Frankfurt-mbi-Majn, Gjermani

Vëllimi i ardhshëm nr. tre “Saints” [“Shenjtorët”] sjell në vëmendje historinë e Kishës në Europë

Kontributet e shenjtorëve të hershëm të ditëve të mëvonshme e forcojnë besimin ndër breza

Vëllimi i ardhshëm nr. tre “Saints” [“Shenjtorët”] sjell në vëmendje historinë e Kishës në Europë

Historiani britanik Xhejms Peri e sheh historinë si një mënyrë për të “shpjeguar përse gjërat janë ashtu siç janë”. Kureshtja e tij u kthye në pasion dhe më vonë në karrierë. Si shkrimtar dhe historian për vëllimin e tretë të librit “Saints” [“Shenjtorët”], një histori e treguar e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, studimi i Perit përqendrohet te jeta e anëtarëve të hershëm të Kishës në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Europë. Vëllimi tre është planifikuar të botohet në gjysmën e parë të vitit 2022.

Ai tha se vëllimi tre ka më shumë gjasa të jetë për “periudhën më pak të njohur të historisë së Kishës” dhe se “lexuesit mund të presin që të mësojnë më shumë rreth historisë së Kishës në Europë, se si ajo i përballoi dy luftërat botërore dhe krizat ekonomike. Gjithashtu, ata do të mësojnë më shumë për mënyrën se si Kisha i trajtoi praktikat e së shkuarës të poligamisë dhe i kapërceu disa trysni financiare dhe politike që po përjetonte në Amerikë.” Ky vëllim do të tregojë gjithashtu se si ndodhi që u ndërtua tempulli i Zvicrës dhe mënyrën se si ndikoi ai në zhvillimin e tempujve në mbarë botën.

Peri tha se ky vëllim i librit “Saints” [“Shenjtorët”] do të përmbajë histori rreth shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Çekosllovaki, Francë, Gjermani, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Europës.

Xhejms Peri, Doktor Shkencash, FHEA [Anëtar i Akademisë së Arsimit të Lartë] është një shkrimtar dhe historian për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Xhejms Peri, Doktor Shkencash, FHEA [Anëtar i Akademisë së Arsimit të Lartë] është një shkrimtar dhe historian për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Në punën e tij, Peri lexon letra, dokumente e ditarë dhe gjithashtu shqyrton libra kujtimesh dhe dokumente të tjera historike për të gjetur dhe vërtetuar histori të cilat i has gjatë punës. Ai dhe historianë të tjerë kërkojnë të gjejnë histori që janë “interesante mjaftueshëm aq sa t’i bëjnë lexuesit të vazhdojnë leximin, [histori] që tregojnë ndryshimin brenda Kishës dhe që janë frymëzuese nga ana shpirtërore. Ne trajtojmë edhe ngjarje kontradiktore, por kërkojmë gjithashtu që t’i informojmë, edukojmë dhe frymëzojmë anëtarët e Kishës.”

“Befasohem gjithnjë nga sakrificat që anëtarët e Kishës janë të gatshëm të bëjnë. Sidomos kur e përfytyron veten në situatën e dikujt tjetër ndërsa ka humbur njerëz të dashur në kohën e luftës, bashkëshortët e tyre vdiqën dhe ato patën çfarëdolloj arsyeje që të largoheshin nga feja dhe Perëndia, por, ato u afruan më shumë dhe janë ende të gatshme të sakrifikojnë madje edhe kur nuk kanë asgjë. Thjesht, është shumë frymëzuese.”

Përpilimi i librit “Saints” [“Shenjtorët”] është një proces bashkëpunimi ndërmjet historianëve dhe shkrimtarëve krijues”, tha Peri. “Si historian, përpiqem e gjej personazhe dhe ua jap shkrimtarëve krijues me disa variante të ndryshme. Sapo i shohin burimet që kemi mbledhur, ata fillojnë të përvijojnë se si do mund të dalë historia, duke ndërthurur sa më shumë zhvillime të ndryshme që kanë ndodhur në Kishë.”

