16 Prill 2020

Përgjigje ndaj COVID‑19

Përveç dokumentit “Udhëzime për Ordinancat Thelbësore, Bekimet dhe Funksione të Tjera të Kishës”, ky dokument mund të përdoret për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth administrimit të Kishës gjatë pandemisë së COVID‑19.

Këto dokumente janë publikuar si përgjigje për ndërprerjet në procedurat e Kishës dhe veprimtaritë e anëtarëve, të shkaktuara nga pandemia mbarëbotërore e COVID‑19.  Ato duhet të përdoren si udhërrëfim për aq kohë sa kjo pandemi dhe kufizimet e saj zyrtare që lidhen me të mbi mbledhjet e Kishës dhe takimet në publik do të ekzistojnë në një vend të veçantë apo një pjesë gjeografike të një vendi.  Udhëzime të tjera mund të publikohen më vonë.

Peshkopët dhe presidentët e kunjeve duhet të jenë vigjilentë dhe të vëmendshëm ndaj rrethanave dhe rregullave vendore. Ata duhet t’i inkurajojnë anëtarët e Kishës që t’i binden ligjit.

Për secilën nga pyetjet dhe përgjigjet e renditura më poshtë, pjesa në vijim duhet të gjejë zbatim në mënyrë të kujdesshme:

Distanca shoqërore, larja e duarve dhe praktika të tjera të përshkruara te pjesa “Preventative Measures for Members” [Masat Parandaluese për Anëtarët] në

newsroom.churchofjesuschrist.org/article/coronavirus-update#preventative-measures

Parimet dhe protokollet e vetizolimit siç udhëzohen nga profesionistët e mjekësisë dhe udhëheqësit e qeverisë

Urdhrat, rregullat dhe direktivat e vendosura nga qeveria në çdo vendndodhje

Dokumente shtesë në lidhje me COVID‑19 gjenden në newsroom.ChurchofJesusChrist.org

Nëse ka pyetje të vështira në veçanti, presidentët e kunjeve duhet të kontaktojnë Presidencën e tyre të Zonës.

I. Ordinancat e Priftërisë dhe Ceremonitë Familjare

Administrimi i Sakramentit

A mund ta administrojnë mbajtësit e priftërisë sakramentin në shtëpitë e anëtarëve të tjerë të lagjes, që nuk kanë një prift të denjë apo një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke në shtëpi?

Përgjithësisht, po. Aktualisht, udhëzimet e qeverisë ose rregullat vendore e kufizojnë këtë praktikë në shumë kombe dhe qytete. Deri në një lajmërim të mëtejshëm, në këto vende, mbajtësit e priftërisë nuk duhet të hyjnë në shtëpitë e anëtarëve të Kishës, me të cilët nuk kanë lidhje familjare, për të administruar sakramentin. Gjatë kësaj periudhe, anëtarët mund të bekohen duke i studiuar lutjet e sakramentit dhe duke u zotuar sërish për të jetuar sipas besëlidhjeve që anëtarët kanë bërë dhe duke u lutur për ditën që do ta marrin atë fizikisht, të administruar siç duhet me anë të priftërisë.

Bekimet Patriarkale

A mund të vazhdojnë bekimet patriarkale sipas planifikimit?

Bekimet patriarkale duhet të shtyhen përkohësisht. Megjithatë, kudo ku është e mundur, atyre që po përgatiten për të shërbyer në misione duhet t’u jepet një bekim patriarkal përpara se ta fillojnë shërbimin e tyre misionar.

Martesat, Pritjet dhe Ceremonitë Funerale

A i lejojnë orientimet e reja martesat (përfshirë pritjet) dhe ceremonitë funerale në shtëpitë e mbledhjeve?

Në vendet ku ka kufizime sipas rregullave të qeverisë, martesat, pritjet dhe ceremonitë funerale nuk duhet të zhvillohen në shtëpitë e mbledhjeve. Sipas lejes nga ligji, peshkopët dhe presidentët e kunjeve mund ta kryejnë ceremoninë martesore në një rrethanë të përshtatshme ku të mund të ruhet distanca shoqërore. Teknologjia mund të përdoret gjithashtu për ta lejuar familjen dhe miqtë që ta shohin shërbesën. Udhëheqësit dhe anëtarët duhet të veprojnë në përputhje me urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë.

