Frankfurt‑mbi‑Majn, Gjermani

Artur Uinteri: “Një nga dhuratat e mëdha të Britanisë për punën e Kishës”

Artikulli i parë i serisë “Çastet Kulmore dhe Mrekullitë: Trashëgimia e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Europë”

Kjo është historia e parë nga gjashtë historitë e një serie të titulluar “Çastet Kulmore dhe Mrekullitë: Trashëgimia e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Europë”.  Çdo histori u hulumtua dhe hartua nga Xhejms Peri, Doktor Shkencash, Anëtar i Akademisë së Arsimit të Lartë, historian dhe shkrimtar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Libri i ardhshëm “Saints – volume 3” [“Shenjtorët – vëllimi 3”] do të përfshijë shumë histori dhe ngjarje të tjera në lidhje me themelimin e Kishës në Europë.

Trashëgimia e shërbimit në Kishë të Artur Uinterit filloi në Angli kur në moshën 16‑vjeçare, një javë pas pagëzimit të tij, iu kërkua të shërbente në një detyrë vullnetare si nëpunës për bashkësinë e tij. Më vonë, aftësia e tij për të shkruar me stenografi do ta çonte në një jetë të tërë shërbimi në Kishë dhe krijimin e marrëdhënieve personale me katër presidentë të Kishës: Uillford Udrafin, Lorenco Snoun, Jozef F. Smithin dhe Hibër J. Grantin. Si gazetar dhe stenograf zyrtar, ai regjistroi informacione të rëndësishme historike për Kishën. Kontributet e tij, ashtu si të shumë prej shenjtorëve të tjerë të hershëm të ditëve të mëvonshme, e çuan përpara punën e Kishës në Europë dhe jashtë saj.

Në gusht të vitit 1916, Artur Uinteri mori pjesë në varrimin e djalit të tij, Xhorxhit, i cili ishte djali i vogël dhe i fundit i Arturit. Që të gjashtë djemtë e tij kishin vdekur në moshën e fëmijërisë ose adoleshencës në rrethana tragjike. Pesëdhjetë e dy vjeçari me vendlindje Notingamin, mbërriti në Jutë në vitin 1883 dhe u martua me Hana Bathuein, një shenjtore e re e ditëve të mëvonshme e kthyer në besim nga Suansi i Uellsit, në Tempullin e Loganit në dhjetor 1885. Tetë fëmijët e tyre përfshinin dy bija, Rozanën dhe Ruthin, dhe ata e bënë shtëpinë e tyre në Solt-Lejk-Siti.

Artur Uinteri në vitin 1884
Artur Uinteri në vitin 1884

Arturi lindi në Notingam në vitin 1864 dhe pas disa vitesh shkollimi, në moshën 13‑vjeçare, filloi të punonte në një magazinë dantelle bashkë me një shok, Xhon Uellsin. Arturi nuk kishte interes për fenë dhe nuk i linin mbresa kishat që frekuentonte.  Më në fund e njohën me Kishën dhe ai mori pjesë në një mbledhje me të atin. Arturit iu rrit interesi për ungjillin dhe shpejt pas kësaj u pagëzua bashkë me nënën dhe motrën.  Megjithatë, babai i tij, nuk ishte më i interesuar për mesazhin e ungjillit dhe disa nga vëllezërit e tij e përndoqën për vendimin për t’u bashkuar me Kishën. Më 1 nëntor 1880, një javë pas pagëzimit, Arturi u thirr si nëpunës dege.

Arturi filloi t’ia predikonte ungjillin shokut të tij, Xhonit, i cili në fillim bëri qëndresë, por më në fund mori dëshminë e tij dhe u pagëzua. Të dy djemtë ishin shokë të ngushtë dhe në moshën katërmbëdhjetëvjeçare vendosën të mësonin stenografinë Pitman. Ata menduan se ajo do t’i ndihmonte në të ardhmen dhe të dy djemtë i kaluan mbrëmjet duke studiuar nga një libër. Të rinjtë do ta shkëmbenin librin çdo ditë që të mund ta lexonin me radhë. Kjo ishte një aftësi që do të ishte e paçmueshme në ngritjet e tij të ardhshme në detyrë.

