
Për shumicën e njerëzve, të zhvillosh dhe të përmirësosh zakone të mira shpirtërore nuk është e lehtë dhe as mekanike. Shtegu për te zhvillimi shpirtëror zakonisht është jo i njëtrajtshëm dhe i vështirë.
Kur po përgatitesha të shërbeja në një mision kohëplotë, shkova te presidenti im i degës dhe e pyeta se çfarë duhet të bëja që të shërbeja me nder. Ai më dha një listë që përmbante studimin e shkrimeve të shenjta, përgatitjen shpirtërore e fizike dhe madje aftësi për gatim. Teksa po përgatitesha me gëzim në çdo mënyrë që të isha një ‘misionar i shkëlqyer’, vura re që disa gjëra ishin më të lehta për t’u bërë sesa disa të tjera dhe disa ishin disi të vështira. Sidoqoftë, dhashë më të mirën time për t’u bërë ai që Zoti priste prej meje, pavarësisht sfidave që hasa gjatë asaj kohe.
Përgatitja nuk qe e lehtë, por dha si rezultat bekime të vërteta, të cilat i shijoj ende. Unë vazhdoj të ruaj si thesar shumë kujtime të ëmbla të njerëzve që takova kur isha misionar, dhe përvojën shpirtërore që pata. Teksa e ndoqa këshillën e udhëheqësve të mi, edhe pse ishte e vështirë herë-herë, udhëzimet e tyre më ndihmuan të bëhesha misionari që Zoti donte që unë të isha dhe me kalimin e kohës u bënë pjesë e jetës sime dhe qenies sime shpirtërore.
Nganjëherë, në mënyrë të ngjashme, nuk është e lehtë që gjatë përpjekjes për të arritur rezultate të matshme në çfarëdo fushe ku duam të përmirësohemi, të ndjekim udhëzimet, t’u përmbahemi rregullave të rrepta apo thjesht të mbetemi të përqendruar [tek synimi]. Për shembull, nëse duam ta mbajmë trupin tonë fizik të shëndetshëm dhe të fortë, ne duhet të ushtrohemi rregullisht dhe ta pajisim me ushqim dhe ujë në intervale të rregullta kohore. Nëse nuk e bëjmë këtë, do të ketë plogështi ose sëmundje dhe, nëse nuk jemi të kujdesshëm, madje dhe vdekje. Një baraspeshë e përsosur duhet të përmbajë jo vetëm gjërat e duhura për ta mbajtur trupin tonë të shëndetshëm, por ne duhet të shmangim gjithashtu lëndë dhe praktika të dëmshme që mund të jenë dëmtuese për trupin tonë.
Të njëjtat parime gjejnë zbatim për trupin tonë shpirtëror, i cili duhet të ushqehet në mënyrë të vazhdueshme për të qenë i shëndetshëm dhe energjik. Regjimi shpirtëror duhet të përfshijë zakone të mira që do ta ushqejnë shpirtin, por duhet të shmangen gjithashtu zakone që do ta dëmtojnë shpirtin. Në thelb, do të jetë e rëndësishme të pajiset me atë që nevojitet rregullisht dhe në intervale të rregullta kohore për të siguruar ushqyerje të vazhdueshme.
Regjimi shpirtëror duhet të përmbajë ushtrime të rregullta shpirtërore, si lutjen dhe studimin e shkrimeve të shenjta përditë, kryerje shërbimi si dhe ushqyerjen e përjavshme shpirtërore. Kjo ushqyerje vjen duke marrë sakramentin, duke marrë pjesë në mbledhjet e kishës dhe duke agjëruar çdo muaj. Ne e ripërtërijmë rregullisht rekomandimin tonë të tempullit për t’u siguruar që të gjitha elementet shpirtërore të jenë në masa të baraspeshuara, që të sigurohemi se trupi shpirtëror ushqehet siç duhet. Me raste, do të jetë e nevojshme të agjërojmë dhe të lutemi për ndihmë që t’i japim shpirtit tonë forcën dhe energjinë shtesë për t’u përballur me sfida të veçanta.
Teksa sjell ndërmend përvojën time misionare se sa e vështirë dhe në të njëjtën kohë sa e gëzueshme ishte për t’u përgatitur, mendoj për bijtë e Mosias, të cilët e kuptuan se sa e rëndësishme ishte që ta ushqenin shpirtin e tyre me energji të bollshme shtesë të përftuar nga zakone shpirtërore.
“… Pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë. Por kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës dhe kur i mësuan të tjerët, ata i mësuan me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë.” [1]
Po ashtu ushtrimi i përditshëm shpirtëror nevojitet për ta mbajtur një dëshmi dhe për të bërë të mundur që siguria [në njohuri] ta kapërcejë dyshimin, sepse ajo që ne zotërojmë sot në dëshmi, nuk do të jetë aty nesër nëse nuk bëjmë diçka për ta ruajtur atë. Njësoj siç nevojiten ushtrimet fizike për të rritur forcën dhe masën e muskujve, po ashtu nevojiten regjimet e rregullta e të përditshme shpirtërore për ta bërë dëshminë të fortë dhe jetëgjatë.
Prirja e njeriut të natyrshëm është që të presë më shumë nga Zoti dhe më pak nga vetja. Teksa zhvillojmë zakone më të forta shpirtërore dhe provojmë një ndryshim të fuqishëm të zemrës duke e ushqyer shpirtin tonë vazhdimisht, rregullisht dhe në mënyrën e duhur, këto zakone shpirtërore bëhen një pjesë përbërëse e jona dhe ne fillojmë të presim shumë e më shumë nga vetja dhe pak e më pak nga Zoti.
Punofshim me zell që të përgatitemi, të ushtrohemi dhe ta ushqejmë shpirtin tonë sikurse bëjmë me trupin tonë duke zhvilluar zakone të mira shpirtërore dhe duke i shmangur zakonet shkatërruese të botës. Mund të jetë e dhimbshme dhe e vështirë në fillim por natyrisht që ia vlen kur gëzojmë bekimet e këtij procesi shpirtëror të rritjes dhe mirëqenies.
[1]Alma 17:2-3