Vullnetarizmi:  Gjëra të Vogla Sjellin një Ndryshim 

Rejçëll Mogani, një studente për studimet master në Universitetin e Surreit, është vullnetare me organizatën Rural Refugee Network

Viti 2020 duket se ishte i gjithi rreth asaj që nuk mund të bëhej.  Në mënyrë paradoksale, vitin e fundit u pa një rritje në përpjekjet vullnetare dhe kohën e dhuruar.  Individët u përqendruan tek ajo që mund të bënin dhe punuan për t’i ndihmuar të tjerët në mënyra të reja. Vullnetarizmi është një mënyrë e mrekullueshme për të takuar njerëz të rinj, për të bërë miq për gjithë jetën dhe për t’u lidhur me komunitetin tuaj.

Telefona

Rejçëll Mogani, një studente për studimet master në Universitetin e Surreit, është vullnetare me organizatën Rural Refugee Network. RRN është një organizatë me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ofron një mënyrë për vullnetarët vendorë që të lidhen me refugjatët dhe t’i ndihmojnë ata që të integrohen në komunitetet e tyre.  Rejçëlli ndërvepron duke bërë telefonata të rregullta me miqtë e saj refugjatë në mënyrë që ata të mund të praktikojnë anglishten e tyre.  Më e rëndësishmja, ajo i përkrah ata në gjetjen e mundësive për arsimim dhe punësim në komunitetet e tyre të reja.

Rejçëll Mogani, studente në Universitetin e Surreit, Angli
Rejçëll Mogani, studente në Universitetin e Surreit, Angli

Rejçëlli mendon se lidhja ndodh nga të dyja anët.  Ajo thotë se bisedat e rregullta me refugjatët e saj “u sigurojnë atyre më shumë një mikeshë sesa thjesht një punonjëse tjetër ndihmëse që është atje për t’i ndihmuar”.  Rejçëlli thotë se edhe ajo përfiton: “Nuk ndihem sikur kam bërë shumë, por ajo që kam marrë janë miq . . . dhe kjo ka qenë diçka si një litar shpëtimi edhe për mua.” 

Synimi i organizatës Rural Refugee Network është “që t’i ndihmojë refugjatët të njihen dhe të ndihen rehat në komunitetet tona”.  RRN-ja sigurohet që burimet dhe përkrahja të jenë në dispozicion të refugjatëve që jetojnë jashtë zonave të mëdha urbane.  Ky objektiv, veçanërisht gjatë COVID-it realizohet pjesërisht nga vullnetarët, shumë prej të cilëve thjesht bëjnë një telefonatë.   

Rejçëlli e ka ndier zhgënjimin e të mos qenit pranë njerëzve dhe të qenit vetëm në internet gjatë gjithë kohës për shkak të COVID-it. Shpresa e saj është që duke u përqendruar te shërbimi, ne të mund të marrim ende një ndjenjë lidhjeje që do të na ndihmojë derisa koha të jetë më e mirë.  Një mënyrë e thjeshtë për të ndier dhe për ta treguar atë lidhje mund të jetë që thjesht të bëni një telefonatë. 

Dëshira për të ndihmuar dhe për t’i shërbyer komunitetit të tyre është krejt e natyrshme për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.  Shumë njerëzve u është dashur të gjejnë mënyra të reja për të zgjeruar shërbimin gjatë pandemisë.  Rrugët e hapura për të ofruar shërbim kanë qenë shpesh me të vërtetë të vogla dhe të thjeshta, të tilla si bërja e një telefonate.  Përqendrimi tek ajo që mund të bëjmë, dhe ta bëjmë në mënyrë të sigurt, mund të japë rezultate që e ndryshojnë jetën e të tjerëve, si edhe vetë tonën.