Kisha Njofton Përshtatje për Misionet

African missionaries

Redaksia Mormone raportoi në tetor se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme do ta përshtaste numrin e 421 misioneve të veta për të plotësuar më mirë nevojat e secilit rajon të botës. Sot, Kisha shpalli ripërcaktimin e kufijve për 19 misione, si dhe krijimin e pesë misioneve të reja. Me ndryshimet vijuese numri i misioneve do të shkojë në 407.

 

Pesë misionet në vijim do të hapen në korrik të vitit 2018:

  • Brazil, Rio-de-Zhanejro Jugor
  • Bregu i Fildishtë, Jamosukro
  • Nigeri, Ibadan
  • Filipine, Kabanatuan
  • Zimbabve, Bulaueo

 

Në korrik të vitit 2018, Kisha gjithashtu do t’i ripërcaktojë kufijtë për 19 misionet në vijim dhe do t’i shkrijë ata me misione fqinje:

  • Australi, Sidnei Verior
  • Bullgari, Sofje
  • Kaliforni, Modesto
  • Kaliforni, San‑Fernando
  • Angli, Londër Jugore
  • Greqi, Athinë
  • Ilinois, Çikago Perëndimore
  • Meksikë, Siudad‑Obregon
  • Meksikë, Rejnosa
  • Misisipi, Xhekson
  • Nju‑Jork, Nju‑Jorku Jugor
  • Ohajo, Klivlend
  • Portugali, Porto
  • Rumani/Moldavi
  • Rusi, Samara
  • Spanjë, Malagë
  • Ukrainë, Lviv
  • Jutë, Logan
  • Uashington, Federal‑Uej

 

Ndryshimet në kufijtë e misioneve janë të zakonshme. Që kur Presidenti Tomas S. Monson shpalli në vitin 2012 ndryshimin e moshave për shërbim misionar, Kisha ka krijuar 76 misione të reja për të mirëpritur valën e rritjes brenda vetëm disa viteve nga 58 000 në 88 000 misionarë. Vala fillestare e misionarëve është zvogëluar që atëherë në rreth 68 000 misionarë, siç pritej.

Më pak misionarë do të thotë jo vetëm që nevojiten më pak misione, por edhe një rëndësi më të madhe për një vendosje më strategjike të misionarëve në zonat në nevojë përreth botës; pra krijimi i pesë misioneve të reja.

“Ne dëshirojmë që misionarët të jenë në vendin dhe pozicionin më të mirë të mundshëm për t’i ndihmuar njerëzit, qoftë nëpërmjet shpërndarjes së ungjillit të Jezu Krishtit, ose të shërbimit komunitar”, tha Autoriteti i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, Plaku Brent H. Nilson, Drejtori Ekzekutiv i Sektorit të Misionarëve. “Modeli i vendosur nga Shpëtimtari është të sjellim një ndryshim në jetët vetjake, një nga një, në mbarë botën, gjë që kërkon planifikim dhe organizim të vazhdueshëm.”

Vizitojeni faqen Church News [Lajmet e Kishës] (një burim kryesisht për shenjtorët e ditëve të mëvonshme) për një listë të caktimeve për presidentët e rinj të misioneve.

Hollësi mbi shkrirjet e misioneve do të dërgohen në komunikimet e ardhshme prej presidentëve të misioneve drejtuar prindërve të misionarëve në misionet e ndikuara [prej kësaj].