
Peshkopatat dhe presidencat e degëve kanë përgjegjësi të shumta që mund të delegohen. Por ato nuk mund ta delegojnë përgjegjësinë për mbledhjet e sakramentit. Përgjithësisht, kryesojnë dhe rrjedhimisht janë përgjegjëse për shpirtin si dhe për përmbajtjen e këtyre mbledhjeve. Prandaj, mësimi im mbi mbledhjet e sakramentit do t’u interesojë veçanërisht peshkopëve, presidentëve të degëve dhe këshilltarëve të tyre, si dhe anëtarëve të Kishës që marrin pjesë në këto shërbesa të përjavshme.
Themeli Doktrinor
Mbledhja e sakramentit është mbledhja e një lagjeje ose dege në të cilën shkojmë si familje, që është njësia bazë e Kishës. Familjet dhe anëtarët duhet të vijnë mjaft kohë përpara se të fillojë mbledhja e sakramentit. Ne shkojmë në mbledhjen e sakramentit, sikurse urdhëroi Zoti, për të marrë sakramentin dhe për të përtërirë besëlidhjet.
Ai e vendosi sakramentin për të na kujtuar Shlyerjen e Tij. Ndërkohë që darkës së fundit dhe të përgatitur posaçërisht të Pashkës po i afrohej fundi, Jezusi mori bukën, e bekoi dhe e copëtoi dhe ua dha Apostujve të Tij duke thënë: “Merrni, hani” (Mateu 26:26). “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim” (Lluka 22:19). Më pas, Ai mori kupën, tha një bekim falënderimi dhe ia kaloi atë atyre që qenë mbledhur rreth Tij, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim” (Lluka 22:20), “i cili është derdhur … për faljen e mëkateve” (Mateu 26:28). “Bëni këtë … në përkujtimin tim. Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit” (1 Korintasve 11:25–26). Kështu, Ai e lidhi sakramentin me Kryqëzimin e Tij të afërt.
Perëndia kishte shpallur: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Më pas, Biri i Perëndisë e dha jetën e Vet me vullnet të lirë për të përmbushur vullnetin e Atit të Tij. Në këtë mënyrë, pavdekësia u bë realitet dhe jeta e përjetshme u bë një mundësi për të gjithë ata që do të jetonin në tokë.
Ne e përkujtojmë Shlyerjen e Tij në një mënyrë shumë personale. Në mbledhjen e sakramentit, sjellim një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Ajo është pika kulmore e respektimit të ditës së Shabatit (shihni te DeB 59:8, 13).
Lutjet e sakramentit janë zbuluar nga Zoti. Këto lutje përfshijnë besëlidhje dhe një premtim (shihni te DeB 20:77, 79). Ne besëlidhim që ta marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. E hamë bukën e copëtuar në përkujtim të trupit të Tij. E pimë ujin në përkujtim të gjakut të Tij që u derdh për ne. Dhe dëshmojmë se do ta kujtojmë Atë gjithmonë. Premtimi është se do ta kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me vete. Çfarë bekimi!
Planifikimi i Mbledhjes së Sakramentit
Me këto doktrina në mendje, peshkopatat dhe presidencat e degëve duhet t’i planifikojnë mbledhjet e sakramentit me kujdes në mënyrë që t’i mbajnë mbledhjet të përqendruara te Zoti dhe Shlyerja e Tij, te shembulli i Tij dhe te doktrinat e ungjillit.
Ftesat për të folur duhet të bëhen mjaft kohë përpara dhe të përfshijnë një përshkrim të qartë të temës dhe kohës së caktuar, së bashku me një ofrim për ta ndihmuar folësin/en. Tek ata të cilëve u kërkohet të bëjnë lutje, duhet të përfshihen anëtarët që nuk caktohen shpesh. Shmangini modelet e lutjeve që bëhen nga një bashkëshort dhe bashkëshorte në të njëjtën mbledhje. Kjo në mënyrë të paqëllimtë përçon një mesazh përjashtimi tek ata që janë të pamartuar. Dhe mos e harroni: lutjet nuk janë predikime.
Misionarëve që do të largohen për në mision, mund t’u jepet mundësia të flasin në një mbledhje sakramenti. Pjesëtarëve të familjes dhe miqve të misionarit/es nuk u bëhet ftesë për të folur. Në të njëjtën shërbesë mund të flasin dy ose më shumë misionarë që do të largohen. Misionarëve të kthyer që kanë shërbyer me nder, duhet t’u bëhet ftesë për të folur në mbledhjen e sakramentit dhe t’u jepet kohë për të treguar përvoja shpirtërore dhe për të dhënë dëshmi.
Mbledhjet e sakramentit lënë vend që t’u jepet mundësia të rinjve dhe të rejave të flasin shkurtimisht mbi temat e ungjillit që u janë caktuar. Herë të tjera, presidenti i kunjit do të caktojë këshilltarë të lartë që të flasin.
