Doktrina e Besëlidhje: Zbulesa nga Lart

Reading and studying the scriptures
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se [libri] Doktrina e Besëlidhje është një libër i shkrimit të shenjtë që përmban zbulesa të shenjta të marra nga Profeti Jozef Smith dhe profetë të tjerë.

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme besojnë se që të dy, edhe Bibla, edhe Libri i Mormonit janë shkrim i shenjtë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në dy libra shtesë të shkrimit të shenjtë, njëri prej të cilëve titullohet Doktrina e Besëlidhje. Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, “Doktrina e Besëlidhje është një mbledhje e zbulesave hyjnore dhe deklaratave të frymëzuara të dhëna për ngritjen dhe rregullimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë në ditët e fundit” (parathënia për [librin] Doktrina e Besëlidhje). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë mirënjohës për njohurinë se zbulesat e Perëndisë ndaj njerëzimit nuk përfunduan me Biblën.

Çfarë besojnë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth [librit] Doktrina e Besëlidhje?

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua më 6 prill 1830, nga Profeti Jozef Smith (shih DeB 21, kreu i seksionit). Në ditët e hershme të Kishës, si anëtarët edhe udhëheqësit e Kishës ende po mësonin rreth doktrinës, qëllimit dhe organizimit të Kishës së vërtetë të Perëndisë dhe prisnin me ankth që të mësonin vullnetin e Tij. Në historinë e hershme të Kishës shënohet: “Në ato ditë të foshnjërisë së kishës, kishte një shqetësim të madh për ta marrë fjalën e Zotit për çdo çështje që në çfarëdo mënyre kishte te bënte me shpëtimin tonë” (Manuscript History of the Church, vëll. A-1, f. 146, josephsmithpapers.org). Shumica e zbulesave [që gjenden] në Doktrina e Besëlidhje u morën nga Jozef Smithi “në përgjigje të lutjes, në kohët e nevojës dhe [r]rodhën nga situata të vërteta jetësore duke përfshirë njerëz realë” (parathënia për [librin] Doktrina e Besëlidhje). Disa nga zbulesat u morën nga profetë të mëvonshëm të Kishës. Ndërkohë që shumica e seksioneve në [librin] Doktrina e Besëlidhje drejtohen ndaj anëtarëve të Kishës, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Doktrina e Besëlidhje është një përmbledhje “mesazhe[sh], paralajmërime[sh] dhe këshillime[sh] … për të mirën e gjithë njerëzimit” (parathënia për [librin] Doktrina e Besëlidhje).

Çfarë ka të pashoqe [libri] Doktrina e Besëlidhje?

Ndryshe si nga Bibla edhe nga Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje nuk është një përkthim i shkrimit të shenjtë të lashtë. [Libri] Doktrina e Besëlidhje është i pashoq mes librave të shkrimit të shenjtë sepse është zëri i Zotit drejtuar njerëzve që po jetojnë tani, në atë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme e quajnë “ditët e mëvonshme” (shih Doctrine and Covenants Student Manual, bot. 2‑të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 1–2). Ai përfshin “parime dhe procedura në lidhje me qeverisjen e Kishës” në kohën tonë, bashkë me urdhërime, premtime dhe doktrina (Gordon B. Hinckley, “The Order and Will of God”, Ensign, janar 1989, f. 4).

Përveç kësaj, shumë prej zbulesave te [libri] Doktrina e Besëlidhje përmbajnë zërin e Zotit [që flet] në vetën e parë. Zëri i Zotit te Doktrina e Besëlidhje është si i dhembshur, ashtu edhe i paepur. Ai është një zë paralajmërimi drejtuar njerëzve të tokës që të përgatiten përpara Ardhjes së Dytë të Zotit Jezu Krisht (shih parathënien për [librin] Doktrina e Besëlidhje). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se [libri] Doktrina e Besëlidhje përmban “doktrinat e shpëtimit, parimet që do ta sjellin [njerëzimin] te një plotësi e gëzimit” dhe besëlidhjet e shenjta “që janë më të rëndësishme sesa të gjitha thesaret e tokës” (Doctrine and Covenants Student Manual, f. vii).

Në ç’mënyrë mund të mësoj më shumë?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se, përveç daljes në dritë të [librit] Doktrina e Besëlidhje, shumë mrekulli të tjera ndodhën si pjesë e krijimit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Për të mësuar më shumë rreth Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit, vizitoni ejanitekrishti.org.