Atleti Francez do të Vrapojë nga Bregu në Breg nëpër Amerikë për një Kauzë

Man Walking
USA Map
Një hartë e udhëtimit pesë mujor dhe 6000-kilometërsh.

I ati i Andre Belibi Elumusë hëngri të brendshme të pagatuara delesh, eci nëpër territorin e luanëve në Afrikë dhe notoi dymbëdhjetë orë për të imigruar nga Kameruni drejt Francës në vitin 1971. Për ta nderuar atë kujtim, Elumuja do të vrapojë 5771 kilometra (3607 milje) nga Nju-Jorku në Los-Anxhelos midis nëntorit 2019 dhe marsit 2020.

Kur u pyet se përse po e provonte një vepër të tillë Elumu shpjegoi: “Kjo garë i kushtohet atit tim dhe në një shkallë më të madhe imigrimit njerëzor.”

Për udhëtimin e atit të tij u deshën tre vjet, vetëm pesëdhjetë euro dhe një besim i fortë në Perëndi. Elumuja shpjegon se vrapimi i tij, i cili do të zgjatë mbi pesë muaj, do të kërkojë një besim dhe vendosmëri të ngjashme. “E di që Perëndia më bën të vazhdoj dhe e di që do të jetë në rregull.”

Pas një vrapimi të ngjashëm nga Sherburgu i Francës për në Rabat, Marok në 2018-ën, Elumuja vendosi të zgjerohej drejt Amerikës dhe do të bashkëpunojë me Agjencinë e Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara (UNHCR). “Kjo garë quhet vrapimi i SHBA-së mbi imigrimin sepse SHBA-ja ka si karburant të ekonomisë imigrimin”, shpjegon ai. Ai citon evropianët, skllevërit, spanjollët dhe kinezët si shembuj të imigrantëve, së bashku me pionierët e hershëm të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Man Walking
Andre Elumuja duke vrapuar në Spanjën jugore pas 1500 miljesh.

Nga më shumë se njëqind ndalesa, vrapimi i SHBA-së mbi imigrimin do të përfshijë qytete pionierësh të Kishës përfshirë Seint-Luisin, Misurin dhe Solt-Lejk-Sitin në Jutë. Elumuja thotë se ai e planifikoi udhëtimin e tij pesë mujor gjatë dimrit sepse shumë pionierë udhëtuan përmes dëborës për të arritur në vendmbërritjet e tyre perëndimore.

Prindërit e Elumusë u bashkuan me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në 1978-ën. Ai kujton se ati i tij ishte shumë besimtar dhe se e frekuentoi kishën çdo javë derisa ndërroi jetë. Zotimi fetar i të atit e frymëzoi Elumunë dhe ai e përdor këtë për të ushqyer pasionin e tij për vrapimin.

“Perëndia më dha një dhunti … . Jam i fiksuar mbas të qenit në formë. Por kjo nuk ka rëndësi sepse ti e humb formën tënde sportive në një pikë. Dhe ky është çasti kur Jezu Krishti vjen dhe bën pjesën tjetër. Unë kam frikë por ende vazhdoj, duke e ditur se Perëndia do të më mbajë të sigurt.” Për më tepër, Elumuja ka në plan t’i marrë të dielat pushim nga vrapimi dhe të frekuentojë kishën dhe të bëjë takime inkurajuese rreth vatrës.

Elumuja i nxit të tjerët të rendin pas ëndrrave të tyre. “Nëse ke një ëndërr, nëse e vë besimin tënd në Perëndi, gjithçka është e mundur,” shpjegon ai. “Kundërshtimi do t’ju presë rrugën majtas e djathtas, por duhet të këmbëngulni. Çast mbas çasti. Edhe nëse hasni vështirësi, vazhdoni përpara.”

Të gjithë janë të ftuar të bashkohen duke vrapuar, me biçikletë ose duke e ndjekur përparimin e Elumusë në mediat shoqërore. Pjesëmarrësit mund të marrin përditësime në kohë reale në faqen e Facebook-ut Andre Extreme Runner