe veprimi të miratohet më vonë kur të rifillojnë mbledhjet.

Administrimi ndaj të Sëmurëve

Një bekim priftërie kërkon vënien e duarve mbi kokë fizikisht. Normalisht administrojnë dy ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke, por mund të bëhet edhe vetëm nga njëri prej tyre. Pasi merret çdo masë e nevojshme, kur kushtet e ndalojnë vënien e duarve mbi kokën e një personi, lutja mund të bëhet duke përfshirë përdorimin e teknologjisë. Kjo është një lutje besimi dhe jo një bekim priftërie. Çdokush, në çdo kohë mund të lutet, të agjërojë ose t’u japë shërbesë të tjerëve në mënyra të tjera.

Administrimi i Sakramentit

Anëtarët duhet të përfitojnë nga bekimet e pjesëmarrjes në mbledhjen e sakramentit dhe marrja e sakramentit çdo javë kur është e mundur. Në rrethana të jashtëzakonshme, kur mbledhjet e sakramentit në lagje nuk zhvillohen për një kohë të gjatë, një peshkop mund t’i autorizojë mbajtësit e denjë të priftërisë në lagjen e tij për ta përgatitur dhe administruar sakramentin në shtëpitë e tyre ose në shtëpitë e anëtarëve të tjerë të lagjes që nuk kanë një prift të denjë apo një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke në shtëpi. (Shih General Handbook, 18.9.1.) Kur është e nevojshme, sakramenti mund të administrohet nga një prift i vetëm ose një mbajtës i vetëm i Priftërisë Melkizedeke.

Anëtarët mund ta sigurojnë vetë bukën dhe ujin. Megjithatë, përgatitja e sakramentit duhet të bëhet nga mbajtësi[t] i/e autorizuar i/të priftërisë. Mbajtësi[t] i/e priftërisë që e administron/ojnë sakramentin, duhet të jetë/në në të njëjtin vend me ata që e marrin atë kur e copëtojnë bukën, i thonë lutjet dhe i shpërndajnë emblemat. Në rrethana të pazakonta kur sakramenti nuk është i mundur, anëtarët mund të ngushëllohen duke i studiuar lutjet e sakramentit dhe duke u zotuar sërish për të jetuar sipas besëlidhjeve që anëtarët kanë bërë dhe duke u lutur për ditën që do ta marrin atë fizikisht, të administruar siç duhet me anë të priftërisë.

Individët dhe familjet bekohen kur munden ta mbajnë privatisht shërbesën e adhurimit të Shabatit të përqendruar te shtëpia, fizikisht apo prej së largu. Të tilla adhurime mund të përfshijnë lutjet, himnet dhe studimin e ungjillit. Sipas autorizimit, sakramenti mund të bekohet dhe të shpërndahet kur mbajtësi[t] i/e priftërisë të jetë/në i/të pranishëm.

Funksione të Tjera të Kishës

Mbledhjet. Në rrethana ekstreme, udhëheqësit mund t’i pezullojnë përkohësisht mbledhjet dhe veprimtaritë. Kur kushtet ta kërkojnë, mbledhjet e peshkopatave, intervistat dhe mbledhjet e këshillit të lagjes mund të ndodhin prej së largu duke përdorur teknologjinë, të tilla si thirrjet telefonike apo telefonatat me video. Peshkopët dhe udhëheqësit e lagjes mund të përdorin teknologjinë për mesazhe që ta shtojnë adhurimin të përqendruar te shtëpia nga ana e një anëtari.

Dhënia e Shërbesës. Vëllezërit dhe motrat shërbestare do të zbulojnë se ka mënyra të shumëllojta për të dhënë ndihmën e nevojshme ndaj individëve dhe familjeve që u janë caktuar atyre. Dhënia e shërbesës, qoftë nëse bëhet fizikisht apo prej së largu duke përdorur teknologjinë, varet nga rrethanat vendore dhe nevojat, dëshirat dhe shëndeti i individëve të përfshirë. Intervistat për dhënien e shërbesës mund të bëhen prej së largu duke përdorur teknologjinë kur është e nevojshme. Në raste ekstreme, dhënia e shërbesës fizikisht mund të jetë e kufizuar për të ndihmuar ndaj një nevoje serioze dhe të ngutshme fizike, mendore apo emocionale. Vëllezërit dhe motrat shërbestare duhet ta tregojnë dashurinë dhe përkrahjen e tyre në mënyra të përshtatshme.