Blog

A Është për Ju Mbledhja e Sakramentit një Përvojë sikur Keni Arritur Majën e Malit?

Nëse jemi të gatshëm të bëjmë çmos që ta bëjmë të ndodhë, mbledhja e sakramentit mund të jetë ora e javës që presim më me padurim.

Temple on a mountain

Një mëngjes të bukur të diele jo shumë kohë më parë, ndërsa po kthehesha në shtëpi nga Tempulli i Bauntifullit në Jutë, kalova disa çiklistë që po i ngitnin biçikletat me shumë mund në drejtim të kundërt. Ndërsa i shihja duke ngjitur plot mundim atë që mua m’u duk si një e përpjetë e pamundur, mendimi i parë që më erdhi ndër mend, ishte: “Këta duhet të jenë të marrë”. Jam mjaft e sigurt se profeti Isaia kishte tempullin e Bauntifullit në mendje kur tha: “Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve” (Isaia 2:2), sepse ai ndodhet vërtet në majë fare. Dhe ja ku ishin disa çiklistë të marrë që po përpiqeshin të arrinin në majën e atij mali me biçikleta, atë majë që edhe makina ime mezi po e ngjiste. Çfarë u tha mendja?

Pastaj e kuptova. Ndoshta mendonin se përpjekja e tyre e zellshme po i bënte më të fortë. Ndoshta mendonin se arritja në majë do të ishte një përvojë e hatashme për shkak të çmimit që do të paguanin për të shkuar deri atje. Ndoshta mendonin se unë nuk do ta vlerësoja kurrë atë pamje si ata ngaqë nuk po sforcohesha si ata për të shkuar gjer në majë (gjë që, për ironi qe e vërtetë sepse unë as nuk e kisha marrë mundimin t’ia hidhja sytë pamjes derisa ma çuan ndërmend ata). Ndoshta mendonin se gjithë përgatitjet për të shkuar deri në atë pikë, ia vlenin. Ndoshta nuk paskëshin qenë të marrë aspak!

Duke marrë parasysh përvojën që imagjinova për ata çiklistë në majën e atij mali, nisa të mendoj rreth përvojës që shpresoj të kem bashkë me familjen gjatë mbledhjes së sakramentit çdo javë. A përgatitemi dhe a e presim përvojën tonë të përjavshme me Zotin me të njëjtin zell e të njëjtën përpjekje? Kohët e fundit na janë dhënë shumë këshilla rreth rëndësisë që ka ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit. Nga drejtimi i frymëzuar i Presidentit Rasëll M. Nelson gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 2015 deri te trajnimi i veçantë që me shpresë na është bërë të gjithëve në lagjet dhe degët tona, kemi pasur shumë gjëra për të marrë në shqyrtim rreth respektimit të ditës së Shabatit dhe asaj që po bëjmë për ta bërë atë ditë më kuptimplotë çdo javë.

Përgatitja e Përditshme

Nuk jam e sigurt, por ma merr mendja se ata çiklistë nuk hipën befas në biçikletë atë mëngjes e vendosën të ngjitnin malin. Pse? Sepse e di që nëse do ta provoja ta bëja unë këtë, do të dështoja mjerueshëm pas 45 metrash ngjitjeje. Me shumë gjasë, ata bënë përpjekje çdo ditë për t’u stërvitur fizikisht që t’ia dilnin ta ngjitnin malin me biçikletë. Po ashtu, edhe ne nuk mundemi thjesht të dukemi në mbledhjen e sakramentit një herë në javë, të papërgatitur dhe të shpresojmë të kemi një përvojë shpirtërore. Duhet të përgatitemi çdo ditë për këtë.

Zoramitët në Librin e Mormonit shkonin në kishë çdo javë. Por diku përgjatë udhës atyre u humbi nga sytë vetë qendra e ungjillit – Jezu Krishti – dhe “kishin rënë në gabime të mëdha”. Pra ajo që duhej të kishte qenë një përvojë tejet kuptimplotë çdo javë, u bë thjesht një mbledhje çfarëdo ku duhej të merrnin pjesë. Dhe, kur mbaronte mbledhja, ata “kth[eheshin] në shtëpitë e tyre, pa folur më për Perëndinë e tyre, derisa të mblidheshin përsëri tok së bashku” (Alma 31:9, 23).

