Më shumë se dy vjet pas fillimit të konfliktit në atdheun e tyre, ukrainasit e zhvendosur vazhdojnë të mbajnë shpresat se do të kthehen në shtëpitë e tyre ndërsa ndërtojnë një jetë të re në vende të reja. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ka ndihmuar La Rëskruçen, një kishë ungjillore që drejton një qendër komunitare në Iashi të Rumanisë, duke u ofruar ndihmë refugjatëve që jetojnë atje.
Adrian Paladi nga La Rëskruçe, pa një nevojë në rritje për ushqime bazë dhe artikuj higjiene për ukrainasit që jetojnë në Iashi dhe kërkoi ndihmë nga Kisha. Dy vjet më parë, kur filloi konflikti në Ukrainë, kisha La Rëskruçe dhe Kisha bashkëpunuan për të shpërndarë komplete higjiene të dhuruara nga Kisha. La Rëskruçe gjithashtu i ofroi shërbim humanitar drejtpërdrejt Ukrainës në këto qytete: Odesa, Ismail, Vinitsa, Kiev, Hmelinski dhe Herson. Në Ukrainë janë kryer më shumë se 25 udhëtime për ndihmë.
Djem e vajza në një çadër refugjatësh
Ushqim për refugjatët
Mbledhja e ushqimit për refugjatët
Shumica e ukrainasve në Rumani janë gra, fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara. Kufizimet gjuhësore, nevoja për t’u kujdesur për fëmijët e vegjël dhe sfidat fizike, e bëjnë të vështirë që ata të gjejnë një vend pune. Ndër të tjera, për shkak të kohëzgjatjes së konfliktit, burimet përkrahëse janë zvogëluar.
Në përgjigje të kërkesës, Kisha dhuroi ushqime bazë dhe sende higjiene për 250 familje ukrainase. Bashkësia e La Rëskruçes u bashkua me anëtarët e Kishës në qendrën e La Rëskruçes për të mbledhur ushqimin dhe sendet e higjienës. Kisha gjithashtu dhuroi 3 000 vakte ushqimore të përgatitura gjatë një periudhe dymujore për ukrainasit në Iashi, që janë të pamundur të dalin nga shtëpia, duke u dhënë mundësinë të shijojnë një vakt të ngrohtë çdo ditë.
Dikush që mori ndihmën i shkroi Adrianit këto fjalë: “Faleminderit që jeni gjithmonë me ne, me njerëzit nga Ukraina. Për mbështetjen dhe kujdesin, për mundësinë për të na ndihmuar në momente të vështira.” Një tjetër shkroi: “Kur shpaketova çantat e produkteve fillova të qaj dhe falënderoj Zotin që ka njerëz si ju në tokë”.
Adriani shpjegoi se përveç ndihmës materiale për refugjatët, është edhe një kujtues se ata nuk janë të harruar dhe nuk janë vetëm. Ky bashkëpunim ndërfetar ka bekuar familjet ukrainase që morën ushqime dhe sende higjiene duke krijuar miqësi të reja, mirëbesim dhe mirëkuptim për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë projekt.