Solt‑Lejk‑Siti, Jutë

Udhëheqësit e Kishës i ftojnë të gjithë t’i afrohen pranë Jezu Krishtit dhe të jenë paqebërës

Njoftohen tempuj të rinj, Autoritete të reja të Përgjithshme dhe një Presidencë e re e Përgjithshme e Të Rinjve në Konferencën e Përgjithshme të Prillit 2025 të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

“Si pasues të Jezu Krishtit, ne duhet të prijmë udhën si paqebërës.  Teksa dashuria hyjnore bëhet pjesë e natyrës sonë, ne do ta humbasim shtysën që t’i poshtërojmë të tjerët. Dashuria hyjnore ndaj të gjithë njerëzve është thelbësore për përparimin tonë”, – tha Presidenti Rasëll M. Nelson në Konferencën e Përgjithshme të Prillit 2025 të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që u zhvillua më 5–6 prill 2025 në Solt‑Lejk‑Siti të Jutës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

President Russell M. Nelson
Presidenti Rasëll M. Nelson, i Presidencës së Parë, flet në mbarim të konferencës së përgjithshme gjatë sesionit të pasdites të së dielës në Qendrën e Konferencave në Solt Lejk Siti, Jutë, më 6 prill 2025.

Presidenti Nelson njoftoi ndërtimin e 15 tempujve të rinj, duke e çuar në 382 numrin total të tempujve të njoftuar, që janë në ndërtim e sipër ose në funksionim. Tempujt do të ndërtohen në vendndodhjet në vijim:

  • Reinosa, Meksikë
  • Çorijos, Peru
  • Rivera, Uruguaj
  • Kampo‑Grande, Brazil
  • Porto, Portugali
  • Ujo, Nigeria
  • San‑Hoze‑del‑Monte, Filipine
  • Njumea, Kaledonia e Re
  • Liverpul, Australi
  • Kolduell, Ajdaho, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • Flegstaf, Arizonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • Rapid‑Siti, Dakota e Jugut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • Grinvill, Karolina e Jugut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • Norfolk, Virxhinia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • Spenish‑Fork, Jutë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Konferenca e Përgjithshme e Kishës është një ngjarje globale që ndiqet nga anëtarët dhe individët e interesuar në mbarë botën. Ajo zhvillohet fundjavën e parë të muajit prill dhe muajit tetor dhe të pesta sesionet jepen dhe transmetohen drejtpërsëdrejti në shumë kombe në botë. Materialet e konferencës përgatiten në më shumë se 100 gjuhë gjithsej.

Në sesionin e hapjes, Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë të Kishës, njoftoi 16 Autoritete të reja të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë dhe një Presidencë të re të Përgjithshme të Të Rinjve. Presidenti Ouks njoftoi edhe që Plaku Kevin R. Dankan është thirrur të shërbejë në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, duke hyrë në fuqi më 1 gusht 2025. Ai do të zëvendësojë Plakun Zhozé A. Teisheira, i cili ka shërbyer në presidencë që nga viti 2018.

The First Presidency during General Conference
Presidenti Rasëll M. Nelson (në qendër) me këshilltarët e tij, Presidentin Dallin H. Ouks (majtas) dhe Presidentin Henri B. Ajring (djathtas) përpara sesionit të pasdites të së dielës të konferencës së përgjithshme në Qendrën e Konferencave në Solt Lejk Siti, Jutë, më 6 prill 2025.

Një nga 16 Autoritetet e reja të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë që u thirrën, është Mikael Cizla, nga Damshtadi i Gjermanisë. Ai është i martuar me Margret En Rauhin dhe janë prindër të pesë fëmijëve. Autoritetet e Përgjithshme Të Shtatëdhjetë janë udhëheqës të Kishës që thirren nga Presidenca e Parë për të qenë “dëshmitarë të veçantë” dhe për të ndihmuar për “ngritjen e kishës dhe rregullimin e të gjith[a] punëve të saj” dhe “për predikimin dhe administrimin e ungjillit” në të gjithë botën. Ata veprojnë nën drejtimin e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Në sesionin e udhëheqjes që u zhvillua të enjten, më 3 prill 2025, u njoftuan 78 Të Shtatëdhjetë të rinj Zonalë, mes tyre, Matias A. Frosti, nga Haidelbergu i Gjermanisë dhe Samuel Lopezi nga Spanja, i cili aktualisht jeton në Karben të Gjermanisë. Ata do të fillojnë të shërbejnë në Zonën e Europës Qendrore nga data 1 gusht 2025.

