Konferenca e Përgjithshme: Mesazhe Lartësuese nga Udhëheqës të Frymëzuar

Konferenca e Përgjithshme: Mesazhe Lartësuese nga Udhëheqës të Frymëzuar

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme besojnë në premtimin e Jezu Krishtit se “kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mateu 18:20). Dy herë në vit, shenjtorët e ditëve të mëvonshme mblidhen së bashku në një konferencë të përgjithshme mbarëbotërore për të dëgjuar fjalët e profetëve të gjallë (udhëheqësve të frymëzuar), për të adhuruar Jezu Krishtin dhe për të mësuar e për t’u rritur së bashku. Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, konferenca e përgjithshme është një kohë për t’u mbledhur së bashku që të dëgjojnë shërbëtorët e Perëndisë.

Çfarë është Konferenca e Përgjithshme e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Konferenca e Përgjithshme e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme zhvillohet dy herë në vit, në prill dhe në tetor. Konferenca e parë e përgjithshme e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u zhvillua në qershor 1830, pak kohë pasi u organizua Kisha, me më pak se 30 anëtarë të pagëzuar (shih Ryan Morgenegg, “A Brief History of General Conference”, Church News, 3 tetor 2014). Sot, konferenca e përgjithshme zhvillohet në Qendrën e Konferencave në Solt‑Lejk‑Siti, e cila mund të mbajë më shumë se 21 000 njerëz. Në Qendrën e Konferencave shpërndahen bileta falas, por miliona njerëz të tjerë, anëtarë të Kishës dhe jonanëtarë të interesuar, e dëgjojnë dhe e shohin konferencën nëpërmjet internetit, televizionit, satelitit dhe radios. Konferenca e përgjithshme transmetohet në rreth 90 gjuhë dhe përkthehet në gjuhë të tjera pas konferencës (shih “General Conference”).

Gjatë konferencës së përgjithshme, udhëheqës shenjtorë të ditëve të mëvonshme – përfshirë Presidentin e Kishës dhe këshilltarët e tij, anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe udhëheqësit e organizatave ndihmëse në Kishë – flasin gjatë disa sesioneve të konferencës që zhvillohen gjatë një fundjave. Këndojnë edhe The Tabernacle Choir at Temple Square [Kori i Tabernakullit në Sheshin e Tempullit] dhe kore të përbëra nga anëtarë të Kishës.

Për çfarë flasin folësit në konferencën e përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Folësit në konferencën e përgjithshme trajtojnë një larmi temash fetare. Temat e folësve nuk caktohen, por zgjidhen nga vetë folësit në bazë të udhërrëfimit të Shpirtit të Shenjtë (shih “Preparing for General Conference”). Shembuj të temave të diskutuara në konferencën e përgjithshme përfshijnë fuqinë e Jezu Krishtit për të na shëruar, rëndësinë e lutjes, bekimet e dashurisë dhe të shërbimit si të Krishtit, planin e Perëndisë për fëmijët e Tij, dashurinë e Perëndisë, rëndësinë e bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë, rëndësinë e punës misionare dhe bekimet e Librit të Mormonit (shih “General Conference”). Pas konferencës së përgjithshme, bisedat e folësve botohen në revistat e Kishës dhe në internet në kishaejezukrishtit.org.

Në konferencën e përgjithshme, udhëheqësit e Kishës drejtojnë gjithashtu punët e Kishës, paraqesin statistika e raporte të rëndësishme rreth rritjes së Kishës dhe i parashtrojnë emrat e udhëheqësve të Kishës për një votim mbështetës apo kundërshtues nga anëtarësia e përgjithshme e Kishës (shih Doctrine and Covenants Student Manual, bot. 2-të, [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 90).

Në ç’mënyrë mund të mësoj më shumë?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se mundësia për t’i dëgjuar profetët e gjallë në konferencën e përgjithshme sjell shumë bekime. Ata janë mirënjohës për një Atë të dashur Qiellor, i cili i ka dërguar shërbëtorët e Tij për të dhënë mësim rreth Birit të Tij, Jezu Krishtit. Për të mësuar më shumë mbi Atin tonë Qiellor dhe profetët e Tij të gjallë në tokë sot, vizitoni ejanitekrishti.org.