Udhëheqësi i Kishës Ndërkombëtare u Drejtohet Qindra Personave në Bukuresht, Takohet me Udhëheqës Qeveritarë, Fetarë dhe Civilë

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, vizitoi Bukureshtin e Rumanisë, të dielën, ku u foli mbi 600 njerëzve të mbledhur për një konferencë kombëtare.

Mbledhja bashkoi anëtarë të Kishës dhe të ftuar nga anembanë vendit, si edhe përfaqësues të qeverisë, organizatave fetare, humanitare e civile, si dhe akademikë, përfshirë Çiprian Oliniçin, Sekretar Shteti i Rumanisë për Çështjet Fetare.

Pjesëmarrës të tjerë përfshinë Doktorin [Shkencor] Laurenciu Tanase nga Universiteti i Bukureshtit; Madalin Avrameskun të Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë; Ervin Juseinin dhe Muxhahit Binerin të Shoqatës Islamike për Dialog dhe Vlerë Universale; priftin ortodoks, Alin Ardeleanun; Popesku Azotën e Shoqatës OJF “Catharsis Brașov”; dhe Bartolomeu Konstantin Savojun, Mjeshtrin e Madh të Lozhës Kombëtare Madhore të Rumanisë.

Mesazhet kryesore të konferencës përfshinë një theks te dishepullimi i krishterë dhe rëndësia e besimit dhe integritetit vetjak në jetën e përditshme.

Pjesëmarrësit e përshkruan mbledhjen si një forum dobiprurës për forcimin e vlerave të përbashkëta morale dhe forcimin e angazhimit ndërfetar. Avramesku e quajti atë “gjest mirëbesimi e dialogu”, ndërsa Juseini theksoi rëndësinë e bashkëbisedimit të vazhdueshëm mes komuniteteve besimtare për të trajtuar koncepte të gabuara dhe përcaktuar fusha bashkëpunimi.

Plaku Xhek N. Xherard, Këshilltar i Parë në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore të Kishës, u tha përfaqësuesve civilë dhe fetarë: “Ne ju nderojmë e respektojmë”.

Pasdite, Plaku Renland u ftua në Katedralen Patriarkale dhe Pallatin Patriarkal nga Kisha Ortodokse e Rumanisë.

“Vizita jonë pasqyron një dëshirë të sinqertë për të dëgjuar, mësuar e ndërtuar lidhje të respektueshme”, − tha Plaku Renland. “Dialogu dhe kuptueshmëria mes besimeve fetare mund të ndihmojnë që të forcohen komunitetet dhe të rritet mirëbesimi.”

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Rumani u themelua për herë të parë në vitin 1899 dhe mori njohjen zyrtare si besim fetar në vitin 2011. Ajo ka bashkësi në disa qytete rumune dhe merr pjesë në nisma humanitare dhe ndërfetare anembanë vendit.