Zona Europës: Ditë Lutjeje dhe Agjërimi

statue of Jesus Christ

Presidenca e Zonës së Europës e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bëri publike letrën në vijim:

 

Të dashur motra dhe vëllezër,

Ngjarjet e ditëve të fundit dëshmojnë se bota është në trazira. Zemrat dhe lutjet tona u drejtohen atyre që po vuajnë dhe jeta e të cilëve është ndryshuar.  Si ndjekës të Jezu Krishtit, Princit të Paqes, ne dëshirojmë me gjithë zemër të gjejmë zgjidhje, ngushëllim dhe paqe gjatë këtyre kohëve.   

Një nga misionet e caktuara në mënyrë hyjnore të Kishës është të kujdeset për njerëzit në nevojë.  Ne jemi mirënjohës dhe të mahnitur ndërsa mendojmë për bujarinë e kaq shumë prej jush në të gjithë zonën që jeni vënë në kontakt me ne për të ofruar mbështetje.  Të gjithë ata që ndiejnë dëshirën për të shërbyer dhe kontribuar, janë të ftuar t’i bashkërendojnë përpjekjet e tyre me presidencën e tyre të kunjit ose – për projektet shumëkunjëshe – nën udhëheqjen e Të Shtatëdhjetit Zonal që i ka në juridiksion. Ju lutemi të jeni të sigurt se Shërbimet për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja në nivel zonal, kanë përcaktuar tashmë projekte të mundshme ndihme dhe do të vazhdojnë të vëzhgojnë zhvillimet e reja dhe të përcaktojnë mënyra për të ofruar ndihmë ndaj njerëzve që janë në nevojë.

Jemi mirënjohës për mirësinë, dashurinë dhe kujdesin e sinqertë që shohim dhe ndiejmë nga kaq shumë njerëz.  Jemi mirënjohës edhe për kontributet bujare në fondin humanitar të Kishës ose fondin e ofertave të agjërimit që na mundësojnë t’i ndihmojmë njerëzit që janë në nevojë.

Përveç ofrimit të ndihmës së përkohshme, ne i ftojmë të gjithë anëtarët të marrin pjesë në një ditë lutjeje dhe agjërimi për paqe në mbarë zonën, të dielën, më 6 mars 2022. Së bashku do t’i kthejmë zemrat dhe mendjet tona drejt atyre që po përjetojnë tronditje dhe vuajtje.

Me vendosmëri në Krisht, ne lutemi që, ndërsa qëndrojmë të bashkuar në dashuri dhe besim, të mund të sjellim një ndryshim në këtë botë të trazuar.  Për më tepër, ne besojmë se “dashuria e përkryer zhduk çdo frikë” (Moroni 8:16). Ne kemi besim se me ndihmën e Zotit, do t’i lartësojmë zemrat dhe shpirtrat.

Ne dëshmojmë se ungjilli i Jezu Krishtit është përgjigjja për problemet, sfidat dhe pyetjet e jetës dhe i ftojmë të gjithë njerëzit me vullnet të mirë që t’i drejtohen Krishtit.  Ne dëshmojmë se Ai është Shpëtimtari i botës, burimi i vërtetë dhe i vetëm i paqes së përhershme.

 

Sinqerisht,                                                                                              

Presidenca e Zonës së Europës

 

Masimo De Feo

Erik W. Kopishke

Ruben V. Alliod