Tetëmbëdhjetë muaj më vonë u organizua një shoqatë traktesh fetare në Notingam dhe më vonë në po atë vit Arturi u bë këshilltar në Presidencën e Degës dhe President i Shoqatës së Trakteve.  Shoqatat e Trakteve u organizuan në të gjithë Misionin e Britanisë në periudha të ndryshme me qëllim shpërndarjen e fjalës së shkruar me energji të përtërirë.  Anëtarët dhe misionarët punuan për të shpërndarë trakte të shkurtra letre për të nxitur interesin për Kishën dhe për t’i ndihmuar misionarët të gjenin njerëz që t’u jepnin mësim. Në fund të vitit 1882, u krijua në Notingam Shoqata e parë e Përmirësimit të Ndërsjellë të Të Rinjve dhe Arturi u bë këshilltar përveç thirrjeve të tij të tjera. 

Arturi u lirua nga thirrjet e tij pak muaj më vonë kur ai, së bashku me nënën dhe dy motra, u larguan nga Liverpuli në prill të vitit 1883 për në Jutë. Babai i tij lejoi një pjesë të familjes të emigronte, por kishte humbur çdo interes për Kishën dhe do të qëndronte në Notingam. Arturi ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur familja Uinter mbërriti në Jutë. Fatkeqësisht, kushtet ishin të vështira dhe për disa muaj ai ishte i papunë. Në gusht 1883, Arturi i shpenzoi 25 centët e tij të fundit për një kuti konservash me molusqe deti për familjen e tij. Të paktën do të kishin ushqim të mirë me paratë e fundit. Po atë mbrëmje, Arturi mori lajmin se të nesërmen duhej të paraqitej në zyrat e Kishës. Arturi u punësua si djalosh që kryente porositë për administratorët e Kishës dhe pak më shumë se një javë më vonë u bë reporter për Kishën deri në vitin 1907.  I riu arriti ta njihte personalisht çdo Profet nga Uillford Udrafi te Hibër J. Granti dhe ishte stenografi zyrtar i Kishës. 

Nëpërmjet punës së tij, Arturi pati privilegjin të udhëtonte në mbarë Kishën dhe të ishte i pranishëm në ngjarje të rëndësishme. Arturi ishte me Presidentin Lorenco Snou kur ai dha bisedën e tij të mirënjohur për të dhjetën në Seint‑Xhorxh të Jutës në maj 1899.  Në vitin 1902 ai u bë sekretar i Bordit të Kishës për Arsimimin.  Në vitin 1905 Arturi udhëtoi me Presidentin Jozef F. Smith në Sheron të Vermontit për zbulimin e një monumenti për kremtimin e lindjes së Profetit Jozef Smith.  Ai gjithashtu mori pjesë në përkushtimin e Tempullit të Havait në vitin 1919.  Me raste, Arturi foli në transmetimin javor në radio të Kishës dhe dha biseda në Tabernakull.  Ndoshta ngjarja më domethënëse në të cilën u përfshi Arturi, ishte përkushtimi i Tempullit të Solt-Lejkut në të cilën ai ishte reporteri zyrtar.

Arturi ishte në ballë të risive në Kishë. Në vitin 1897, ai ndihmoi Presidentin Uillford Udraf të regjistronte dëshminë e tij në një “makineri që flet”. Arturi ishte gjithashtu i pari që i përdori makinën e shkrimit dhe telefonin në zyrat e Kishës.

