Libri i Mormonit, një Shkrim i Shenjtë i Lashtë: Kush e Shkroi Atë dhe Si u Përkthye?   

Profeti Lehi

Për çfarë flet Libri i Mormonit?  

Libri i Mormonit është një anal i shenjtë që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e konsideron shkrim të shenjtë përveç Biblës. Dalja e tij në dritë ishte një pjesë thelbësore e historisë së Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Libri i Mormonit flet për historinë e dy qytetërimeve të mëdha të popujve që jetuan në Amerikën e lashtë. Njëri prej këtyre qytetërimeve imigroi nga Jerusalemi për në Amerikë në vitin 600 pr.K. dhe tjetri emigroi nga Lindja e Afërme në një kohë shumë më të hershme (shih te Parathënia e Librit të Mormonit).

Libri i Mormonit shënon pjesë të historisë shoqërore dhe politike të këtyre dy qytetërimeve. Megjithatë, më e rëndësishmja është se Libri i Mormonit flet për marrëdhëniet e Perëndisë me këta popuj të lashtë dhe dëshmon për dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë kundrejt të gjithë fëmijëve të Tij. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Libri i Mormonit përmban plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit (shih Joseph Smith – Historia 1:34). Ngjarja më e madhërishme e shënuar në libër është rrëfimi për vizitën e Jezu Krishtit në kontinentin amerikan pas vdekjes dhe Ringjalljes së Tij.

Kush e shkroi Librin e Mormonit?  

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Libri i Mormonit përmban pjesë të analeve të shkruara nga shumë profetë të lashtë (shih “Një Shpjegim i Shkurtër mbi Librin e Mormonit”). Këta profetë i gdhendën analet e tyre mbi fletë të arta. Analet e tyre i përmblodhi dhe i shkurtoi në një anal më të ngjeshur një profet‑historian që quhej Mormoni. Libri i Mormonit mban emrin e tij. Pas vdekjes së Mormonit, i biri i tij, Moroni, e përfundoi analin dhe i groposi fletët për t’i mbrojtur ato.

Nga erdhi Libri i Mormonit?  

Më 23 dhjetor 1805, shumë shekuj pas vdekjes së Mormonit dhe Moronit, ndodhi një tjetër ngjarje kryesore në historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur lindi një djalë që quhej Jozef Smith. Kur Jozefi ishte 17 vjeç, Moroni, engjëll në atë kohë, iu shfaq atij teksa po lutej (shih Joseph Smith – Historia 1:27–33). Moroni i tha Jozefit se anali i lashtë që ai dhe ati i tij kishin përfunduar, ishte shkruar mbi fletë të arta dhe ishte groposur në një kodër pranë shtëpisë së Jozefit, në pjesën rurale të Nju-Jorkut. Moroni i tha gjithashtu Jozefit se Perëndia kishte një mision të veçantë që Jozefi ta përmbushte, se Jozefi do të merrte fletët dhe se Perëndia kishte përgatitur një mënyrë që ato të përktheheshin.

Çfarë roli luan Libri i Mormonit në historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Përkthimi i Librit të Mormonit ishte vërtet një ngjarje e mrekullueshme në historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Jozef Smithi, një djalosh i varfër ferme, kishte fare pak arsimim zyrtar. Atij i mungonte aftësia për ta përkthyer analin me forcat e veta, kështu që kishte nevojë për ndihmë hyjnore.

Për ta ndihmuar Jozefin në detyrën e rëndësishme të përkthimit të shkrimit të shenjtë, Perëndia kishte përgatitur mjete. Dy nga këto mjete quheshin Urimi dhe Thumimi – një dyshe gurësh të veçantë, apo “interpretuesish” që Jozefi i gjeti të groposur bashkë me fletët (shih Joseph Smith – Historia 1:35). Mjete të ngjashme u përdorën nga profetët në Dhiatën e Vjetër (shih Eksodi 28:30). Jozefi i përdori këta gurë për ta interpretuar analin dhe për t’ua diktuar atë shkruesve. Jozefi përdori edhe një gur tjetër, të quajtur gur shikues, për ta ndihmuar për përkthimin. Ai dëshmoi se qe në gjendje ta përkthente librin vetëm “me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (“Përkthimi i Librit të Mormonit”, Ese mbi Temat e Ungjillit, churchofjesuschrist.org/study/manual/gospel-topics-essays).

Sot, Libri i Mormonit është përkthyer nga anglishtja në më shumë se 100 gjuhë (shih “Libri i Mormonit në 110 Gjuhë”, Ensign, ose Liahona, maj 2015, f. 137). Ai ka ndihmuar miliona njerëz përreth botës që t’i afrohen Jezu Krishtit dhe të mësojnë për ungjillin e Tij.

Në ç’mënyrë mund të mësoj më shumë?  

Libri i Mormonit flet për besimin, pendimin dhe gjetjen e lumturisë së vërtetë. Libri i Mormonit flet gjithashtu për dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij, përfshirë ju. Për të mësuar më shumë rreth Librit të Mormonit dhe për të kërkuar një kopje falas, vizitoni ejanitekrishti.org.