Zot, te Kush të Shkojmë?

Gjërat që i dimë njëmend, janë më të rëndësishme dhe më të fuqishme sesa gjërat që mund të mos i kuptojmë ende.

Le Seigneur expliqua qu’il était le vrai pain de vie
Ruben V. Alliaud
Plaku Ruben V. Alliod, i Të Shtatëdhjetëve, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Zonës së Europës

Pas ushqimit të mrekullueshëm të pesë mijë vetave, Jezusi ofroi predikimin e mahnitshëm për Bukën e Jetës. Ai vuri në dukje se shumë njerëz e ndoqën Atë, jo për shkak të mesazhit, [tha Jezusi] “por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur1. Për këtë arsye, Ai shpjegoi se Ai ishte Buka e vërtetë e Jetës dhe se bekimet materiale të marra në këtë jetë, qoftë edhe në mënyrë të mrekullueshme, nuk do t’i shpëtonin ata: “Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën” 2.

Ndikimi i mesazhit të Tij qe i tillë saqë: “Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të”.3

Duke e vëzhguar këtë reagim, Jezusi i vështroi Të Dymbëdhjetët, të cilët ishin me Të, dhe i pyeti: “A doni edhe ju të largoheni?” Pjetri e mori menjëherë përgjegjësinë, bëri përpara dhe duke përfaqësuar edhe atë që ndiente gjithkush, thirri: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.”4

Të gjithë ne kemi kaluar dhe ende do të vazhdojmë të kalojmë situata të vështira në jetën tonë, ku pritshmëritë tona nuk do të gjejnë një përputhje me realitetin tonë të tanishëm.

Do të ketë raste kur mund të ndiheni të lodhur, të zhgënjyer, të shkurajuar, ose të zbrazët. Aq më tepër, ndoshta do të ketë ndonjë rast kur mund të mendojmë si ata të lashtësisë: “Është e kotë t’i shërbesh Perëndisë; ç’përfitim kemi nga respektimi i urdhërimeve të tij dhe nga vajtja para Zotit të ushtrive të veshur me rroba zie?5

Këto janë momentet kur gjunjëzohemi dhe thërrasim:

“Ku mund të gjej paqe?
Ku kam ngushëllim,
Kur tjera burime nuk më shërojn’?
Kur me zemrën plot plag’, lig’si o zem’rim,
Un’ tërhiqem mënjan’,
Shpirtin shqyrtoj?” 6

Më lejoni të diskutoj me ju disa parime që nëse kuptohen do të na ndihmojnë të durojmë teksa presim për kohë më të mira.

Président Nelson

Qëllimi i kësaj jete. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka kujtuar: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë” 7.

Kurrë mos e humbisni përqendrimin se kjo tokë, në të cilën jetojmë, u krijua dhe u përgatit për ne, me qëllim që të zbatojmë Planin e Shpëtimit: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” 8 pavarësisht nga sfidat rrethanore të jetës. Nga ana tjetër, siç iu shpjegua Profetit Jozef Smith: “Gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde9. Sprovat janë të vështira për nga natyra. Duke e kuptuar këtë, ne arrijmë të dallojmë se nuk është se ka diçka që nuk shkon te ne, por që ne po përmbushim vetë qëllimin për të cilin jemi këtu.

Kurrë mos u hidhni nga varka në mes të një stuhie. Përfytyroni për një çast se jeni në një varkë që po kalon përmes një stuhie të fuqishme në mes të oqeanit. Përfytyroni sikur “furtuna po shtohet! Valët lart ja po ngrihen! Qielli nga err’sira po zihet. Streh’ ose ndihm’ pran’ s’gjendet.10 Jam i sigurt se shumë përshtypje dhe ndjenja do t’ju vinin në mendje, por që të hidheni nga varka nuk do të ishte njëra prej tyre. Varka e ungjillit do të na ofrojë gjithmonë mbrojtje dhe strehë mes stuhive të jetës.

Le roi Benjamin

Mbahuni te besimi dhe njohuria që tashmë e keni. Mbreti Beniamin na nxiti të besojmë te Perëndia, të besojmë se Ai e ka të gjithë diturinë dhe të gjithë fuqinë dhe të besojmë se “njeriu nuk i kupton të gjitha gjërat që Zoti mund të kuptojë11. Në njëfarë mënyre, të kuptuarit se jemi të paditur duhet të jetë pjesë e dëshmisë sonë.

Si pjesë e kësaj përvoje në vdekshmëri, nuk kemi përgjigje të menjëhershme për të gjitha pyetjet rrethanore në jetë. Prandaj, “mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa [të vijë] dija e mëtejshme12.

Gjërat që i dimë njëmend, janë më të rëndësishme dhe më të fuqishme sesa gjërat që mund të mos i kuptojmë ende.

Është lutja ime që, duke i përqafuar këto parime, ne të mund të themi vazhdimisht siç tha Pjetri: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.” 13


1 Gjoni 6:26.

2 Gjoni 6:49.

3 Gjoni 6:66.

4 Gjoni 6:67–68.

5 Malakia 3:14.

6 Himne nr. 67, “Ku Mund të Gjej Paqe?”

7 Presidenti Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, konferenca e përgjithshme, tetor 2016.

8 Abraham 3:25.

9 DeB 122:7.

10 Himne nr. 55, “M’sues, Furtuna po Shtohet”.

11 Mosia 4:9.

12 Plaku Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, konferenca e përgjithshme, prill 2013.

13 Gjoni 6:67–68.