Çfarë do Perëndia që unë të di sot?

Këtë fundjavë, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u mblodhën me miqtë, udhëheqës të shoqërisë civile, akademikë dhe njerëz të interesuar nga e gjithë bota, për të marrë udhëzim nga udhëheqësit e Kishës, apostujt dhe profetët.

Kanë qenë dy javë të trazuara për Kishën. Fillimisht, largimi nga jeta i profetit të Kishës, Presidentit Rasëll M. Nelson, dhe më pas ngjarja tragjike me armë zjarri në Miçigan. Por ndërsa anëtarët i kanë kthyer ato ngjarje në mundësi për të dhënë shërbesë, për të ngushëlluar dhe dëshmuar, të njëjtën gjë bënë edhe udhëheqësit e Kishës.

Gjatë dy ditëve dhe pesë sesioneve, udhëheqësit dhanë mësim, sqaruan dhe dëshmuan. Ndër shumë tema të tjera, ata folën për ndërtimin e aftësisë për t’u ripërtërirë, pasjes së dashurisë hyjnore dhe si të ndërtojmë besimin te Krishti.


“Historia e origjinës suaj është hyjnore, po ashtu edhe fati juaj. U larguat nga qielli për të ardhur këtu, por qielli nuk ka ikur kurrë prej jush!”

Plaku Diter F. Uhtdorf

“Muzika e shenjtë mund të ndihmojë që doktrina e Krishtit të shkruhet në shpirt dhe të na përgatitë për të marrë ordinancat e Tij. Ajo e lidh doktrinën e Shpëtimtarit me kujtesën tonë dhe atë kujtesë me dishepullimin tonë tek Ai.”

Motra Trejsi Y. Brauning

“Zbatimi i doktrinës së pastër të Krishtit në një mënyrë të thjeshtuar dhe të përqendruar do të na ndihmojë të gjejmë gëzim në jetën tonë të përditshme, do të japë udhërrëfim në thirrjet tona, do t’iu përgjigjet disa prej pyetjeve më të ndërlikuara të jetës dhe do të sigurojë forcë për t’u përballur me sfidat tona më të mëdha.”

Plaku Majkëll Sizla

“Të gjithë jemi më mirë kur askush nuk ulet vetëm.”

Plaku Gerit W. Gong

“Fillimet e reja janë për më tepër sesa thjesht për mëkatet e gabimet tona. Nëpërmjet mirësisë dhe hirit të Shpëtimtarit, ne mund të kemi nisje nga e para që nxitin ndryshim në botëkuptimet e vjetra, në zakonet e këqija, në prirjet idhnake, në qëndrimet negative, në ndjenjat e pafuqisë dhe në prirjet për të fajësuar të tjerët e shmangur përgjegjësinë vetjake. Ju vërtet që mund t’i ndryshoni gjërat lidhur me veten tuaj që ju kanë lodhur dalëngadalë për vite me radhë. Ju mund t’ia nisni përsëri nëpërmjet fuqisë së Mësuesit të fillimeve të reja. Ai nuk lodhet kurrë duke na i dhënë ato fillime të reja.”

Plaku Patrik Kirën

“Prindër, në këtë botë ku ka shumë zëra dhe nganjëherë shumë errësirë, Perëndia Vetë na ka urdhëruar t’i rritim fëmijët tanë në dritë e të vërtetë. … Nëse ne nuk arrijmë ta bëjmë këtë, as bota nuk do ta bëjë.”

Motra Andrea M. Spanaus

“Synimi i vazhdueshëm për vetëpërmbajtje na e dëlir shpirtin dhe na e shenjtëron zemrën para Shpëtimtarit, duke na afruar butësisht tek Ai dhe duke na përgatitur, me shpresë dhe paqe, për atë ditë të lavdishme kur do ta takojmë Atë në Ardhjen e Tij të Dytë.”

Plaku Ulises Soares

“Ndoshta predikimet më të mëdha janë ato që nuk i dëgjojmë kurrë, por që i shohim në veprimet dhe veprat e heshtura e të thjeshta që vërehen në jetën e njerëzve të zakonshëm të cilët, në përpjekje për të qenë si Jezusi, e përshkojnë vendin duke bërë mirë.”

Plaku B. Kori Kuvelier

“Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është modeli ynë shembullor e suprem. Ne do të bekohemi nëse mësimet dhe vetëmohimin e Tij i kemi si modele për jetën tonë. Ndjekja e Krishtit dhe dhënia e vetes në shërbim të njëri‑tjetrit është ilaçi më i mirë për egoizmin dhe individualizmin që tani duken se janë kaq të zakonshëm.”

Presidenti Dallin H. Ouks