Ajo që Besojnë Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth Jezu Krishtit

Mësoni më Shumë rreth Birit të Perëndisë dhe Krijuesit të Botës

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Ai erdhi në tokë për të na mësuar dhe për të na treguar mënyrën se si duhet të jetojmë.
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Ai erdhi në tokë për të na mësuar dhe për të na treguar mënyrën se si duhet të jetojmë.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë besojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme rreth Jezu Krishtit? Ashtu si shumë të krishterë të tjerë anembanë botës, shenjtorët e ditëve të mëvonshme e shohin Jezu Krishtin si Zotin e tyre dhe e adhurojnë Atë si Shpëtimtarin e tyre. Shumë bindje të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme rreth Jezu Krishtit janë të ngjashme me bindje të tjera të krishtera për Të. Por shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë edhe shumë të vërteta të kulluara e të çmuara rreth Shpëtimtarit, të cilat janë unike për Kishën e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Ai erdhi në tokë për të na mësuar dhe për të na treguar mënyrën se si duhet të jetojmë.

Kush besojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme se është Jezu Krishti?

Ashtu si shumica e të krishterëve, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Krijuesi i botës. Megjithatë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë një bindje të pashoqe se Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti janë dy qenie më vete. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Perëndia dhe Jezu Krishti janë të bashkuar plotësisht në dashurinë e tyre të përsosur për ne, por që secili është një person më vete me trupin e Vet të përlëvduar e të përsosur (shih DeB 130:22).

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se të gjithë burrat dhe gratë që kanë lindur ndonjëherë, përfshirë Jezu Krishtin, jetuan me Perëndinë si fëmijët e Tij shpirtërorë përpara kësaj jete. Perëndia donte që secili prej nesh të vinte në tokë për të fituar përvojë, për të mësuar dhe për t’u rritur, për t’u bërë më shumë si Ai. Por Perëndia e dinte gjithashtu se të gjithë fëmijët e Tij do të mëkatonin, do të vdisnin dhe nuk do të arrinin ta merrnin lavdinë e Tij. Do të na duhej një Shpëtimtar për t’i mposhtur mëkatet e papërsosuritë tona dhe për të na pajtuar me Perëndinë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Jezu Krishti u zgjodh për të qenë ky Shpëtimtar kohë më parë, gjatë jetës sonë para lindjes me Perëndinë. Ne lëshuam britma gëzimi kur na u paraqit plani i lavdishëm i Perëndisë për fëmijët e Tij (shih Jobit 38:7).

Mesia

Çfarë besojnë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth jetës në vdekshmëri të Jezu Krishtit?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Jezusi u lind si një foshnjë në Bethlehem. Si fëmija i Perëndisë, Atit, dhe i një nëne të vdekshme, Maries, Ai u rrit duke e mësuar misionin e Tij hyjnor dhe ungjillin e Atit të Tij rresh pas rreshti, parim pas parimi (shih DeB 98:12). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Jezu Krishti jetoi një jetë të përsosur të vdekshme, për të dhënë shembullin përfundimtar që ta ndjekim ne. Ai u bë Mesia, Shpëtimtari i premtuar i popullit të Perëndisë, ardhjen e të cilit profetët e kishin parashikuar kohë më parë. Shkrimet e shenjta shënojnë që Ai e dha mësim ungjillin e Tij nëpërmjet fjalës dhe veprimit ndërsa “Ai eci rrugëve të Filistisë, duke shëruar të sëmurët, duke u kthyer dritën të verbërve dhe duke ngritur të vdekurit” ( “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2).

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë gjithashtu se, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti vuajti përtej përshkrimit në Gjetseman dhe në kryq për mëkatet e gjithë njerëzimit, në mënyrë që Ai të mund të na vinte në ndihmë në mënyrë të përsosur në të gjitha vuajtjet tona. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Jezu Krishti vdiq në kryq dhe u ngrit sërish, që i gjithë njerëzimi të mund të ringjallet dhe një ditë të kthehet të jetojë me një Atë të dashur Qiellor. Si i vetmi njeri që ka jetuar ndonjëherë një jetë plotësisht të pamëkatë, Shpëtimtari ishte një flijim i përsosur, një qengj pa të meta. Unike për shenjtorët e ditëve të mëvonshme është bindja se pas vdekjes së Jezu Krishtit, Ai vizitoi popullin e Tij në kontinentet amerikane (shih Gjoni 10:16; 3 Nefi 11).

Shpëtimtari

Si mund të bëhem më shumë si Jezu Krishti?

Jezu Krishti është shembulli i përkryer i gjithçkaje që është e mirë: besimit, shpresës, dashurisë hyjnore, virtytit, njohurisë, durimit, përulësisë, bindjes dhe çdo cilësie tjetër të denjë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se, ndërsa përpiqemi fort t’i zhvillojmë këto cilësi, ne do të bëhemi më shumë si Jezu Krishti. Ne mund të vazhdojmë të bëhemi më shumë si Ai ndërsa lutemi shpesh, pendohemi për mëkatet që bëjmë, dhe i hetojmë shkrimet e shenjta për të mësuar më shumë rreth jetës së Tij.

Pasja e besimit në Jezu Krisht dhe ndjekja e mësimeve të Tij është e vetmja mënyrë për të gjetur lumturi të përhershme. Jeta jonë në tokë mund të sjellë shumë sprova, sfida, madje dhe pikëllim. Por ashtu siç premtoi Shpëtimtari te Mateu 11:28: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”.

Për të mësuar më shumë se çfarë besojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme rreth Jezu Krishtit dhe për ta forcuar marrëdhënien tuaj vetjake me Të, vizitoni ejanitekrishti.org.