Ndërsa përgatiten të nisen për në Paris më 24 korrik 2024, vrapuesit maratonistë nga ekipi olimpik i SHBA‑së, Konër Mantzi dhe Klejtën Jangu, reflektojnë mbi rrugëtimin e tyre dhe ngjashmëritë midis vrapimit në një maratonë dhe të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit. “Një maratonë është shumë e thjeshtë. Është vetëm 42,2 km, nga një hap para, në mënyrë të njëpasnjëshme”, – thotë Klejtën Jangu. “Ungjilli është po ashtu shumë i thjeshtë. Por në fund të ditës, të dyja mund të jenë tepër të vështira.”
Jangu, 30 vjeç, dhe Mantzi, 27 vjeç, janë anëtarë të përkushtuar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe u takuan si vrapues kolegji në Universitetin “Brigam Jang” (UBJ). Jangu kishte qenë atje për tre vjet kur Mantzi mbërriti në vitin 2017 si student i vitit të parë. Jangu e mori në kujdesin e vet vrapuesin më të ri dhe kështu lindi një miqësi e qëndrueshme.
Të dy, Jangu dhe Mantzi, filluan të vrapojnë rreth moshës 11‑vjeçare me inkurajimin e prindërve dhe miqve të tyre. Trajneri i tyre i UBJ‑së, Ed Ajstoni, vetë dy herë konkurrues olimpik në maratonën e meshkujve, i frymëzoi ata që ta provonin maratonën. Atyre u pëlqeu shumë si ide dhe Lojërat Olimpike u bënë synimi i tyre.
Ndër vite, të dy miqtë e kanë shtyrë dhe përkrahur njëri‑tjetrin. “Ne ndihemi të përgjegjshëm ndaj njëri‑tjetrit dhe e nxitim njëri‑tjetrin”, – thotë Jangu. Në Garat Eliminatore Olimpike të Maratonës në Florida, shkurtin e kaluar, Mantzi ia njeh meritën Jangut që e ndihmoi t’ia dilte mbanë në një pjesë të vështirë pranë fundit të garës. Së fundi, ata përfunduan i pari dhe i dyti, duke siguruar vende për në Paris 2024.
Që të dy, Jangu dhe Mantzi, shërbyen në misione vullnetare me kohë të plotë për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, duke bërë një pushim dyvjeçar nga vrapimi për të shpërndarë mësimet e Jezu Krishtit dhe për të ofruar shërbim. “Misioni im ndikoi në gjithë jetën time”, – thotë Mantzi, i cili shërbeu në Ganë, në Afrikën Perëndimore, në vitet 2015–2017. Jangu, i cili shërbeu në Karolinën e Veriut në vitet 2012–2014, thotë se misioni i tij “ia shtoi forcën mendore dhe i vendosi gjërat në perspektivë”.
Ndërsa të dy vrapuesit kanë bërë shumë sakrifica vetjake për të ndjekur ëndrrën e tyre olimpike, trajneri Ajston shpjegon se “janë njerëzit që na përkrahin, ata që po i bëjnë me të vërtetë sakrificat. Ne duam të jemi më të mirët që mundemi, për shkak të sakrificave të tyre.” Jangu shton: “Ka pasur shumë sakrifica që janë bërë për përgatitjen tonë olimpike, sepse është kaq e rëndësishme dhe shumë njerëz kanë qenë pjesë e saj. Ka qenë argëtuese t’i sillnim ata njerëz bashkë me ne në këtë udhëtim për në Paris.”

Krahas besimit të tyre, të dy vrapuesit ua japin meritën familjeve, shokëve të ekipit dhe trajnerëve për suksesin e tyre. I martuar prej vetëm një viti e gjysmë, Mantzi buzëqesh dhe pranon se “bashkëshortja ime më pengon të fiksohem, gjë që jam i prirur ta bëj”. Dy vajzat e vogla të Jangut, të moshës tre dhe pesë vjeç, e mbajnë atë me këmbë në tokë dhe e duan atë “pa marrë parasysh se kur e kalo[n] vijën e përfundimit”.
Jangu e pranon se në stërvitjen e tyre “ka shumë gjëra të vogla që duhet t’i bëjmë, të cilat ndonjëherë nuk duam t’i bëjmë. Por, ndërsa paraqitem çdo ditë me një shok stërvitjeje që vërtet po më mban të motivuar, dhe një trajner/udhëheqës që po më mban përgjegjës dhe e di se çfarë është më e mira për mua, kjo sjell gjithë ndryshimin. Është e njëjta gjë me të jetuarit e ungjillit.”
Mantzi e konsideron Jangun një nga këshilluesit e tij të parë pasi filloi të stërvitet për maratonën. Jangu tregon për Xherëd Uardin, një ish‑shok i ekipit të UBJ‑së, i cili zuri vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike Verore 2016 në Rio, si një ndikim kryesor në jetën e tij. “Xherëdi ka qenë një shembull i shkëlqyer jo vetëm i një atleti, por se si të jetosh jetën tënde dhe të jesh një bashkëshort e baba i mirë.” Trajneri Ajston shton se Jangu dhe Mantzi tani janë këshillues të shokëve më të rinj të ekipit që vijnë pas tyre, si Keneth Ruksi dhe Xhejms Korrigani, të cilët do të garojnë në Paris 2024 në vrapimin me pengesa për meshkuj.
“Më pëlqen shumë se si vrapimi në thelb e shpërbën trupin tënd një ditë, në mënyrë që të ndryshosh dhe të bëhesh një vrapues më i mirë të nesërmen”, – reflekton Jangu. “Në këtë jetë, ne jemi këtu për të mësuar e për t’u rritur. Jemi këtu për t’u tendosur e për t’i shpërbërë trupat tanë shpirtërorë pothuajse çdo ditë në mënyrë që të ndryshojmë e të bëhemi më të mirë për shkak të kësaj. Nuk do të ndodhë brenda natës. Me vrapimin, në kuptimin e plotë të fjalës është hap pas hapi. E njëjta gjë ndodh me ungjillin.”
Mantzi shton: “Është në proces e sipër që ti gjen gëzim në të, si në vrapim, ashtu edhe në të jetuarit e ungjillit. Shumë njerëz nuk do ta kuptonin pse më pëlqen shumë ta jetoj ungjillin ose pse më pëlqen shumë vrapimi. Por për ata që vërtet i përkushtohen njërit apo tjetrit, ata e gjejnë gëzimin e vërtetë që vjen me të.”
Jangu dhe Mantzi do të garojnë në maratonën e meshkujve të shtunën, më 10 gusht, në Paris.