Udhëheqësit mbarëbotërorë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, theksuan shtegun drejt paqes vetjake nëpërmjet Jezu Krishtit pavarësisht nga rrënimet nga lufta dhe konflikti, gjatë konferencës së përgjithshme vjetore e botërore të besimit (e shtunë dhe e diel, 2 dhe 3 prill 2022).
Presidenti i Kishës, Rasëll M. Nelsoni, e dënoi konfliktin e armatosur si “një shkelje e lemerishme e gjithçkaje që dha mësim Zoti Jezu Krisht dhe e gjithçkaje që Ai përfaqëson” dhe iu lut dëgjuesve që “të bë[jnë] çmos që t’u j[apin] fund konflikteve personale që po ziejnë aktualisht në zemrën [e tyre] dhe në jetën [e tyre]”.

Presidenti Nelson theksoi nevojën vendimtare për “impulsi[n] pozitiv shpirtëror” që do të na “mbajë në lëvizje përpara mes frikës dhe pasigurisë së krijuar nga pandemitë, cunamet, shpërthimet vullkanike dhe armiqësitë e armatosura”.
Motra Suzën H. Porter, presidentja e sapothirrur e organizatës së Fillores (të fëmijëve) tha: “Edhe pse mund të ndiheni [të] vetme teksa stuhitë e jetës po tërbohen, ju mund të rrezatoni një dritë në errësirën e keqkuptimit, pështjellimit dhe mosbesimit”.
“Drita juaj e besimit te Krishti mund të jetë e qëndrueshme dhe e sigurt, duke i çuar njerëzit përreth jush drejt sigurisë dhe paqes, … zemrat mund të ndryshohen dhe jetët mund të bekohen kur ofrojmë një çikë kripë, një lugë me maja dhe një rreze drite”, – shtoi ajo, duke folur gjatë sesionit të grave në konferencë.
Plaku Patrik Kiëron, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, i ngushëlloi ata që kanë vuajtur nga keqtrajtimi ose tragjedi të tjera në jetën e tyre. “Shpëtimtari ynë mëshirëplotë, fitimtar mbi errësirën dhe shthurjen, ka fuqi për t’i ndrequr të gjitha gabimet”, – tha ai. “Jezusi i ka mposhtur keqtrajtimet e kësaj bote për t’ju dhënë fuqi jo vetëm që të mbijetoni, por që një ditë, nëpërmjet Tij, të mposhtni dhe madje të dilni fitimtarë.”

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, bëri thirrje për më shumë paqebërës në botë. “Me anë të mburojës së besimit tonë te Jezu Krishti, ne bëhemi paqebërës, fashitës, që do të thotë t’i venitësh, t’i shuash ose t’i fikësh, të gjitha shigjetat e zjarrta të kundërshtarit”, – deklaroi ai. Të jesh paqebërës nuk është njëlloj si të jesh pasiv. Përkundrazi, shpjegoi Plaku Andersen, paqebërësit “janë bindës sipas mënyrës së Shpëtimtarit”.
Ngjarja nga Qendra e Konferencave në Solt-Lejk-Siti, Jutë, SHBA, u hap për publikun për herë të parë që nga fillimi i pandemisë Covid por me një kapacitet të pakësuar prej 10 000 pjesëmarrësish.
Thirrjet e 12 udhëheqësve të rinj u njoftuan në konferencën e përgjithshme të prillit 2022. Këto thirrje përfshijnë gjashtë Autoritete të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë dhe Presidencat e reja të Përgjithshme për Shoqatën e Ndihmës (organizatën e grave) dhe Filloren. Udhëheqëset e reja të Shoqatës së Ndihmës dhe Fillores do ta fillojnë shërbimin e tyre më 1 gusht. Gjatë sesionit të udhëheqjes të konferencës së përgjithshme më 31 mars, u njoftuan 45 Të Shtatëdhjetë Zonalë të rinj nga 23 vende, përfshirë gjashtë nga Zona e Europës. Të Shtatëdhjetët Zonalë u caktuan për të shërbyer në vendndodhje të caktuara.
Në mbyllje të konferencës dyditore, Presidenti Rasëll M. Nelson njoftoi planet për të ndërtuar 17 tempuj të rinj në të gjithë botën, përfshirë dy në Europë. Ndërtesa e shenjtë në Barcelonë do të jetë tempulli i dytë në Spanjë, përveç Tempullit të Madridit në Spanjë. Tempulli në Birmingam do të jetë tempulli i tretë në Mbretërinë e Bashkuar. Tempulli i Londrës në Angli u përkushtua në vitin 1958, me Tempullin e Prestonit në Angli që u hap në vitin 1998. Anglia është vendi i bashkësisë më të vjetër të Kishës në funksionim të pandërprerë.