16 Prill 2020

Parime Administrative në Kohët Sfiduese

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përqendrohet te përgjegjësitë e përcaktuara në mënyrë hyjnore për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve teksa përparojnë në shtegun e besëlidhjeve drejt jetës së përjetshme. Për të ndihmuar që ta përmbushim këtë qëllim hyjnor, Kisha dhe udhëheqësit e saj sigurojnë autoritetin dhe çelësat e priftërisë, besëlidhje dhe ordinanca, si dhe udhëzim profetik. Kisha i fton të gjithë njerëzit që të vijnë te Jezu Krishti dhe t’u binden besnikërisht urdhërimeve të Tij.

Kohët Sfiduese

Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se në këtë periudhë ungjillore ne do të përjetojmë kohë sfiduese. Mes rrethanave të vështira, Kisha do të shpallë parime themelore dhe do të administrojë ordinancat e nevojshme për të bekuar fëmijët e Atit Qiellor. Sido që të jenë koha apo rrethanat, gjëra të caktuara janë thelbësore në Kishën e Zotit. Ndër to përfshihet doktrina dhe ordinancat e shenjta.

Përgjegjësia Botërore e Qytetarëve

Anëtarët e Kishës janë mirënjohës për ligjet e shumë kombeve në mbarë botën që e mbrojnë lirinë fetare dhe e respektojnë lirinë e shenjtë të ndërgjegjes.

Kisha jep mësim se anëtarët e saj duhet t’i përkrahin dhe t’i mbështetin ligjet në vendin ku jetojnë. Këto qeveri nxjerrin ligje që sipas gjykimit të tyre janë llogaritur si më të mirat për të mbrojtur interesin publik. Ne e pranojmë se në rrethana të jashtëzakonshme të gjitha të drejtat e individëve mund të jenë të kufizuara brenda logjikës për një periudhë, për të mbrojtur sigurinë e popullatës së gjerë.

Në kohë pandemie ose katastrofe natyrore, Kisha do t’u përgjigjet urdhrave zyrtarë për të ndërmarrë veprimet e nevojshme, të tilla si anulimin ose shtyrjen e takimeve apo mbledhjeve të tjera. Kisha dhe anëtarët e saj janë të zotuar për të qenë qytetarë të mirë dhe fqinj të mirë. Kisha ka një histori të gjatë lidhur me kujdesin dhe dhënien e ndihmës ndaj njerëzve në nevojë.

 

Bashkë me zotimin tonë për të qenë qytetarë të mirë të botës, ne kërkojmë me respekt që kushte të arsyeshme t’u mundësohen të gjithë njerëzve fetarë teksa përpiqen fort të marrin pjesë në rite që janë themelore për besimin e tyre.

Zoti e Ka Përgatitur Kishën e Tij

Udhëzimi i frymëzuar përgjatë shumë viteve e ka përgatitur Kishën e Zotit dhe anëtarët e saj, si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht, për kohët që po ndryshojnë dhe janë sfiduese.

Përveç këshillës që është dhënë shumë kohë më parë, që anëtarët të kenë ushqime të grumbulluara në shtëpitë e tyre, anëtarët e Kishës janë të përqendruar te nderimi i ditës së Shabatit, dhënia e shërbesës ndaj të tjerëve dhe forcimi i kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke dhe Shoqatave të Ndihmës. Nëpërmjet profetëve të Tij, Zoti e ka shtuar vëmendjen te mësimi dhe të jetuarit e ungjillit të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha. Anëtarët janë inkurajuar që t’i bëjnë shtëpitë e tyre shenjtërore besimi ku fëmijëve dhe rinisë t’u mësohet ungjilli. Programi mësimor Eja më Ndiq mundëson një model që anëtarët kudo ku ndodhen, ta mësojnë ungjillin në shtëpitë e tyre dhe në Kishë. Programi për Fëmijët dhe Rininë është gjithashtu i përqendruar te shtëpia, që i lejon prindërit t’i edukojnë fëmijët e tyre nga ana shpirtërore, intelektuale, fizike dhe shoqërore.

Anëtarët janë inkurajuar që të përdorin teknologjinë për të përhapur mesazhe të ungjillit në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme. Misionarëve u janë dhënë pajisje që i lejojnë të gjejnë njerëz dhe t’u japin mësim atyre madje edhe kur takimi nuk është i mundur fizikisht. Anëtarët mund të përfshihen në punën për historinë familjare nga shtëpitë e tyre.

Kur i shohim modelet bashkëlidhëse të këtyre përpjekjeve dhe shumë të tjera, ne mund të shohim se si Zoti e ka orkestruar me kujdes dhe ka bërë që hap pas hapi të përgatitemi për kohët sfiduese.

Parimet dhe Ordinancat Themelore

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një kishë rregulli. Ordinancat dhe bekimet janë veprime të shenjta, të mundësuara me anë të autoritetit të priftërisë. Ndërkohë që disa procedura mund të ndryshojnë në varësi të rrethanave, doktrina, parimet dhe ordinancat themelore duhen mbrojtur.

Shumë ordinanca kërkojnë vënien e duarve mbi kokë, të tilla si konfirmimet, shugurimet, bekimet, veçimet dhe dhënia e çelësave të priftërisë. Të tilla ordinanca kërkojnë që mbajtësi i priftërisë, i cili e kryen ordinancën, duhet të jetë në të njëjtin vend me marrësin. Ordinancat e priftërisë nuk mund të kryhen prej së largu duke përdorur teknologjinë. Kur rrethanat ta kërkojnë, të tjerë mund ta vëzhgojnë ordinancën prej së largu duke përdorur teknologjinë nëse autorizohet nga autoriteti kryesues. 

Në këto kohë sfiduese, autoritetet kryesuese duhet të ushtrojnë urtësinë se cilat ordinanca do të duhej të shtyheshin përkohësisht.  Kur sëmundja ngjitëse përbën shqetësim, ata që i kryejnë ordinancat duhet të marrin masat e nevojshme për të ruajtur veten dhe të tjerët.

Bashkëngjitur këtu janë udhëzime për ordinancat thelbësore, bekimet dhe funksione të tjera të Kishës.

Këto dokumente janë publikuar si përgjigje për ndërprerjet në procedurat e Kishës dhe veprimtaritë e anëtarëve, të shkaktuara nga pandemia mbarëbotërore e COVID‑19. Ato duhet të përdoren si udhërrëfim për aq kohë sa kjo pandemi dhe kufizimet e saj zyrtare që lidhen me të mbi mbledhjet e Kishës dhe takimet në publik do të ekzistojnë në një vend të veçantë apo një pjesë gjeografike të një vendi. Udhëzime të tjera mund të publikohen më vonë.

Përfundimi

Ashtu siç tha profeti Nefi: “Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron” (1 Nefi 3:7). Zoti do të na ndihmojë. Fuqia e priftërisë dhe drejtësia e anëtarëve do të na ndihmojnë të shkojmë përpara në ditët që do të vijnë.