SoltLejkSiti, Jutë 

Udhëheqësit e Kishës Inkurajojnë në Konferencën Globale Përqendrimin te Jezu Krishti 

“Ju bëj thirrje t’ia ripërkushtoni jetën tuaj Jezu Krishtit. Ju bëj thirrje të ndihmoni për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit”, – ishte mesazhi që iu dha anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga presidenti 100vjeçar i Kishës, Rasëll M. Nelsoni, në Konferencën e Përgjithshme të Kishës të tetorit 2024, në SoltLejkSiti të Jutës.  

Presidenti Nelson njoftoi gjithashtu ndërtimin e 17 tempujve të rinj në mbarë botën, duke përfshirë dy në Europë: në Dublin të Irlandës dhe në Milano të Italisë. Tempulli në Dublin të Irlandës do të jetë tempulli i parë në Irlandë, që është vendi i rreth 4 000 shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të cilët aktualisht udhëtojnë për në Angli për të adhuruar në tempull. Tempulli i Milanos në Itali do të jetë shtëpia e dytë e Zotit në vend. Tempulli i parë ishte Tempulli historik i Romës në Itali, që u përkushtua në vitin 2019 nga Presidenti Nelson. Italia është vendi i më shumë se 28 000 shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, në afro 100 bashkësi. 

Përveç 14 tempujve në funksionim në Europë, janë njoftuar tetë tempuj të rinj në konferencat e fundit, që arrijnë një total prej 10 tempujsh të rinj në këtë kontinent, si më poshtë:  

Vjenë, Austri  

Bruksel, Belgjikë  

Birmingam, Angli  

Budapest, Hungari  

Hamburg, Gjermani  

Milano, Itali 

Dublin, Irlandë 

Oslo, Norvegji  

Edinburg, Skoci  

Barcelonë, Spanjë  

Pasi njoftoi tempujt e rinj, Presidenti Nelson i ftoi dëgjuesit nga mbarë bota që t’i kushtojnë kohë çdo javë rritjes së kuptueshmërisë së tyre për Shlyerjen e Jezu Krishtit. “Ejani te Krishti dhe ‘dhuro[ja]ni tërë shpirt[in] tuaj’ Atij”, – ftoi Ai. “Ky është sekreti i një jete me gëzim!” 

Konferencat e përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme zhvillohen çdo vit në prill dhe tetor. Udhëheqësit mbarëbotërorë të Kishës u drejtohen anëtarëve dhe miqve anembanë globit. Pesë sesionet e konferencës, të zhvilluara më 5–6 tetor 2024, u transmetuan drejtpërdrejt në 70 gjuhë. 30 gjuhë të tjera janë përfshirë në regjistrimet në dispozicion pas disa ditësh. 

Presidentja Emili Bell Friman, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, foli për rëndësinë e besëlidhjeve ose marrëveshjeve të shenjta midis Perëndisë dhe njerëzve. “[N]e nuk bëjmë thjesht premtime besëlidhëse – ne duhet t’i mbajmë ato.” Presidentja Friman na kujtoi se besëlidhjet na lejojnë të ndiejmë fuqinë e Perëndisë që të veprojë brenda nesh. “Marrja e bukës dhe e ujit është një kujtues i përjavshëm i fuqisë së Tij që vepron brenda jush për t’ju ndihmuar që të mposhtni sprovat. Mbajtja veshur e veshjes së brendshme të priftërisë së shenjtë është një kujtues i përditshëm i dhuratës së fuqisë së Tij që vepron brenda jush për t’ju ndihmuar që të bëheni [si Perëndia].” 

“Kur shoh njerëz që tregojnë dashuri si të Krishtit për njëritjetrin, ndiej sikur ajo dashuri përmban më shumë sesa thjesht dashurinë e tyre; është dashuri që ka edhe Natyrë Hyjnore brenda saj”, – dha mësim Plaku Karl D. Hirst, Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, thirrur kohët e fundit nga Lenkëshëri i Anglisë. Ai pranoi se për shumë arsye mund ta kemi të vështirë ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë, duke na ftuar të “eksperimento[jmë], me durim, me mënyra të ndryshme për ta shprehur dhe marrë Dashurinë Hyjnore”. Dhe ju që e ndieni vërtet dashurinë e Perëndisë, “ju lutemi, përpiquni ta mbani fort atë me aq efektshmëri sa ç’mban ujin një kullojsë. Spërkateni kudo që të shkoni.” 

