Mesazh i Udhëheqjes Zonale 

Ungjilli Është Përgjigjja për të Gjitha Pyetjet dhe Problemet e Jetës 

Fuqia e Shpirtit të Shenjtë na ndihmon të dallojmë nxitjet e Perëndisë dhe domethënien e duhur të ngjarjeve që na ndodhin, ose na ndihmon të marrim vendime. 

Plaku Martin Pilka
Plaku Martin Pilka I Shtatëdhjetë Zonal në Zonën e Europës Qendrore

Kur unë dhe bashkëshortja ime vizituam së fundmi Solt Lejk Sitin, na duhej të gjenim rrugës një bankomat (ATM). Ndërkohë që po kërkonim, ne dëgjuam një zë nga një makinë e parkuar pas nesh, të thoshte: “Po kërkoni ndonjë gjë? A mund t’ju ndihmoj?” Burri, i cili na tha se quhej Majk, shtoi duke buzëqeshur se ndoshta dukej e çuditshme që një i panjohur të na thërriste nga makina, por në Jutë nuk kishim pse të habiteshim nga kjo. Na pyeti se nga vinim dhe, kur mori vesh se ishim nga Praga, i ndritën sytë. Ai kishte folur së fundmi me një miken e tij, e cila kishte probleme me marrjen e informacionit për paraardhësit e saj nga Republika Çeke, ndaj ai menjëherë mendoi a kishte ndonjë gjë që mund të bënim për ta ndihmuar. U përgjigjëm se do të ishim të lumtur po t’i dërgonim kontakte të vëllezërve dhe motrave, të cilët po bënin gjenealogjinë në vendin tonë. Ai na falënderoi, thamë mirupafshim dhe ai hipi në makinën e tij. Ndërsa po largoheshim, vumë re se Majku kishte dalë sërish nga makina dhe po vinte drejt nesh. Megjithatë, këtë herë, buzëqeshja e gëzuar ishte zëvendësuar nga emocioni. 
Me lot në sy, ai na tha se sa mirënjohës ishte për takimin tonë të shkurtër dhe që ndjeu nxitjen të zbriste nga makina. Ishte përpjekur pa sukses ta ndihmonte miken e tij për gjeneologjinë në Bohemi për një kohë të gjatë dhe për shkak të moshës së saj të thyer, ajo po e humbiste shpresën se do t’i gjente paraardhësit e saj në Bohemi. Edhe Majku qe gati të dorëzohej, por një ditë më parë, kur vizitoi tempullin, ai ndjeu se zgjidhja do të vinte dhe ajo erdhi nëpërmjet nesh. Ndaj ai donte të na tregonte gëzimin dhe mirënjohjen që ndjeu nga një dëshmi tjetër se sa mrekullisht vepron udhërrëfimi i Perëndisë në jetën tonë. 

 

Një djalë i ri duke u lutur.

Ne e dimë nga shkrimet e shenjta premtimin e Moronit në lidhje me mënyrën për ta ditur vërtetësinë e Librit të Mormonit, që shpall: “Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” [1]. Mbi bazën e këtij premtimi, ne presim të marrim kuptueshmëri, njohuri shpirtërore dhe përgjigje për pyetjet themelore rreth besimit, të vërtetës së shkrimeve të shenjta, ose rivendosjes së ungjillit nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. 
Por ky premtim prek gjithashtu jetën e secilit prej nesh në gëzimet dhe shqetësimet tona të përditshme. Fuqia e Shpirtit të Shenjtë na ndihmon të dallojmë nxitjet e Perëndisë dhe domethënien e duhur të ngjarjeve që na ndodhin, ose na ndihmon të marrim vendime. Secili anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e merr dhuratën e Shpirtit të Shenjtë pas pagëzimit dhe ne kemi privilegjin e gëzimit të shoqërimit të Tij. Por kemi gjithashtu edhe lirinë e zgjedhjes për të vendosur se sa shumë ndikimi i këtij Shpirti do të na shpaloset në jetën tonë, nëse do ta ndiejmë dhe kuptojmë udhërrëfimin e Tij po të jetojmë me dëlirësi dhe përpiqemi fort të jetojmë sipas Ungjillit të Jezu Krishtit, ose në të kundërt, nëse nganjëherë veprimet ose mendimet tona do ta largojnë Atë prej nesh. Presidenti Nelson na mësoi: “Ne gjithashtu e dëgjojmë Atë më qartë teksa e përpunojmë aftësinë tonë për t’i dalluar pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë. Asnjëherë nuk ka qenë më e domosdoshme ta dini se si ju flet Shpirti sesa është pikërisht tani. Në Kreun-Perëndi, Fryma e Shenjtë është lajmëtari. Ai do t’ju sjellë në mendje mendime që Ati dhe Biri dëshirojnë që ju t’i merrni. [2]” 

 

Jezu Krishti duke drejtuar me dritën e mirësisë së Tij.

Alma tha se “nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen” [3]. Ju dëshmoj që nuk ka gjë më të madhe e më të rëndësishme në jetën tonë, sesa nëpërmjet këtyre përvojave të vogla me Shpirtin ne të arrijmë të njohim dashurinë, kujdesin dhe hirin e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Unë e di se Perëndia ekziston dhe e di se Biri i Tij, Jezu Krishti, është ngritur dhe jeton. Ai është Shpëtimtari juaj dhe i imi dhe kjo ma mbush zemrën me gëzim dhe mirënjohje. Mënyra se si e jetojmë jetën tonë të përditshme e lejoftë Shpirtin të na përçojë atë që Ati dhe Biri dëshirojnë për ne! Arritshim t’i njohim Ata më plotësisht duke i kuptuar këto mesazhe, pasi “kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” [4]
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.


1. Moroni 10:4-5

2. Rasëll M. Nelson, 'Dëgjojeni Atë', Konferenca e Përgjithshme, Prill 2020

3. Alma 37:6

4. Gjoni 17:3