Sipas lejes nga ligji, anëtarët e peshkopatave dhe të presidencave të kunjeve mund ta kryejnë një shërbesë për varrimin. Teknologjia mund të përdoret gjithashtu për të lejuar familjen dhe miqtë që ta shohin shërbesën dhe ta regjistrojnë atë. Po të dëshironi, mund të zhvilloni më vonë një shërbesë më të madhe përkujtimore kur ta lejojnë kushtet.

Vënia e Emrit dhe Bekimi i Fëmijëve

A e lejojnë orientimet bekimin e fëmijëve në shtëpi?

Po. Kur autorizohet nga peshkopi, bekimi mund të kryhet në shtëpinë e familjes në vend që të kryhet në një mbledhje në Kishë. Ai duhet të raportohet në mënyrën e duhur.

II. Administrimi i Lagjeve dhe i Kunjeve

Mbledhjet dhe Intervistat

A mund të zhvillohen me njerëz të pranishëm mbledhjet e peshkopatës, mbledhjet e presidencës së kunjit, mbledhjet e këshillit të lartë, mbledhje të tjera të presidencës dhe intervistat?

Këto janë vendime që duhet të bëhen në rang vendor të bazuara mbi të gjithë informacionin në dispozicion. Mbledhjet dhe intervistat mund të drejtohen nëpërmjet teknologjisë kur është e mundur.

Mbajtja Shënim e Pjesëmarrjes në Mbledhje

Meqenëse mbledhjet janë pezulluar, si do të llogaritet dhe raportohet pjesëmarrja për raportet?

Pjesëmarrja nuk do të raportohet, sepse shërbesat e së dielës janë pezulluar përkohësisht.

Përdorimi i Ndërtesave dhe Godinave

A mund të përdoren ndërtesat dhe fushat atletike? A mund të mblidhet rinia për të luajtur futboll në oborret e jashtme dhe në fushat e shtëpive të mbledhjeve?

Veprimtaritë e degëve, lagjeve dhe kunjeve janë pezulluar përkohësisht. Individët duhet të zbatojnë: “Preventative Measures for Members [Masat Parandaluese për Anëtarët]”. Anëtarët duhet të veprojnë në përputhje me urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë.

A mund të vazhdojnë veprimtari të tjera të përditshme të tilla si sportet, provat e koreve dhe mësimet e pianove në shtëpitë e mbledhjeve?

Veprimtaritë si sportet, provat e koreve dhe mësimet e pianove janë pezulluar përkohësisht. Anëtarët duhet të veprojnë në përputhje me urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë.

Çfarë duhet të bëhet me klasat e shërimit nga varësia dhe të mbështetjes te vetja që zhvillohen çdo javë në ndërtesat e Kishës?

Ato duhet të zhvillohen nëpërmjet teknologjisë.

A duhet të mbyllen qendrat e historisë familjare në qendrat e kunjeve?

Po. Përdoruesit duhet ta përdorin teknologjinë nga shtëpia.

Seminari dhe Instituti

Për të gjitha pyetjet, shikoni orientimet nga SAK‑u për përgjigje ndaj COVID‑19.

E Dhjeta dhe Dhurimet

A do t’i pranojnë peshkopatat të dhjetën dhe dhurimet fizikisht dhe t’i hedhin në sistem veprimet financiare gjatë javës, apo duhet të bëhen vetëm në mënyrë elektronike gjatë periudhës së pezullimit të mbledhjeve?

Kur të jetë e mundur, anëtarët duhet t’i bëjnë dhurimet e tyre në internet. Anëtarët që nuk kanë qasje për t’i bërë dhurimet në internet, mund t’ua japin ato fizikisht çdo anëtari të peshkopatës ose t’i postojnë dhurimet duke përdorur adresën e përcaktuar te zarfet, me përjashtim të rasteve kur Presidenca e zonës e vlerëson këtë si praktikë jo të duhur. Pyetjet shtesë duhet t’i përcillen Presidencës së Zonës. 