Presidenti Xhefri R. Holland, President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth virtyteve të fëmijëve dhe rinisë dhe dashurisë së tyre të pastër për Jezu Krishtin. “A ka diçka më të ëmbël, më të pastër apo më të përulur sesa lutja e një fëmije? Është sikurse parajsa të gjendet në dhomë. Perëndia dhe Krishti janë kaq të vërtetë për ta”, – tha Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Relief Society General President Camille N. Johnson
Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonson, flet në sesionin e paradites të së shtunës të konferencës së përgjithshme në Qendrën e Konferencave në Solt Lejk Siti, Jutë, më 5 prill 2025.

Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonson, tregoi histori të grave në Bibël dhe foli për rolin e besimit për t’u “shëruar plotësisht”. “Nëpërmjet besimit tonë te Jezu Krishti, ne mund të kërkojmë të shërohemi plotësisht shpirtërisht ndërsa presim dhe shpresojmë për shërim fizik dhe emocional”, – tha ajo.

Në sesionin e pasdites, Plaku Nil A. Andersen foli për mbrojtjen e jetës, veçanërisht të atyre që janë në barkun e nënës. “Inkurajimi dhe mbrojtja e jetës ende në barkun e nënës, nuk është një qëndrim politik. Ai është një ligj moral i konfirmuar nga Zoti nëpërmjet profetëve të Tij”, – tha ai.

a family sitting together and watching General Conference
Një familje nga Madagaskari sheh sesionin e paradites të konferencës së përgjithshme të shtunën, më 5 prill 2025.

Gjatë sesionit të mbrëmjes të së shtunës të konferencës së përgjithshme të prillit 2025, Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i ftoi të gjithë ta bëjnë Jezu Krishtin qendrën e jetës së tyre dhe të kremtimeve të Pashkës.

“Krishti është në qendër të Kishës së Tij dhe duhet të jetë në qendër të jetës sonë”, – dha mësim ai, duke shtuar: “Dëshmoj se të gjithë ata që i pranojnë ftesat nga profeti ynë i gjallë dhe këshilltarët e tij për t’i përkujtuar më qëllimisht ngjarjet e shenjta që Pashka përfaqëson, do të zbulojnë se lidhja e tyre me Jezu Krishtin bëhet gjithnjë e më e fortë”.

“Perëndia siguron dhurata dhe mbrojtje në vdekshmëri për fëmijët e Tij që i ndihmojnë ata të bëjnë zgjedhje të drejta”, – dha mësim Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë të Kishës, në përfundim të sesionit të paradites të së dielës. Krahas urdhërimeve, ordinancave, besëlidhjeve dhe Frymës së Shenjtë, ai tha se “pa dyshim, ndihma më e fuqishme e Perëndisë në vdekshmëri ishte sigurimi nga ana e Tij i një Shpëtimtari, Jezu Krishtit, i cili do të vuante për të paguar çmimin dhe siguruar falje për mëkatet për të cilat pendohemi”.

children walking outside the Conference Center next to statues
Të pranishmit në konferencë ndalojnë dhe vëzhgojnë statujën “Vegimi i Parë” përpara sesionit të mbrëmjes të së shtunës të konferencës së përgjithshme në Qendrën e Konferencave në Sheshin e Tempullit në Solt Lejk Siti, Jutë, më 5 prill 2025.

Plaku Dejvid A. Bednar, i cili kohët e fundit bëri një vizitë në disa vende europiane, foli për “përvoja[t] mrekullibërëse” të Jozef Smithit që çuan në organizimin formal të Kishës 195 vjet më parë. Plaku Bednar e vuri theksin te roli që luan lutja. “Teksa luteni me zell, me pritshmërinë që njëkohësisht të merrni një përgjigje nga Perëndia dhe të veproni sipas saj, sikurse bëri i riu Jozef Smith, aftësia juaj për ta dalluar dhe për të reaguar ndaj asaj dëshmie hyjnore do të rritet”, – tha ai.

Në sesionin përmbyllës të konferencës, në pasditen e së dielës, Plaku Ulises Soares shprehu rëndësinë e adhurimit të Perëndisë dhe respektimit të urdhërimeve të Tij. “Nderimi për gjërat e shenjta është shfaqja më e madhe e një cilësie shpirtërore jetike; ai është rezultat i lidhjes që kemi me shenjtërinë, dhe reflekton dashurinë për Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, si dhe afërsinë tonë me Ta.”

Presidenti Nelson, në fjalën e tij përmbyllëse që i dha fund konferencës, tha se “adhurimi i rregullt në shtëpinë e Zotit e rrit aftësinë tonë si për dashuri hyjnore edhe për virtyt. Po kështu, koha në tempull e rrit vetëbesimin tonë përpara Zotit. Më shumë kohë në tempull do të na ndihmojë të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit”, – e përmbylli ai.