Më 19 Dhjetor 2019, në ambjentet e Prefekturës së Durrësit u zhvillua një takim mjaft i rëndësishëm në kuadrin e ndihmave humanitare për familjet e prekura nga lëkundjet e tërmetit të datës 26 Nëntor 2019.
Autoritetet e pranishëm në këtë takim ishin, Presidenti i Kunjit Tiranë-Shqipëri, Medlir Mema, çiftet humanitare Boehn dhe Jones, si dhe Prefekti i Durrësit Z. Roland Nasto.
Gjatë takimit, i cili zgjati rreth 1 orë, autoritetet e Kishës shprehën gatishmërinë për familjet të cilave u janë shkatërruar banesat duke ofruar tenda dimërore, sëbashku me dyshekë, çarçaf dhe batanie, paketa të higjenës personale dhe ushqime.
Si rezultat i kësaj bisede, u evidentuan dy zona problematike; Bubq dhe Ishëm. Javës së ardhshme në këto zona do të dorëzohen 60 tenda dimërore (30 prej tyre do shkojnë në Bubq, dhe 30 në Ishëm), 200 paketa të higjenës personale dhe ushqime për 270 familje.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme vijon misionin e saj humanitar, për të ndihmuar njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe kudo në mbarë botën.