Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës

Latter-day Saints-believe-in-family.jpg
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se martesa dhe familja janë pjesë e planit të Atit tonë Qiellor për fëmijët e Tij.

“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” është një dokument që shpall atë çfarë jep mësim Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për martesën, fëmijët dhe familjen (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Kur ish-Presidenti i Kishës Gordon B. Hinkli e lexoi për herë të parë proklamatën mbi familjen më shumë se 20 vite më parë, anëtarët e Kishës qenë mirënjohës për mësimet e saj të thjeshta e të qarta mbi familjen. Sot më shumë se kurrë, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e vlerësojnë proklamatën mbi familjen si një zbulesë edhe të thellë, edhe thellësisht të nevojshme që shpall standardet e Perëndisë për martesën dhe familjen në një botë në ndryshim të përhershëm (shih Boni L. Oskarson, “Mbrojtëse të Proklamatës së Familjes”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 14–15). Lexoni në vijim për të mësuar më shumë mbi atë çfarë besojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme për martesën dhe familjen.

Çfarë jep mësim dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”?

Proklamata mbi familjen u jep këshilla të veçanta bashkëshortëve, bashkëshorteve, nënave dhe etërve. Ajo jep mësim se “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij” (“Familja”, f. 129). Ajo jep mësim gjithashtu se, përpara se të lindeshim, ne “e njihni[m] dhe e adhuroni[m] Perëndinë si Atin [tonë] të Amshuar” dhe se plani i Perëndisë për përparimin e fëmijëve të Tij kërkonte që ne të vinim në tokë, të merrnim trupa fizikë dhe të ishim në gjendje të ktheheshim e të jetonim me Të dhe me familjet tona pasi të vdesim (“Familja”, f. 129). Mësimet në proklamatën për familjen synojnë t’i ndihmojnë të gjitha familjet – jo vetëm familjet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme – që të jenë të lumtura.

Çfarë besojnë vërtet anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për martesën?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se martesa mes një burri dhe një gruaje është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për fëmijët e Tij. Ata besojnë gjithashtu se bashkëshortët dhe bashkëshortet “kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin” (“Familja”, f. 129). Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, “martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese” (“Familja”, f. 129). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se bashkëshortët e bashkëshortet duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë dhe se ata që nuk ia dalin të kujdesen për familjet e tyre, kryejnë shkelje kurore apo abuzojnë me bashkëshortin/en ose fëmijët, do të jenë përgjegjës para Perëndisë për zgjedhjet e tyre (shih “Familja”, f. 129).

Çfarë besojnë vërtet anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për fëmijët dhe familjen?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në mësimin e proklamatës mbi familjen se “fëmijët kanë të drejtën të linden … brenda lidhjeve të martesës” (“Familja”, f. 129). Ata besojnë gjithashtu se “bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti” (Psalmeve 127:3), në kuptimin që fëmijët janë një bekim nga Perëndia. Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, prindërimi është një përgjegjësi e shenjtë dhe prindërit janë “për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit, të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë” (“Familja”, f. 129). Përgjegjësitë familjare kanë rëndësinë më të lartë për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Në ç’mënyrë mund të mësoj më shumë për atë çfarë besojnë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se familjet nuk janë thjesht një detyrim, por që janë gjithashtu një bekim i madh. Mundësia për të qenë pjesë e një familjeje është një shprehje e dashurisë së Perëndisë për ne dhe Perëndia na ka dhënë familje “për të na ndihmuar që të bëhemi [ata] që Ai dëshiron të bëhemi” (Matthew Neeley, “The Family Is of God”, Friend, tetor 2008, f. 28–29). Për të mësuar më shumë mbi atë çfarë besojnë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe mbi planin e Perëndisë për ju dhe familjen tuaj, vizitoni ejanitekrishti.org.