Frankfurt‑mbi‑Majn, Gjermani

Vizitat turistike nëpërmjet internetit të vendeve historike të Kishës i forcojnë besimtarët në mbarë botën

Përkthyesit në vend i zgjerojnë mundësitë për të vizituar vende të largëta

Vizitat turistike nëpërmjet internetit të vendeve historike të Kishës e “bëjnë të gjallë historinë”, – tha Sibila Ravn-Vinq. Në fillim të këtij viti, asaj iu kërkua të përkthente nga anglishtja në gjermanisht një vizitë turistike të drejtpërdrejtë në Korijen e Shenjtë për anëtarët e tjerë të bashkësisë ku ajo merr pjesë në Gjermani. Ndërkohë që në shumicën e vendeve historike të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ofrohen vizita turistike nëpërmjet internetit në anglisht dhe disa gjuhë të tjera, përkthyesit vendorë kanë hapur mundësi për anëtarët dhe miqtë e Kishës anembanë globit, që përndryshe nuk do ta kishin rastin, t’i vizitonin personalisht vendet historike të Kishës.

Korija e Shenjtë ndodhet në Palmirë, Nju‑Jork, në Shtetet e Bashkuara. Ky vend është domethënës për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, pasi është vendi ku Perëndia Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën djaloshit Jozef Smith i Riu në vitin 1820 dhe filluan rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit në botë.    

Korija e Shenjtë ndodhet në rrethinat në veri të Nju Jorkut.
Korija e Shenjtë ndodhet në rrethinat në veri të Nju Jorkut.

“Kishte ende dëborë në tokë, ndërsa udhërrëfyesit e vizitës turistike ecnin nëpër shtigje dhe na jepnin një ndjesi për rrethinat sikur të ishim atje”, – tha Sibila.  “Ecja nga shtëpia për te Korija e Shenjtë ishte në një largësi goxha të madhe dhe të jep një kuptueshmëri më të mirë mbi përpjekjen që iu desh të bënte Jozef Smithi për të gjetur një vend të veçuar për t’u lutur.”

Pandemia ishte katalizatori që në vendet e historisë së Kishës të ofroheshin vizita turistike nëpërmjet internetit. Teksa njerëzit anembanë botës ndiheshin më rehat në platformat e mbledhjeve në internet, u bënë përpjekje të mëdha për t’i bërë vizitat turistike një përvojë domethënëse. Udhërrëfyesit në vendin historik u japin vizitave turistike një ritëm të tillë që përkthyesit të mund të përkthejnë disa grupe fjalish një e nga një. U bënë përditësime të telefonave, aparateve fotografike dhe teknologjisë për të përmirësuar përvojën në internet. Përveç kësaj, shpesh parashikohet kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve për ta individualizuar vizitën turistike.

“E kuptuam menjëherë nevojën për t’i ndihmuar misionarët tanë që ta përmbushnin qëllimin e tyre”, – tha Bred Aleni, president i Vendit Historik të Batalionit Mormon. “Ishte një emocion i madh për ne t’i shihnim ata të tregonin historinë e Batalionit Mormon dhe për atë që do të thoshte kjo për zgjerimin në Shtetet e Bashkuara dhe në Kishë me një publik mbarëbotëror.”

Vendi Historik i Batalionit Mormon në San‑Diego u mbyll për vizita turistike me prani fizike më 14 mars 2020. Gjatë 14 muajve vijues, misionarët ofruan afërsisht 3 800 vizita turistike nëpërmjet internetit për rreth 40 000 vizitorë nga 70 vende anembanë botës, përfshirë 22 nga Evropa.

Batalioni Mormon në San Diego
Batalioni Mormon në San Diego

“Shumë nga pjesëtarët e Batalionit Mormon ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme europianë”, – tha Bred Aleni, president i Vendit Historik të Batalionit Mormon. “Ata ishin pionierë të Kishës, besnikë dhe të përkushtuar – që po bënin sakrifica për të ndërtuar Sionin.”