Anëtarët mund të thirren që të shërbejnë si mirëpritës te dera dhe si shoqërues. Ata mund t’u urojnë mirëseardhjen atyre që vijnë për adhurim, dhe t’i ndihmojnë të rehatohen, ndërkohë që lënë disa karrige në fund të sallës me vendkalim të lirë për njerëzit me nevoja të veçanta.
Materialet zanore e pamore të tilla si videokasetat dhe diapozitivët nuk duhet të përdoren në mbledhjen e sakramentit.
Me raste, anëtarët mund të mos jenë në gjendje të vijnë për shkak të sëmundjeve. Në raste të tilla, peshkopi ose presidenti i degës mund të caktojë mbajtës të priftërisë për t’ua administruar atyre sakramentin kur kanë zënë shtratin.
Një mbledhje e zakonshme sakramenti do të përfshijë:
- Muzikën para fillimit të mbledhjes (preludi).
- Një urim mirëseardhjeje dhe falënderimi për autoritetin kryesues dhe përfaqësuesin nga këshilli i lartë, nëse është caktuar.
- Një himn dhe lutje të hapjes.
- Punët e lagjes ose degës, të tilla si:
– Lirimi dhe mbështetja e drejtuesve dhe mësuesve.
– Përgëzimi për fëmijët që mbarojnë Filloren, për anëtarët e thirrur në misione ose detyra të tjera, për arritje të të rinjve dhe të rejave.
– Paraqitja e emrave të vëllezërve që do të marrin Priftërinë Aarone ose do të përparojnë në të, paraqitja e emrave të anëtarëve të rinj të lagjes ose degës.
- Konfirmimin e anëtarëve të rinj.
- Himnin e sakramentit dhe administrimin e sakramentit.
- Mesazhe nga ungjilli dhe muzikë shtesë sipas dëshirës.
- Një himn dhe lutje të mbylljes.
- Muzikën pas mbylljes.
Ata që do të lirohen dhe mbështeten, nuk ka pse të paraqiten individualisht. Ata mund të propozohen si grupe, në fillim ata që do të lirohen, pastaj ata që do të mbështeten në priftëri dhe ata që do të mbështeten për thirrje në organizatat ndihmëse.
Mbledhjet e sakramentit duhet të fillojnë dhe të mbarojnë në orar dhe nuk duhet të mbingarkohen. Nuk ka pse të zhvillohen mbledhje për lutje përpara mbledhjes së sakramentit. Ata që do të marrin pjesë, duhet të ulen të paktën 5 minuta përpara se të fillojë mbledhja në mënyrë që të jenë të përgatitur shpirtërisht për një përvojë plot adhurim. Gjatë atij intervali të qetë, luhet muzika para fillimit të mbledhjes. Kjo nuk është koha për të bashkëbiseduar ose shkëmbyer mesazhe, por një periudhë meditimi plot lutje ndërsa udhëheqësit dhe anëtarët përgatiten shpirtërisht për sakramentin.
Muzika
Himnet e Kishës janë muzika bazë për shërbesat e adhurimit dhe standardi për të kënduarit në bashkësi. Mund të përdoren përzgjedhje të tjera muzikore për muzikën që luhet para fillimit dhe pas mbarimit të mbledhjes, muzikën e korit dhe përzgjedhje të veçanta muzikore. Himnet e hapjes dhe të mbylljes zakonisht këndohen nga bashkësia. Himni i sakramentit këndohet gjithmonë nga bashkësia.
Idealja është që çdo njësi e Kishës të ketë një kor, të cilit i bëhet ftesë të këndojë herë pas here. Një kor mund të bëhet bekim për jetën e të gjithëve. Motra Nelson dhe unë kemi kujtime të shtrenjta nga pjesëmarrja jonë, vite më parë, në korin e degës sonë të vogël në Mineapolis të Minesotës. Kur ne dhe të tjerët dilnim përpara për të kënduar, kishte më shumë anëtarë në kor sesa nga ata që mbeteshin në sallë.
Pianot, organot, apo të barasvlershmet e tyre elektronike janë instrumentet standarde që përdoren në mbledhjet e Kishës. Në qoftë se përdoren instrumente të tjera, përdorimi i tyre duhet të jetë në harmoni me frymën e mbledhjes. Instrumentet me tinguj të zhurmshëm apo më pak të përshtatshme për adhurim, të tilla si veglat frymore dhe veglat me perkusion, nuk janë të përshtatshme për mbledhjen e sakramentit. Në qoftë se nuk ka piano, organo apo shoqërues muzike, mund të përdoren regjistrime të përshtatshme për shoqërim.
Kënga e të drejtëve është një lutje për Zotin (shihni te DeB 25:12). Disa anëtarë duket se ngurrojnë të këndojnë, mbase nga frika. Secili prej nesh duhet ta harrojë frikën dhe të këndojë si një mundësi për t’i thurur lavde Krijuesit tonë plot lutje. Muzika në mbledhjen e sakramentit është për adhurim, jo për të dhënë shfaqje. Nuk duhet ta lëmë muzikën e shenjtë të na ikë nga duart dhe as të lejojmë muzikën jofetare të na e zëvendësojë atë.