Në vitin 1930, Arturit iu ngarkua detyra që të bënte një vizitë në bashkësitë e Kishës në Europë tok me Xhon Uellsin, shokun e tij të vjetër dhe në atë kohë Këshilltar i Dytë në Peshkopatën Kryesuese.  Të dy burrat vizituan Francën, Anglinë, Gjermaninë, Austrinë, Danimarkën, Suedinë, Norvegjinë, Holandën dhe Çekosllovakinë ku vizituan anëtarët, inspektuan dokumentet dhe mblodhën vëzhgime rreth kushteve të vendeve të ndryshme.  Së bashku, ata i frymëzuan dhe iu drejtuan shenjtorëve duke përdorur historitë e tyre vetjake të kthimit në besim si provë e së mirës që mund të vijë nga të vepruarit me besim dhe të qenit të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë.

Nga e majta në të djathtë: Presidenti i Misionit të Europës, Xhon A. Uidso; Presidenti i Misionit të Zvicrës dhe Gjermanisë, Fred Taxhi; Peshkopi Xhon Uells, Këshilltar i Dytë në Peshkopatën Kryesuese; Motra Beki Almond, Solt-Lejk-Siti, Jutë; Motra Lia D. Uidso, Presidente e Shoqatave të Ndihmës të Misionit të Europës, Plaku Artur Uinter, nga zyra e Presidencës së Parë.
Nga e majta në të djathtë: Presidenti i Misionit të Europës, Xhon A. Uidso; Presidenti i Misionit të Zvicrës dhe Gjermanisë, Fred Taxhi; Peshkopi Xhon Uells, Këshilltar i Dytë në Peshkopatën Kryesuese; Motra Beki Almond, Solt-Lejk-Siti, Jutë; Motra Lia D. Uidso, Presidente e Shoqatave të Ndihmës të Misionit të Europës, Plaku Artur Uinter, nga zyra e Presidencës së Parë.

Disa vjet më vonë, ndërsa vizitoi Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1937 për kremtimet e njëqindvjetorit të Misionit të Britanisë, ai përsëri dha dëshminë e tij:

“Dëshmia ime për ju, vëllezërit dhe motrat e mia, është se kjo është puna e Zotit. Kjo është Kisha e vërtetë dhe do të vijë koha kur të gjithë njerëzit, mbarë bota, do ta marrin vesh se kjo është me të vërtetë Kisha e Krishtit. Nuk është Kisha e Jozef Smithit, nuk është Kisha e Brigam Jangut. Nuk është një Kishë amerikane, nuk është një Kishë britanike. Është Kishë mbarëbotërore. Është Kisha e Perëndisë.”

Pas dëshmisë së tij, Presidenti J. Ruben Klark, i Presidencës së Parë, foli dhe e nderoi Arturin:

“Do të doja të thosha diçka rreth Vëllait Uinter, i cili sapo iu foli. Ai ka qenë një nga dhuratat e mëdha të Britanisë për punën e Kishës. Do të doja të thosha se Vëllai Uinter është shquar për besnikërinë e tij. … Asnjë mbreti nuk iu shërbye me besnikëri më të vërtetë ose më të madhe, madje deri në vdekje, krahasuar me shërbimin që ka treguar Vëllai Uinter ndaj Autoriteteve të Kishës me të cilët ka punuar.”

Arturi ndërroi jetë tre vjet më vonë në vitin 1940 pas 57 vjetësh punësimi në Kishë. Duke e nisur nga fillime të përulura, ai vazhdoi dhe arriti të kishte një karrierë produktive dhe të suksesshme që është thuajse e pashembullt në Kishë.  Ai u ul në bordet e punëve të spikatura dhe të Universitetit “Brigam Jang”, regjistroi mesazhe profetike dhe u përfshi në disa nga ngjarjet më domethënëse në historinë e Kishës gjatë shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë.

Nga ditët e hershme të Kishës deri në ditët e sotme, shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë nga koha, talentet dhe aftësitë e tyre për punën e Kishës në Europë. Nëse keni njohuri të tjera rreth Artur Uinterit apo një përvojë vetjake të një anëtari/eje të Kishës kontributet e të cilit/së cilës do të ishin me interes për të tjerët në Zonën e Europës, ju lutemi, dërgojeni informacionin ose historinë tuaj te EUAChurchHist@ChurchofJesusChrist.org