Për t’i shmangur të njëjtat gabime, ja disa pyetje për t’u marrë parasysh kur i vlerësojmë përgatitjet tona të përditshme për mbledhjen e sakramentit çdo javë:

  • A i kemi bërë të gjitha ato veprimtari “ditën e shtunë – ditën e përgatitjes” që e pakësojnë stresin ditën e Shabatit? Një mikeshë kohët e fundit publikoi në Facebook që për familjen e saj, veprimi i thjeshtë i rreshtimit të të gjithë këpucëve të kishës përgjatë murit dhe vendosjes së të gjitha veshjeve, fjongove dhe kollareve me varëse në dorezat e dyerve të shtunën mbrëma e bën të sigurt një përvojë më kuptimplotë në mbledhjen e sakramentit.
  • A jemi përpjekur t’u mësojmë fëmijëve tanë rëndësinë e nderimit gjatë mbledhjes së sakramentit? Nderimi është më shumë sesa thjesht t’u japësh fëmijëve të vegjël gjëra me të cilat të merren që të rrinë urtë. Nderimi është një ndjenjë dashurie dhe respekti për gjërat e shenjta. Fëmijët e vegjël mund ta mësojnë nderimin me pak inkurajim nga të rritur të mirëbesuar.
  • A ua kemi mësuar mbajtësve të Priftërisë Aarone në shtëpitë dhe kuorumet tona rëndësinë e detyrave të tyre të priftërisë gjatë mbledhjes së sakramentit? Te Doktrina e Besëlidhje 13, mësojmë se Priftëria Aarone mban çelësat e ungjillit të pendimit. A e kuptojmë domethënien e atij roli? Nëpërmjet shërbimit të tyre të shenjtë çdo javë, ata po i ofrojnë secilit prej nesh mundësinë për t’u penduar dhe për të marrë falje nëpërmjet administrimit të sakramentit.
  • A kemi shkuar në shtrat në një orar të arsyeshëm të shtunën mbrëma që të jemi syçelë gjatë mbledhjes të sakramentit?
  • A po bëjmë gjithçka që nevojitet të bëjmë gjatë javës, për ta ftuar Shpirtin në jetën tonë në mënyrë që, kur të vijë e diela, të jemi gati dhe të paduruar për të pasur një përvojë kuptimplotë me Zotin gjatë mbledhjes së sakramentit?
  • A jemi gati ta vlerësojmë qëndrimin dhe sjelljen tonë vetjake dhe të komunikojmë vërtet me Shpëtimtarin gjatë administrimit të sakramentit?

Në sesionin e grave në konferencën e fundit, Motra Linda S. Rivs u kujtoi motrave me guxim se “novelat romantike joshëse, telenovelat në televizor, gratë e martuara dhe të dashur të së kaluarës që lidhen në median shoqërore dhe pornografia” janë disa prej mjeteve të shumta që Satani i përdor për të na penguar të përgatitemi për përvojat shpirtërore që kërkojmë. Për gjëra të tilla ajo na këshilloi: “Kur ne jemi të përfshirë në shikimin, leximin ose përjetimin e çfarëdo gjëje që është nën standardet e Atit tonë Qiellor, ajo na dobëson. Pavarësisht nga mosha juaj, nëse ajo që shikojmë, lexojmë, dëgjojmë, ose zgjedhim të bëjmë, nuk i përmbush standardet e Zotit në broshurën Për Forcën e Rinisë, fikeni, flakeni, griseni dhe përplaseni derën fort.”

Gati për t’u Nisur

Çiklistët që vëzhgova, qenë të përgatitur në çdo mënyrë për një ngjitje të suksesshme me biçikletë. Me veshjen e duhur, mjetet e duhura mbrojtëse dhe pajisjet e duhura, ata qenë gati për të ngjitur malin. Kur ne mbërrijmë në shtëpinë e mbledhjeve për mbledhjen e sakramentit çdo javë, a jemi po aq të përgatitur për një përvojë shpirtërore?