Konferencat e FSY‑së

A do të zhvillohen konferencat e FSY‑së për rininë këtë verë (2020)?

Konferencat e FSY‑së 2020 të planifikuara për t’u zhvilluar në SHBA dhe Kanada në vitin 2020 janë shtyrë për në vitin 2021. Kunjet e ftuara për të marrë pjesë në konferencat e FSY‑së në vitin 2020 tani do të marrin pjesë në vitin 2021. Një program i përditësuar për konferencat e FSY‑së, që do të zhvillohen në SHBA dhe Kanada në vitet 2021–2023 do të përditësohet së shpejti. Atyre që janë regjistruar do t’u bëhet automatikisht një kthim i pagesës. Të rinjtë e të rejat nga kunjet që janë ftuar për vitin 2020, të cilëve ende do t’u duhet të plotësojnë kushtet për moshën, do të ftohen për të marrë pjesë në FSY‑në e vitit 2021. Jashtë SHBA‑së dhe Kanadasë, Presidencat e Zonave do të japin udhërrëfim nëse do të zhvillohen apo jo konferencat e FSY‑së, në përputhje me direktivat ndaj COVID‑19 që janë vendosur nga qeveritë në komunitetet dhe vendet e tyre. Informacion shtesë rreth konferencave të FSY‑së gjendet në FSY.ChurchofJesusChrist.org.

III. Shërbimi Misionar

Periudha Para Misionit

A duhet të vazhdojnë të përpunohen dorëzimet e kërkesave për mision nga udhëheqësit vendorë të priftërisë? A do të vazhdojnë misionarët të thirren në një kohë të afërt?

Po.

A mund t’i intervistojnë peshkopët dhe presidentët e kunjeve misionarët e ardhshëm fizikisht?

Po, por intervistat me misionarët e ardhshëm duhet të bëhen prej së largu duke përdorur takimin ballë për ballë nëpërmjet teknologjisë kurdoherë që është e mundur.

Jeta Misionare

A mund të vazhdojnë misionarët t’u japin mësim fizikisht kontakteve të tyre kur ju kërkohet që të qëndrojnë në banesat e tyre?

Jo. Misionarët duhet të veprojnë në përputhje me urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë, si edhe sipas udhëzimeve nga Presidenca e Zonës dhe presidenti i misionit. Megjithatë, ata prapëseprapë mund t’u japin mësim kontakteve të tyre nëpërmjet teknologjisë. (Shih materialin filmik me seri të misionarëve mbi mësimdhënien me teknologji).

A mund të vazhdojnë të bëjnë takime në rrugë misionarët?

Misionarët duhet të veprojnë në përputhje me urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë si dhe të zbatojnë udhëzimet që marrin nga Presidenca e Zonës dhe presidenti i misionit.

Nëse një misionari i kërkohet që t’i japë një bekim dikujt që ka simptomat e virusit korona, a duhet ta japë bekimin misionari?

Jo. Misionarët nuk duhet t’i vizitojnë njerëzit që kanë dalë pozitiv ndaj virusit, që shfaqin simptoma apo që kanë qenë në kontakt me dikë të infektuar me COVID‑19. Ata mund t’u shërbejnë atyre nëpërmjet teknologjisë dhe të luten për ta.

A duhet të vazhdojnë misionarët që të japin shërbim dhe të punojnë me projektin JustServe [ThjeshtShërbe]?

Misionarët duhet të veprojnë në përputhje me urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë, si edhe sipas udhëzimeve nga Presidenca e Zonës dhe presidenti i misionit.

Puna Misionare e Anëtarëve

A mund të vazhdojë të përparojë puna misionare e anëtarëve?

Po, nën drejtimin e presidentit të kunjit dhe peshkopit. Puna misionare e anëtarëve i nënshtrohet të njëjtave kufizimeve për vizitat fizikisht, si puna e misionarëve me kohë të plotë, derisa kushtet ta lejojnë ndryshe.

