Gratë Kremtuan Gjatë Marsit për Formimin e së Ardhmes

8 Marsi ishte Dita Ndërkombëtare e Grave – një ditë përkushtuar kremtimit e arritjeve shoqërore, ekonomike, kulturore dhe politike të grave. Rastësisht, organizata e grave të Kishës së Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e njohur si Shoqata e Ndihmës, ka të njëjtin muaj përvjetori me Ditën Ndërkombëtare të Grave. 17 marsi shënoi 178 vjet qysh prej organizimit të saj. Qëllimi i saj u shpall nga një anëtar i hershëm i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Xhon A. Uidtsou. 

“[Për vazhdimin] e lehtësimit të varfërisë, lehtësimit të sëmundjeve, lehtësimin e dyshimit, lehtësimin e padijes - lehtësimin nga gjithçka që frenon gëzimin dhe përparimin e gruas”, tha ai.

 Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nderon kontributet e grave në mbarë botën gjatë këtij muaji kremtimi.

“Si gra, ju i frymëzoni të tjerët dhe vendosni një standard të denjë për t’u marrë shembull…gratë i japin formë së ardhmes”, tha Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit në një fjalim në Konferencën e Përgjithshme.

Një grua që po i jep formë të ardhmes së familjes dhe komunitetit të saj është Armina Avanesjani. Ajo emigroi nga Armenia drejt Gjermanisë me fëmijët e saj të vegjël në vitin 1997. Udhëtimi për t’u ribashkuar me bashkëshortin e saj (i cili ndërkohë ndodhej në Gjermani) ishte i gjatë dhe rraskapitës. 

“Ne nuk kishim ushqim, absolutisht asgjë”, tha ajo. “Ne duhej të përshkonim një pyll në këmbë dhe mandej duhej të kalonim një lumë dhe ishte shumë ftohtë – ishte fillim dhjetori. Veshjet tona ishin të lagura, unë nuk mund të notoja dhe duhej të shkoja thellë nën ujë. Gjithçka kisha në mendje, ishin fëmijët e mi.”

Armina i mposhti këto pengesa dhe mbërriti në Gjermani. Ajo mandej u përlesh me përshtatjen në një vend, kulturë dhe gjuhë të re. Dy vjet më vonë, ajo u largua përsëri nga zona e saj të rehatisë pasi takoi misionarët që ishin duke kënduar në rrugët e Gjermanisë.

“E ndjeva në mënyrë specifike jashtëzakonisht fort Frymën e Shenjtë”, tregon Armina. Ajo bëri një hop në besim duke pranuar të pagëzohej vetëm një muaj më vonë.

Si anëtare e re, ajo u bë automatikisht anëtare e Shoqatës së Ndihmës. Ajo u përqafua nga një bashkësi grash të forta, besnike në Shoqatën e Ndihmës gjatë ndryshimit të saj të jashtëzakonshëm. Ato e ndihmuan të bëhej edhe më e fortë. 

“Pata shumë përkrahje; isha në gjendje të jap përkrahje. Njoha pikat e mia të forta vetjake. Mësova si të bëhem një bashkëshorte dhe nënë e mrekullueshme. Dhe përfundimisht arrita të kuptoj që Perëndia kujdeset për mua, më njeh me emër dhe më do”, tha Armina.

Armina i dha formën të ardhmes së familjes së saj duke u mësuar atyre të kenë besim e t’i studiojnë shkrimet e shenjta. Të tre fëmijët e saj shërbyen në misione kohëplota. Ajo i dha formë edhe të ardhmes së bashkësisë së saj të Kishës duke shërbyer besnikërisht në organizatat e Fillores e Shoqatës së Ndihmës dhe duke dhënë mësim në Shkollën e së Dielës.

“Unë jam mirënjohëse që e kemi këtë sistem në Kishë ku ju mund t’u jepni mësim të tjerëve dhe kështu t’i jepni mësim vetes”, tha ajo.

Këshilltarja e parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, Sheron L. Iubanku, kohët e fundit theksoi se të gjitha gratë mund të jenë udhëheqëse të guximshme në shtëpitë dhe bashkësitë e tyre. Ajo i këshilloi gratë kudo që ta përdorin “lirinë e zgjedhjes dhe zërin e tyre”, për të sjellë ndryshim.  

“Mos prisni për të qenë ndryshimi që kërkoni…sapo mësojmë se [ne]…e kemi fuqinë dhe shpresën dhe energjinë, gjërat ndryshojnë. Jam jashtëzakonisht e fuqizuar nga kjo ide”, tha ajo.

Këtë Mars, fuqia e motrave të Shoqatës së Ndihmës dhe e grave kudo po kremtohet e vlerësohet ngrohtësisht. 

Shoqata e Ndihmës është organizata më e madhe e grave në botë me mbi 7,5 milionë anëtare në 162 vende. Për të gjetur burime shtesë për gratë dhe më tepër informacion mbi Shoqatën e Ndihmës vizitoni https://www.churchofjesuschrist.org/callings/relief-society-organization/?lang=eng