Vizita e ardhshme turistike nëpërmjet internetit që Sibila do të donte të bënte, do të ishte në Vendin Historik të Navusë që ndodhet në Ilinoisin Perëndimor në Shtetet e Bashkuara. Navuja është një qytet i ndërtuar nga shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme në brigjet e lumit Misisipi dhe shërbeu si vendi për zyrat qendrore të Kishës nga viti 1839 deri në vitin 1846.

Motra Merilin Berg Rizli shërben me bashkëshortin e saj, Presidentin Stefën Rizli, i cili mbikëqyr vendin historik të Navusë të historisë së Kishës. Ajo tha se vizitat turistike me prani fizike dhe nëpërmjet internetit janë një shtesë kuptimplotë këtë vit për anëtarët e Kishës të përfshirë në një studim javor të librit Doktrina e Besëlidhje dhe të historisë së hershme të Kishës siç përvijohet në programin mësimor të vitit 2021 Eja, Më Ndiq.

Navuja Historike
Navuja Historike

“Na pëlqen shumë të lidhemi me anëtarët anembanë botës dhe të tregojmë historinë e pasur të Kishës këtu në Navu”, – tha Motra Rizli. “Këto vende u ruajtën dhe u restauruan për të forcuar besimin e anëtarëve tanë. Ato janë dëshmi të gjalla për ata që sakrifikuan kaq shumë për vendosjen e Kishës. Të gjithë ne mund të marrim forcë nga heroizmi i tyre dhe gjithashtu të bëjmë gjëra të vështira.”

Ajo tregoi disa këshilla për organizimin e një vizite turistike nëpërmjet internetit të një vendi historik të Kishës me një përkthyes vendor. 1) Gjeni një person që flet anglisht, që të angazhohet me grupin. 2) Kur fillon vizita turistike nëpërmjet internetit, bëjuni të ditur misionarëve në bisedën në internet se do të përdoret një përkthyes dhe ata do ta bëjnë përkthyesin bashkëdrejtues që t’i japin mundësi përdorimi të mikrofonit. 3) Kontrolloni për të qenë të sigurt se vizita turistike planifikohet në orarin e duhur vendor për vendin tuaj. Shumë herë, vizitat turistike mund të organizohen pas orarit për pjesëmarrësit nëpërmjet internetit në të gjithë botën. 

Presidenti Alen tha se pjesëmarrësit në vizitat turistike nëpërmjet internetit “mund të presin që dashuria e tyre për ungjillin të forcohet dhe të fitojnë vlerësim për atë që bënë shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme për të shtruar udhën për ne sot”.

“Këto vizita turistike ndihmojnë që historia jonë të bëhet më reale dhe më e besueshme për anëtarët e rinj e të vjetër të Kishës”, – tha Sibila. “Është një shembull i bukur i ndërtimit të besimit për të gjithë ne.”

Nga vendet e historisë së Kishës do të vazhdohet të ofrohen vizita turistike nëpërmjet internetit për individët, familjet dhe grupet, edhe teksa riparaqiten vizitat turistike me prani fizike. Vizitat turistike mund të planifikohen për vendet e mëposhtme: Vendlindja e Jozef Smithit, Korija e Shenjtë, Kodra Kumorah, Vendi i botimit të Librit të Mormonit, Vendi i Rivendosjes së Priftërisë, Ferma e Familjes Uitmer, Kirtlandi Historik, Qendra e Vizitorëve në Indipendensë, Burgu i Libertisë, Tabernakulli i Seint-Xhorxhit, Qendra e Batalionit Mormon në San‑Diego dhe Qendra e Shtegut të Mormonëve në Lagjet Dimërore. Vizitat turistike mund të rezervohen tani nga një vend i vetëm në faqen e internetit të Kishës – https://www.churchofjesuschrist.org/learn/historic-sites/virtual-tours-by-location?lang=eng

Burimet e fotografive:

Korija e Shenjtë (churchofjesuschrist.org)

https://newsroom.churchofjesuschrist.org/article/church-historic-sites-begin-reopening

https://www.churchofjesuschrist.org/learn/historic-sites/illinois/historic-nauvoo?lang=eng