Sfondi

Çfarë do të publikonte Jezusi?

Një vështrim te shenjtorët e ditëve të mëvonshme në moshë të re, në botën digjitale

Kur njerëzit dëgjojnë rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ata fillimisht mund të përfytyrojnë misionarët me etiketat e tyre të emrit, të përfshirë në një bashkëbisedim me kalimtarët. Herë pas here, kanalet europiane të mediave e kanë eksploruar praninë në internet të anëtarëve të Kishës. Një anketë e një duzine shenjtorësh të ditëve të mëvonshme në moshë të re anembanë Europës, siguron ide nga afër për mënyrën se si ata i përdorin platformat shoqërore, veçanërisht Instagramin, dhe se çfarë i dallon ata.

Ngjashëm si në jetën e tyre jashtë internetit, shumica e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në moshë të re kanë si synim të jenë një vazhdim i mirësisë, lidhjes dhe pozitivitetit në internet. Publikimet e tyre mund të duken si ato të të tjerëve, duke nxjerrë në pah çaste të përditshme, por ka një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si ata i përdorin dhe i shohin mediat shoqërore. Ky ndryshim i ka rrënjët në besimin e tyre thelbësor te Jezu Krishti.

Ata i pranojnë përfitimet e shumta të mediave shoqërore, së bashku me anët e tyre negative. Qëllimi i tyre përfundimtar, edhe kur i përdorin këto platforma, është që të jenë “në botë dhe jo të botës” duke u përpjekur fort që të ndjekin shembullin e Krishtit dhe të shpërndajnë mirësi.

young adults sitting and laughing

Si ta dalloni një shenjtor të ditëve të mëvonshme në Instagram

Shumica e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që u anketuan, thonë se ata i përdorin mediat shoqërore kryesisht si çdo njeri tjetër. Ata qëndrojnë të lidhur me miqtë nëpërmjet mesazheve të drejtpërdrejta, argëtohen nga videot e shkurtra [reels-at], e përdorin atë si një largim nga streset e përditshme dhe qëndrojnë të përditësuar me jetën e të tjerëve.

Përveç ndonjë të dhëne të mundshme të lidhjes së tyre fetare në profilin e tyre, si një hallkë lidhëse te një faqe e ungjillit, një shkrim i shenjtë i parapëlqyer ose një citim frymëzues, ata mund të duken thjesht si kushdo tjetër.

Si duket profili i një shenjtori të ditëve të mëvonshme?

Nisur nga përgjigjet prej të rinjve e të rejave të intervistuara, ja se çfarë mund të gjeni në profilin e një shenjtori të ditëve të mëvonshme:

Ata shpërndajnë publikime për stilin e jetës, nga çaste të përditshme deri në “vënie fotosh” rastësore, shpesh nëpërmjet xhirimeve të momentit ose publikimeve për të përditësuar miqtë dhe për të mbajtur një ditar vetjak. Përmbajtjet që lidhen me hobet dhe karrierën janë të zakonshme, përfshirë video vrapi nëpër shtigje, këshillat për markat, fragmente këndimi, aventurat e udhëtimeve, amësinë, administrimin e një biznesi ose promovimin e një marke, gatimin dhe dhënien e ideve kulturore.

Një temë tjetër e përsëritur është përmbajtja fetare. Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme shpërndajnë doktrinën e ungjillit dhe bindjet fetare ose thjesht synojnë që t’i lartësojnë të tjerët me anë të mesazheve pozitive. Ndërkohë që disa rrallë e përmendin Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të tjerët e bëjnë atë një pjesë qendrore të pranisë së tyre në mediat shoqërore. Esteri, një e re shenjtore e ditëve të mëvonshme që jeton në Spanjë, tha: “Mediat shoqërore duhet të jenë një mënyrë për t’i mbushur trupat tanë me dritë [dhe] një mënyrë për të shpërndarë dritë”. Ajo iu referua një shkrimi të shenjtë në lidhje me këtë (3 Nefi 13:22).

Si i jep formë feja pikëpamjes së tyre për mediat shoqërore

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se çdo njeri ka aftësinë të dallojë të vërtetën nga gjërat e rreme. Në një botë ku realiteti dhe inteligjenca artificiale vazhdojnë të ndërthuren, vëllimi i madh i përmbajtjes mund të jetë pështjellues. Pavarësisht nga kjo, këta shenjtorë të rinj të ditëve të mëvonshme ndiejnë se e kanë zotësinë që ta dallojnë të mirën nga e keqja dhe në mënyrë aktive të kërkojnë mediat lartësuese duke iu shmangur përmbajtjes që bie ndesh me vlerat e tyre.

Esteri më tej shpjegoi: “[Ungjilli] ndikon te gjithçka që bëj. Më duhet të kërkoj për gjëra që më ndihmojnë të kem Shpirtin.”

Oliveri, një i ri në moshë madhore nga Austria, po ashtu tregoi se ai është i vetëdijshëm për përmbajtjen që “nuk është normale” për të, edhe pse ajo mund të jetë normale për të tjerët. Ai përshkroi se si mediat e papërshtatshme ose humoristike mund të shpërqendrojnë nga aspektet më domethënëse të jetës dhe theksoi nevojën për të qëndruar vigjilentë.

Duke iu referuar Presidentit Dallin H. OuksPresidencës së Parë, Sabi Montoja de Angusi u shpreh në artikullin e saj  Is Social Media Distracting You from What Matters Most? [A po Ju Shpërqendrojnë Mediat Shoqërore nga Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi?]: “Natyrisht është mirë të shohësh materiale të dobishme zbavitëse ose të marrësh informacione interesante. Por jo çdo gjë e këtij lloji ia vlen atë pjesë të jetës sonë që japim për ta marrë atë. Disa gjëra janë më të mira dhe të tjera janë më të mirat.”