Mbledhjet e Misionarëve

Në vend të udhëtimeve të misionit, a mund të marrë pjesë Presidenca e Zonës në këshillat e udhëheqjes dhe mbledhjet e zonës?

Mbledhja e misionarëve së bashku, fizikisht, për mbledhjet e zonës është pezulluar përkohësisht. Mbledhjet mund të zhvillohen prej së largu duke përdorur teknologjinë sipas nevojës.

IV. Puna në Tempull

Intervistat për Rekomandimin e Tempullit dhe Aktivizimi i Tij

A duhet të inkurajohen anëtarët e Kishës që të mbajnë një rekomandim aktual tempulli?

Po. Një rekomandim aktual tempulli vërteton denjësinë e personit për të hyrë në tempull, edhe nëse adhurimi në tempull nuk është i mundur.

A duhet të vazhdojnë të bëhen intervistat për rekomandimin e tempullit fizikisht?

Jo. Anëtarët e peshkopatave dhe presidencave të kunjeve mund t’i bëjnë përkohësisht intervistat për rekomandimin e tempullit duke u takuar ballë për ballë nëpërmjet teknologjisë. Anëtarët duhet të vazhdojnë të intervistohen si nga një anëtar i peshkopatës edhe nga një anëtar i presidencës së kunjit.

A duhet të lëshohen rekomandimet e tempullit edhe pa nënshkrimet?

Po. Anëtarët e peshkopatave mund t’i bëjnë intervistat duke përdorur teknologjinë që kanë në dispozicion. Pas intervistës, ata mund ta nënshkruajnë rekomandimin, t’i bëjnë një fotografi dhe t’ia dërgojnë fotografinë nëpunësit të kunjit. Ai më pas duhet t’ia dorëzojë ose t’ia dërgojë me postë anëtarit rekomandimin e tempullit, të nënshkruar. Anëtari duhet ta nënshkruajnë rekomandimin pasi e merr.

Pasi një anëtar i presidencës së kunjit e interviston anëtarin, ai ose nëpunësi i kunjit mund ta aktivizojë rekomandimin pa një nënshkrim. Kur të rifillojnë mbledhjet e sakramentit të lagjeve dhe mbledhje të tjera, çdo anëtar duhet ta ketë rekomandimin e vet të nënshkruar nga një anëtar i presidencës së kunjit nëse ai nuk është nënshkruar ende.

V. Pyetje të Tjera

A duhet të vazhdojmë të marrim pjesë në dhurimin e gjakut?

Po, dhurimi i gjakut do të vazhdojnë, por duhet të zbatohen urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë që janë vendosur në secilën vendndodhje dhe protokollet e organizatës për dhurimin e gjakut (Kryqi i Kuq ose të tjera). Shtëpi mbledhjesh dhe vendet e parkimit në shtëpitë e mbledhjeve mund të përdoren nga Kryqi i Kuq dhe organizata të tjera që përdorin mjete të lëvizshme, në qoftë se zbatohen të gjitha urdhrat, rregullat, dhe direktivat e qeverisë.

A duhet t’i njoftojnë udhëheqësit anëtarët të cilët mund të kenë pasur kontakt me anëtarë të tjerë të Kishës, të cilët ishin të ekspozuar apo të infektuar nga COVID‑19?

Përgjithësisht, po, përfshirë këshillimin e udhëheqësve dhe vëllezërve e motrave shërbestarë që për shkak të detyrave do të ekspozohen vetvetiu me anëtarë të infektuar. Këta udhëheqës dhe vëllezër e motra shërbestarë duhet të këshillohen se si të vazhdojnë të japin shërbesë, por nëpërmjet teknologjisë dhe nga një largësi, dhe të zbatojnë orientimet te pjesa “Preventative Measures for Members [Masat Parandaluese për Anëtarët]”. Anëtarët duhet të veprojnë në përputhje me ligjet që gjejnë zbatim, përfshirë urdhrat, rregullat dhe direktivat e qeverisë.

 

Pyetjet shtesë duhet t’i përcillen Presidencës së Zonës, të cilët mund të japin udhërrëfimin e nevojshëm.