Ai tha se kjo punë nuk do të ishte e mundur pa ditarët vetjakë dhe dokumentet që janë mbajtur që nga ditët e hershme të Kishës. Peri i inkurajon shenjtorët e sotëm të ditëve të mëvonshme që të bëjnë të njëjtën gjë.

“Ne jemi vetëm një hallkë e zinxhirit të historisë së rivendosjes dhe kemi të drejtën të marrim forcë nga njerëzit që janë larguar nga jeta përpara nesh. Ne gjithashtu ndajmë bashkërisht përgjegjësinë për t’i lënë një trashëgimi atyre që do të vijnë pas nesh”, tha Peri.

Dëshira e tij është që anëtarët dhe miqtë e Kishës në Europë ta lexojnë librin “Saints” [“Shenjtorët”] dhe “t’iu ngjallë dëshirën për t’u përpjekur pak më shumë, për t’u bërë pak më të mirë dhe për të marrë forcë nga kontributet që kanë dhënë të tjerët në të shkuarën”, tha Peri. “Gjendja e Kishës sot në Europë është kryesisht rrjedhojë e atyre njerëzve që janë larguar nga jeta përpara nesh. Ata kapërcyen mendime klishe, ngritën ndërtesa, përhapën ungjillin, shkruan artikuj në gazeta dhe secili prej këtyre veprimeve ka vijuar që t’i japë formë Kishës dhe pozicionit të saj sot në shoqëri.”

Xhejms Peri me familjen e tij
Xhejms Peri me familjen e tij

Për ata që duan t’i lexojnë vëllimet një dhe dy të librit “Saints” [“Shenjtorët”], kopjet e shtypura mund të blihen në qendrat e shpërndarjes pranë tempujve të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme ose në internet në online store [dyqanin në internet] të Kishës (në 14 gjuhë). Seritë janë gjithashtu në dispozicion pa pagesë te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe në formate të tjera këtu. Këshillë për lexuesit: Secili libër në seri mbyllet me një përkushtim tempulli; te vëllimi një, Tempulli i Navusë; te vëllimi dy, Tempulli i Solt-Lejkut dhe te vëllimi tre, Tempulli i Zvicrës.  

Për më tepër, një seri prej gjashtë historish të hulumtuara dhe të shkruara nga Peri do të botohen çdo muaj në redaksitë e Kishës në mbarë Europën. Këta artikuj do të paraqitin kontributet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për themelimin Kishës në Europë. Seritë titullohen: “Milestones and Miracles: The heritage of Latter-day Saints in Europe” [“Ngjarjet Kulmore dhe Mrekullitë: Trashëgimia e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Europë”] duke filluar me Artur Uinterin: “Një nga dhuratat më të mëdha të Britanisë për punën e Kishës.”

Rreth Xhejms Perit, Doktor Shkencash, FHEA [Anëtar i Akademisë së Arsimit të Lartë]

Xhejms Peri u bë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Angli, në moshën e rinisë. Dy vjet pasi u pagëzua, ai shërbeu në një mision kohëplotë në Misionin e Anglisë në Mançester. U ndie i nderuar që shërbente në zonat ku kishin jetuar misionarët dhe anëtarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme gjatë ditëve të hershme të Kishës.

Pas misionit të tij, Peri studioi histori në Universitetin e Lançesterit duke marrë një diplomë universitare dhe masteri si edhe një doktoratë. Ai është anëtar i Akademisë së Arsimit të Lartë dhe më përpara ishte studiues dhe lektor në bashkëpunim në Universitetin e Lançesterit dhe një administrator i grupeve për karrierën universitare dhe përkrahjen akademike në Kolegjin e Njukasëllit.  

Peri punon me kohë të plotë për Kishën si shkrimtar dhe historian dhe aktualisht shërben si president dege për bashkësinë e tij në Anglinë veriore ku dhe jeton me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.