Ja disa pyetje për t’u marrë parasysh kur i vlerësojmë përpjekjet tona për të kontribuar në një mbledhje kuptimplotë sakramenti:

  • A vijmë të veshur në një mënyrë që përputhet me dëshirën tonë për të treguar respekt dhe dashuri për Zotin?
  • A kemi ardhur me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, me padurimin për t’u penduar dhe mësuar nga Fryma e Shenjtë?
  • A mbërrijmë herët dhe i kufizojmë bashkëbisedimet në ndërtesën kishtare për ta mbajtur atë ndjenjë nderimi që duhet të ekzistojë atje? Kur e dëgjojmë muzikën para fillimit të mbledhjes në qetësi, kjo është një mënyrë e shkëlqyer për t’u përgatitur për mbledhjen.
  • A kujdesemi për pijet dhe shkuarjet në tualet përpara se të fillojë mbledhja?
  • A jemi përpjekur t’i minimizojmë të gjitha shpërqendrimet, përfshirë pajisjet elektronike, veçanërisht gjatë administrimit të sakramentit? Plaku Dallin H. Ouks ka dhënë mësim: “Kur marrim sakramentin, bëjmë një besëlidhje të shenjtë që do ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin. Sa e trishtueshme është të shohësh persona që e shkelin dukshëm atë besëlidhje në po atë mbledhje ku po e bëjnë atë.”
  • A merremi me shpërqendrimet e fëmijëve të vegjël në mënyra të efektshme? Për shkak se Kisha gjithçka e përqendron te familja, fëmijët e vegjël do të jenë gjithmonë një faktor në shërbesat e sakramentit. Por mund të vijmë të përgatitur të merremi me shpërqendrimet. Nëse fëmijët janë tanët, mund t’i nxjerrim jashtë që të kontribuojmë te nderimi i përgjithshëm gjatë mbledhjes. Nëse fëmijët nuk janë tanët, mund t’i heqim nga mendja shpërqendrimet e vogla, pa gjykim ose padurim, ose madje duke ofruar një dorë ndihmëtare nëse është e përshtatshme.
  • A i këndojmë himnet e përzgjedhura me nderim dhe respekt? Himnet janë një pjesë përbërëse e adhurimit kuptimplotë dhe ne mund ta ftojmë Shpirtin dhe të mësojmë prej Tij me më shumë efektshmëri kur marrim pjesë.
  • A presim një përvojë shpirtërore gjatë mbledhjes së sakramentit dhe qëndrojmë syçelë dhe të vëmendshëm gjatë administrimit të sakramentit dhe bisedave?
  • A e shohim administrimin e sakramentit si çastin më të çmuar të javës? Nëpërmjet kësaj ordinance të shenjtë, Shpëtimtari ofron falje, forcë dhe një mundësi për t’i kujtuar besëlidhjet që kemi bërë.

Si në pjesën më të madhe të gjërave në jetë, secili prej nesh do të marrë nga përvoja e vet në mbledhjen e sakramentit pikërisht atë që kërkon. Nëse shkojmë duke pritur gjëra të zakonshme ose të mërzitshme, me siguri që do ta gjejmë atë për të cilën erdhëm. Por nëse shkojmë çdo javë duke kërkuar sinqerisht një përvojë shpirtërore, një përvojë ku mund të komunikojmë me Atin tonë në Qiell dhe me Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe jemi të gatshëm të bëjmë përpjekje për ta arritur këtë, do të zbulojmë se gjatë përafërsisht një ore çdo javë, ne po përjetojmë një përvojë sikur kemi arritur në majë të malit e cila na shtyn të themi: “Po, ia vlejti gjithçka që bëra për të arritur gjer këtu”.

Nëse do të donit të mësonit më shumë rreth përmirësimit të përvojës suaj në mbledhjen e sakramentit, lexoni bisedën e Plakut Dallin H. Ouks “Mbledhja e Sakramentit dhe Sakramenti” ose bisedën e Presidentit Rasëll M. Nelson “Worshiping at Sacrament Meeting” [“Adhurimi në Mbledhjen e Sakramentit”], ose shihni materialin filmik “Purposes of Sacrament Meeting” [“Qëllimet e Mbledhjes së Sakramentit”]. Për disa sugjerime të tjera vërtet të shkëlqyera, lexoni artikullin “Getting the Most Out of Sacrament Meeting” [“Të Marrësh Maksimumin nga Mbledhja e Sakramentit”].