Haneja, një zvicerane me ndikim publik, shprehu shqetësime të ngjashme rreth humbjes së kohës në internet dhe theksoi rëndësinë e të qenit të vëmendshëm ndaj atyre gjërave që ju ndikojnë. Ajo beson se mediat e përdorura rregullisht mund të kenë një ndikim afatgjatë.

Krahasimi është një çështje e rëndësishme që lidhet me përdorimin e mediave shoqërore. Gati të gjithë ata që u anketuan, shprehën shqetësime rreth këtij problemi. Sidoqoftë, ata gjithashtu i vunë në dukje anët pozitive të mediave shoqërore, të cilat, për shumë njerëz, kanë më shumë peshë se anët negative.

Shumë të rinj e të reja shenjtore të ditëve të mëvonshme i shohin mediat shoqërore si një shteg, dhe madje një përgjegjësi, për të shpërndarë mirësi. Ata kërkojnë të jenë të vërtetë në internet, të formojnë lidhje reale dhe të shpërndajnë pozitivitet. Kjo shpesh përfshin përdorimin e më pak filtrave, shpërndarjen e përmbajtjes lartësuese, të qëndruarit të lidhur me njerëzit e tyre të dashur dhe të qenit të matur rreth asaj që publikojnë.

Një studim i vitit 2024, i botuar nga National Library of Medicine’s PubMed Central1 [Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë së PubMed Central-it], anketoi të rinj e të reja në moshë madhore në Itali rreth përdorimit të tyre të mediave shoqërore. Studimi arriti në përfundimin: “Ndërveprimi midis vlerave të të rinjve dhe vlerave të përçuara nga mediat është njëmend një temë e ndërlikuar dhe gjithnjë e në ndryshim […] Në vend që të përqendrohen te vetëreklamimi ose vetëparaqitja sqimatare dhe pa të meta, të rinjtë zgjedhin ose pretendojnë se vlerësojnë origjinalitetin, vërtetësinë, në vend të paraqitjeve të rreme […] Në këtë drejtim, të lexuarit kritik të mediave shoqërore mund të ndihmojë që të zhvillohet aftësia për ta vlerësuar përmbajtjen e mediave nisur nga vlerat vetjake të një personi ose për t’i përdorur mediat për vetëpërfaqësim ose krijim të përmbajtjes në një mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme” (Tirocchi, 2024).

Kjo ndjesi pasqyrohet mes të rinjve dhe të rejave shenjtore të ditëve të mëvonshme që u anketuan. Ndërkohë që ka si gjëra pozitive ashtu edhe negative në mediat shoqërore, ata u japin përparësi ndërgjegjësimit dhe leximit të mediave për të lundruar plot maturi nëpër këto platforma.

WWJD në Instagram?

W.W.J.D. (Çfarë do të Bënte Jezusi?) është një frazë shpesh e përdorur mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për t’u përqendruar te shembulli i Krishtit.2 Pjesëmarrësve që u anketuan iu bë pyetja: Nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme po përpiqen fort të jenë si Jezusi, çfarë mendoni se do të bënte Ai në Instagram?

“Ai do të përqendrohej tek Individi”, – thanë ata, duke nënkuptuar se Ai do t’u shtrinte dorën e ndihmës individëve personalisht, do të bënte lidhje domethënëse dhe do ta shpërndante ungjillin me çiltërsi.

“Ai do t’i tregonte dashuri dhe do t’i shpërndante dritë botës.” Ata e përfytyruan profilin e Tij si lartësues, frymëzues, plot dashuri, plot gëzim, pozitiv, ftues, argëtues dhe plot risi.

“Ai do të thoshte të vërtetën e Tij.” Kjo nuk do të thotë që të shmanget polemika, por që të jesh i ndershëm dhe i vërtetë. Jezusi do ta jetonte dhe shpërndante haptazi ungjillin, duke e davaritur pështjellimin dhe duke i përdorur shkrimet e shenjta dhe mësimet për të përhapur mesazhin e Tij.

Pra, a mund ta dalloni një shenjtor praktikant të ditëve të mëvonshme në mediat shoqërore?

Ndoshta, ndoshta jo. Profilet e tyre mund të jenë si plot të tjera, por ndikimi i tyre është i dukshëm në mënyrën se si lartësojnë, lidhin dhe frymëzojnë. Në një botë digjitale të mbushur së tepërmi me përmbajtje, ndoshta ky është lloji i pranisë që ia vlen të vihet re.

 

Izabela Dejvis, autorja e këtij artikulli, i përket brezit Z dhe është një studente për marrëdhëniet publike në Universitetin “Brigam Jang” në Shtetet e Bashkuara.


1 Tirocchi, Simona. “Generation Z, values, and media: from influencers to BeReal, between visibility and authenticity.” Frontiers in sociology, vëll. 8 1304093. 10 janar 2024, doi:10.3389/fsoc.2023.1304093

pmc.ncbi.nlm.nih.gov/articles/PMC10809394/#abstract1

2 Redaktuesit e “The Religions Book”, fillimisht i botuar në Britaninë e Madhe në vitin 2013, nga Dorling Kindersley Limited, përzgjodhën “Ask yourself: ‘What would Jesus do?’ – Following the example of Christ” [“Pyet veten: ‘Çfarë do të bënte Jezusi?’ – Ndjekja e shembullit të Krishtit”] si titull për kapitullin rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.