Udhëheqës Diplomatikë Mblidhen në Gjenevë

Përfaqësues të diplomacisë, udhëheqës të komunitetit dhe miq nga e gjithë bota u mblodhën në Gjenevë këtë mbrëmje për një darkë me rastin e Krishtlindjes, që u organizua nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ngjarja kremtoi frymën e periudhës dhe nderoi përpjekjet kuptimplota bamirëse e diplomatike që u vunë në zbatim në Gjenevë gjatë gjithë vitit.

Programi filloi me një urim mirëseardhjeje nga Xhozef dhe Xhen Kenoni nga Zyra e Kishës në Gjenevë dhe Latter-day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme]. Ata shprehën vlerësim për misionet diplomatike, OJF-të dhe partnerët që kanë punuar në bashkëpunim në vitin 2025 për të forcuar familjet, për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve dhe për të përkrahur paqen.

Stefano Bosko, Drejtori i Zyrës së Gjenevës, theksoi rolin unik të Gjenevës si një qendër për dialogun dhe bashkëpunimin, duke vënë theksin tek aktet e shumta të shërbimit në heshtje dhe te bashkërendimi që e bën të mundur përparimin e punës bamirëse. Ai vuri re se Krishtlindja siguron një çast për t’i vlerësuar këto ndihmesa dhe për ta përtërirë zotimin për t’u shërbyer të tjerëve.

Kësaj i bëri jehonë ambasadori Ivan Emilio de Hezus Ogando Lora, përfaqësuesi i përhershëm i Republikës Domenikane: “Ne shohim shumë gjëra që po ndodhin në botë, shumë njerëz që mendojnë rreth individualizmit. Bëhet fjalë për dhënien, kjo periudhë të fton të japësh. Kjo është më së shumti kultura domenikane.”

Plaku Ruben V. Alliod, President i Zonës së Europës Qendrore të Kishës, që qe i pranishëm me bashkëshorten, Motrën Fabiana Alliod, mbajti një fjalim si folës kryesor rreth nismës “Ndriçoje Botën”. Plaku Alliod dha një mesazh që përqendrohej te Jezu Krishti dhe bëri thirrje për të ofruar shpresë, dashamirësi dhe paqe.

“Këto darka janë një mënyrë e thjeshtë për t’i falënderuar të gjitha vendet, njerëzit dhe organizatat që bashkohen për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për të sjellë dritë në jetën e tyre, duke ndjekur shembullin që Jezu Krishti e dha aq mirë”, – tha ai. “Kisha është një organizatë globale dhe është e pranishme në shumë vende. Ndihma dhe bamirësia që ne japim çdo vit, realizohet nëpërmjet organizatave dhe njerëzve të mirë në të gjitha ato vende që mund t’i përcaktojnë më mirë nevojat reale. Ambasadorët dhe OJF-të ndihmojnë për të sjellë dritë në botë dhe kjo është ajo që kremtojmë sonte.”

Mbrëmja përmbante interpretime kulturore, duke vënë në dukje larminë dhe bukurinë e komunitetit global të përfaqësuar në Gjenevë. Artistët ofruan muzikë dhe vallëzim nga vendlindjet e tyre, duke ndihmuar të krijohej një atmosferë miqësie dhe shkëmbimi kulturor.

Ambasadori Pol Empole Losoko Efambe, përfaqësues i përhershëm i Republikës Demokratike të Kongos, tha: “Ju falënderojmë për demonstrimin e dritave të botës, demonstrimin nëpërmjet vallëzimit dhe mënyrës se si e shohim botën së bashku si grup, si familje”.

Interpretimet u bënë nga Republika Demokratike e Kongos, Indonezia, nga një grup rinor i Samoas në Oqeanin Paqësor, nga Republika Domenikane dhe nga grupet hungareze L’Ensemble Pannonia, Danses Hongroises dhe Bojóca.

“Ne të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë. Nuk ka rëndësi nga cili vend ose nga cila kulturë vini ose çfarë lloj ushqimi hani ose çfarë vallëzimesh bëni, ne kemi një gjuhë universale dashurie dhe drite”, – tha Plaku Joep Boudevijn Bum, një udhëheqës (I Shtatëdhjetë Zonal) në zonën e Europës Qendrore.

Çdo interpretim nxori në pah traditat dhe frymën e një krahine të ndryshme, duke i bashkuar të ftuarit në vlerësimin për kulturat që e pasqyrojnë tablonë ndërkombëtare të Gjenevës.

Ambasadori Nela Pepe Tavita-Levi, një përfaqësues i përhershëm i shtetit të pavarur të Samoës, u shpreh: “Kultura samoase bazohet te dashuria, respekti dhe përulësia. Samoa është një vend me themelet te Perëndia dhe ne përpiqemi të flasim dhe të jetojmë me dashuri dhe respekt dhe, më e rëndësishmja, të kemi një qëndrim shërbimi, t’u shërbejmë të tjerëve.”

Gjatë gjithë mbrëmjes, të ftuarit e vunë re ngrohtësinë dhe shoqërimin që e shenjoi mbledhjen, një shprehje e mesazhit të paqes dhe vullnetit të mirë të Krishtlindjes. Shumë njerëz reflektuan mbi mënyrën se si është bërë i mundur përparimi i Gjenevës në veprimet bamirëse, në diplomaci dhe në bashkëpunimin ndërfetar kur individët dhe institucionet punojnë së bashku për t’i lartësuar të tjerët shpirtërisht.

“U ndiem si familje. Nuk i kisha takuar më parë këta njerëz, por u takuam, folëm dhe ndiem një lidhje. Ajo lidhje gjithashtu vjen për shkak se jemi vëllezër e motra. U ndiem sikur bota u bë bashkë”, – tha Plaku Iv Vajdman, një I Shtatëdhjetë Zonal tjetër në zonën e Europës Qendrore.

Darka e Krishtlindjes shërbeu jo vetëm si një kremtim i kësaj periudhe, por edhe si një nderim për të mirën e kryer gjatë gjithë vitit. Kisha shprehu vlerësim për bashkëpunimet që e bëjnë të mundur një punë të tillë dhe e ripohoi zotimin e saj për të shërbyer me përulësi, dhembshuri dhe dashuri si ajo e Krishtit.