Drejtimi i Mbledhjes së Sakramentit
Peshkopatat dhe presidencat e degëve kanë përgjegjësinë jo vetëm që t’i planifikojnë këto mbledhje, por edhe t’i drejtojnë ato. Ato duhet ta bëjnë këtë me nderim. Disa njerëz në bashkësi po luten për nxitje dhe komunikim të butë nga qielli. Krijimi i një fryme nderimi do t’i ndihmojë ata që t’i marrin këto nxitje. Kujtoni që nderimi fton zbulesën.
Ata që drejtojnë mbledhjen, e nisin duke bërë një përshëndetje të përzemërt. Është më e përshtatshme që lajmërimet e hollësishme të jepen në një çast tjetër. Për shkak se i ftojmë të gjithë njerëzit të vijnë te Krishti, miqtë dhe fqinjët janë përherë të mirëpritur, por prej tyre nuk pritet ta marrin sakramentin. Megjithatë, kjo nuk është e ndaluar. Ata zgjedhin vetë. Shpresojmë që të sapoardhurit do t’i bëjmë të ndihen gjithmonë të dëshiruar dhe të qetë mes nesh. Fëmijët e vegjël, si përfitues pa mëkat të Shlyerjes së Zotit, mund ta marrin sakramentin, ndërsa përgatiten për besëlidhjet që do t’i bëjnë më tej në jetë.
Mbledhjet tona duhet të drejtohen gjithnjë sipas orientimit të Shpirtit (shihni te DeB 46:2). Me raste, mund të dalë diçka e papritur që një drejtues kryesues mund të dojë ta sqarojë ose korrigjojë, sipas nxitjes nga Shpirti. Përndryshe, nuk bëhet asnjë koment shtesë pasi të ketë folur folësi i fundit.
Administrimi i Sakramentit
Peshkopatat dhe presidencat e degëve e kryesojnë Priftërinë Aarone nëpër lagje dhe degë. Ata, së bashku me këshilluesit e kuorumeve, do të marrin çdo lloj mase për t’u siguruar që sakramenti të përgatitet para mbledhjes dhe që shpërndarja e sakramentit të jetë planifikuar gjerë e gjatë. Ata që e administrojnë sakramentin, duhet të kenë paraqitjen më të mirë të mundshme dhe të kenë veshje të përshtatshme. Këmishët e bardha jo vetëm që duken bukur, por janë dhe një kujtues i ëmbël i riteve të tjera të shenjta, si ordinanca e pagëzimit dhe ordinancat e tempullit, tek të cilat vishen veshje të bardha.
Lutjet e sakramentit duhet të ofrohen në mënyrë të kuptueshme sepse ai që lutet, po u jep zë besëlidhjeve që po bëjnë të tjerët. Nga ata që kanë privilegjin të bekojnë sakramentin, pritet pastërti dhe dëlirësi në zemër. Autoriteti kryesues e merr sakramentin i pari.
Mbledhja e Agjërimit dhe Dëshmive
Mbledhjet e agjërimit dhe të dëshmive zhvillohen një herë në muaj, zakonisht të dielën e parë. Në përgjithësi, atë ditë bekohen edhe foshnjat. Pas sakramentit, vëllai që drejton, jep një dëshmi të shkurtër. Ai më pas i fton anëtarët të japin dëshmi të shkurtra e të ndiera për Shpëtimtarin, për mësimet e Tij dhe për Rivendosjen. Prindërit dhe mësuesit duhet t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë se çfarë është një dëshmi dhe që ta shprehin atë atëherë kur është e përshtatshme. Fëmijët më të vegjël duhet të mësojnë të japin dëshmi në shtëpi ose në Fillore derisa të jenë aq të rritur sa duhet për të dhënë një dëshmi të përshtatshme pa ndihmë në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive.
Pjesëmarrja Vetjake
Çdo anëtar i Kishës mban përgjegjësi për pasurimin shpirtëror që mund të vijë nga një mbledhje sakramenti. Secili duhet të këndojë me një zemër mirënjohëse dhe të përgjigjet me një “amen” të dëgjueshëm në përfundim të një lutjeje ose dëshmie. Ne e përsiatim personalisht Shlyerjen e Jezu Krishtit. Reflektojmë mbi domethënien e vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe gjatë Kryqëzimit të Tij në Kalvar. Gjatë kësaj kohe, secili prej nesh duhet të “shqyrtojë vetveten” (1 Korintasve 11:28) dhe të reflektojë për besëlidhjet vetjake që ka bërë me Zotin. Gjatë kësaj kohe, meditojmë për gjërat e shenjta të Perëndisë.
Me mirënjohje, e falënderoj Zoti për mbledhjen e sakramentit dhe për gjithë kuptimin që ka pasur ajo në jetën time. Ajo ma ka rindezur vazhdimisht besimin dhe më ka lejuar t’i përtërij besëlidhjet javë pas jave, duke më ndihmuar mua dhe motrën Nelson që të jetojmë dhe ta rritim familjen në dritën e lavdishme të ungjillit.