Solt‑Lejk‑Siti, Jutë

Udhëheqësit fetarë në konferencën mbarëbotërore bëjnë thirrje për t’i frymëzuar, lartësuar dhe ngritur moralisht të tjerët

Ndërsa përkujtojnë javën e shenjtë të Pashkës, miliona njerëz u mblodhën anembanë botës për Konferencën e Përgjithshme Vjetore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, më 1–2 prill 2023. Gjatë pesë sesioneve, të cilat u transmetuan drejtpërdrejt në 70 gjuhë, udhëheqësit fetarë mbarëbotërorë iu drejtuan anëtarëve dhe miqve me mesazhe të përqendruara te Jezu Krishti.

Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e hapi konferencën duke cituar studiuesin anglez të Dhiatës së Re, N. T. Rajtin, që fton për të “ndërmarr[ë] hapa për ta festuar Pashkën në mënyra të reja krijuese; në art, letërsi, lojërat e fëmijëve, poezi, muzikë, vallëzim, festivale, kambana, koncerte të veçanta”, pasi ky “është festivali ynë më i madh”. Ai i bën jehonë më tej: “Hiqni mënjanë Pashkën dhe ju nuk keni një Dhiatë të Re; nuk keni një krishterim”.

Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, tha se gëzimi i vërtetë qëndron në gatishmërinë e dikujt që t’i afrohet më shumë Krishtit dhe të dëshmojë vetë se Ai është Shpëtimtari i vet personal.

Në sesionin e pasdites të së shtunës, Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i inkurajoi prindërit që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të ndërtojnë besim te Jezu Krishti, ta duan ungjillin e Tij dhe të përgatiten për një jetë të tërë me zgjedhje të drejta. Ai i siguroi se Perëndia i do familjet dhe qëndron gjithmonë përkrah tyre.

Gjatë sesionit të paradites të së dielës, Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonson, i inkurajoi dëgjuesit të gjejnë lehtësim te Jezu Krishti, i cili mund t’i lehtësojë ngarkesat dhe t’i heqë barrët. Shoqata e Ndihmës është organizata e grave të Kishës.

Rasëll M. Nelsoni, Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e mbylli sesionin e paradites të së dielës me një lutje për t’u bërë paqebërës dhe për t’i respektuar të tjerët. Në një botë ku vulgariteti, gjetja e gabimeve dhe të folurit dashakeqës për të tjerët janë të gjitha tepër të zakonshme, njeriu duhet të përpiqet të ndjekë Shpëtimtarin duke qenë dashamirës me të tjerët. Presidenti Nelson dha mësim se dashuria hyjnore e përcakton një paqebërës dhe se është kundërhelmi ndaj grindjes.

Gjatë konferencës, anëtarët e Kishës gjithashtu mbështetën ndryshimet në udhëheqje. U thirrën pesë Autoritete të Përgjithshëm Të Shtatëdhjetë të rinj, midis tyre Plaku Alan T. Filips, nga Kenti, Angli dhe Plaku Kristof G. Zhiro-Karrier, nga Lioni, Francë.

Të Shtatëdhjetët në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shërbejnë si “dëshmitarë të posaçëm” dhe iu vijnë në ndihmë Dymbëdhjetë Apostujve për “ngritjen e kishës dhe rregullimin e gjithë punëve”.

Në mbyllje të sesionit të pasdites të së dielës të konferencës, Presidenti Nelson njoftoi planet për ndërtimin e 15 tempujve të rinj në të gjithë botën, njëri prej të cilëve me vendndodhje në Hamburg të Gjermanisë. Ky shënon tempullin e tretë në vend, përveç Tempullit të Frankfurtit, Gjermani dhe Tempullit të Frajbergut, Gjermani.

Në Europë ka 14 tempuj, me gjashtë tempuj të tjerë që janë njoftuar në konferencat e fundit.