Veshjet e Brendshme të Tempullit dhe Veshja Fetare

Mësoni më Shumë mbi Veshjen e Shenjtë dhe Fenë

Woman outside Preston Temple

Ndër shekuj, njerëz të shumë besimeve kanë përdorur veshje të shenjta për të simbolizuar përkushtimin e tyre ndaj Perëndisë. Veshja e shenjtë merr një larmi të gjerë formash në kultura dhe fe të ndryshme – merrini parasysh, për shembull, petkun e murgeshës, veladonin e priftit, shallin e lutjes të judeut, kësulën e myslimanit dhe togën e murgut budist. Për shenjtorët e përkushtuar të ditëve të mëvonshme, veshja e shenjtë përfshin veshjet e brendshme të tempullit, si edhe veshjet ceremoniale të tempullit, të cilat vishen vetëm brenda tempujve të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Çfarë janë veshjet e brendshme të tempullit?

Veshjet e brendshme të tempullit vishen vetëm nga anëtarë të rritur të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që kanë bërë premtime të shenjta besnikërie ndaj ungjillit të Jezu Krishtit në tempujt e shenjtë. Veshja e brendshme e tempullit ngjan me modelin e veshjeve të brendshme tipike të thjeshta. Ajo është e bardhë, me dy pjesë dhe vishet çdo ditë poshtë veshjeve të zakonshme.

Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme që mbajnë veshje të brendshme tempulli, ajo është një kujtues i vazhdueshëm fizik i një zotimi vetjak shpirtëror (shih “To the Point”, Liahona, shtator 2012, f. 47). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se veshja e brendshme e tempullit është “një kujtues i besëlidhjeve të shenjta të bëra me Zotin në shtëpinë e Tij të shenjtë, një mbulesë mbrojtëse për trupin dhe një simbol i thjeshtësisë së veshjes dhe të jetuarit që duhet të karakterizojë jetën e të gjithë pasuesve të përulur të Krishtit” (Carlos E. Asay, “The Temple Garment: ‘An Outward Expression of an Inward Commitment’”, Ensign, gusht 1997, f. 20). Tallja me veshjen e shenjtë të tempullit ose referimi ndaj saj si “të brendshme magjike” është jashtëzakonisht fyese për shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

Çfarë janë veshjet ceremoniale të tempullit?

Ndryshe nga veshja e brendshme e tempullit, të cilën shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme e veshin ditë e natë, veshjet ceremoniale të tempullit vishen vetëm brenda tempujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Të quajtura edhe si veshjet e priftërisë së shenjtë, veshjet ceremoniale të tempullit mbahen vetëm për sakramentet më të larta të besimit.

Ngjyra e bardhë e veshjeve ceremoniale të tempullit ka kuptimin e dëlirësisë. Nuk ka shenja dalluese apo grada në veshjet ceremoniale të tempullit – burrat dhe gratë veshin veshje të ngjashme dhe veshjet janë të njëjta për cilindo që nga anëtari më i ri në kohë deri te udhëheqësi më i vjetër në Kishë. Veshjet ceremoniale të tempullit janë rroba të thjeshta që ndërthurin simbolikën fetare me jehona të traditës së lashtë priftërore, siç shënohet në Dhiatën e Vjetër (shih Eksodi 35:19, 21; 40:13).

Në ç’mënyrë mund të mësoj më shumë?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se tempujt janë mes vendeve më të shenjta në tokë. Ato janë shtëpi të Zotit dhe vende paqeje, strehimi dhe mësimi. Për të mësuar më shumë për tempujt dhe besimet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, vizitoni ejanitekrishti.org.

Pjesa më e madhe e këtij artikulli është një përmbledhje e artikullit “Temple Garments [ Veshjet e Tempullit]” nga këndi i internetit të Redaksisë Mormone. Ju lutemi shiheni atë artikull për më shumë informacion mbi veshjen që është e shenjtë për shenjtorët e ditëve të mëvonshme.