Plaku Patrik Kirën, anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nga Karlajlli i Anglisë, tha: “Ne jemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Ne jemi anëtarë të kishës së gëzimit.” Ai foli se si adhurimi me qëllim mund të krijojë një përvojë plot gëzim në kishë. “Nëse ende nuk e keni zbuluar këtë gëzim, nisuni në kërkim të tij. Kjo është një ftesë për të marrë prej Shpëtimtarit dhuratën e paqes, dritës dhe gëzimit – për t’u ngazëlluar me të, për t’u mrekulluar me të dhe për t’u gëzuar me të çdo Shabat.” 

Këshilltarja e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, Motra Kristin M. Ji, foli për një rast kur ajo ndjeu mbresën për të pikturuar një portret të Shpëtimtarit. Pasi e lerosi pikturën e saj të përfunduar, ajo ndjeu se kishte “shkatërruar atë që Perëndia [e] kishte ndihmuar të bë[nte]”. Ajo u lut dhe u përgjërua për ndihmë atë natë dhe pikturoi gjatë natës për t’i riparuar gjërat. Të nesërmen në mëngjes, piktura dukej më mirë se më parë. Po ashtu si Shpëtimtari e ndihmoi atë ta riparonte pikturën e saj në dukje të pariparueshme, Ai mund të na ndihmojë të gjithëve t’i mposhtim gabimet dhe të pendohemi. “Si me pikturën time, Zoti nuk ka mbaruar punë me ne kur bëjmë një gabim, as nuk zhduket kur ligështohemi. Nevoja jonë për shërim dhe ndihmë nuk është një barrë për Të, por vetë arsyeja pse Ai erdhi.” 

 Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për 10 vitet e ardhshme, duke theksuar se do të kemi më shumë shtëpi të hapura të tempujve, dyqindvjetorin e organizimit të Kishës në vitin 2030 dhe Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2034 që do të zhvillohen në SoltLejkSiti të Jutës. “Këto çaste të ardhshme do t’u ofrojnë anëtarëve të Kishës, kudo ku janë, mundësi të shtuara për të treguar lajmet e gëzuara të ungjillit të Jezu Krishtit nëpërmjet fjalës dhe veprës.” Ai i inkurajoi rininë dhe të rinjtë në moshë madhore të marrin pjesë në katër përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore: të jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, të përkujdesen për njerëzit nevojtarë, t’i ftojnë të gjithë që ta pranojnë ungjillin dhe t’i bashkojnë familjet për përjetësinë. “Ndërsa hyjmë në këtë dekadë të ardhshme me çaste të pashembullta, le të ndajmë lajmet e gëzuara nëpërmjet aktiviteteve të thjeshta të të jetuarit, të përkujdesjes, të ftesës dhe të bashkimit [me njëritjetrin].” 

“Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes janë rrënja e dëshmisë sonë. Gjithë gjërat e tjera janë degë”, – tha Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nga Gjermania. Ai theksoi rëndësinë e përqendrimit te Shpëtimtari kur kërkojmë një dëshmi për Librin e Mormonit, tempullin ose çdo aspekt të Ungjillit. “Nëse doni që degët e dëshmisë suaj të rriten dhe të japin frutë, ushqejini rrënjët.” Ai inkurajoi: “Dëshmia jonë do të vihet në provë dhe sprovohet. Besimi nuk është besim nëse nuk vihet kurrë në provë. Besimi nuk është i fortë nëse nuk kundërshtohet kurrë. Prandaj mos u dëshpëroni nëse keni sprova të besimit ose pyetje pa përgjigje.” 

Plaku Ruben V. Alliod, Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë dhe president i Zonës së Europës Qendrore të Kishës, foli për natyrën tonë si fëmijë të Perëndisë. “Shumë njerëz besojnë se ne jemi fëmijë të Perëndisë. … Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, ky mësim nuk është metaforik. … Ne besojmë vërtet se të gjithë ne jemi me plot kuptimin e fjalës fëmijë të Perëndisë.” Ai gjithashtu vërejti se “çdo herë që flasim për natyrën e Perëndisë, në njëfarë mënyre, disi, po flasim edhe për vetë natyrën tonë”. 

Qendra e Konferencave në SoltLejkSiti ishte thuajse e mbushur plot, pa pasur në fuqi kufizime për ndenjëset për Konferencën e Përgjithshme të tetorit 2024, hera e parë që kur u transmetua vetëm në formatin elektronik konferenca e prillit 2020, nga një sallë e vogël në Sheshin e Tempullit, për shkak të pandemisë nga COVID19.  

Muzika për konferencën u sigurua nga disa kore, përfshirë korin Tabernacle Choir të mirënjohur botërisht, me pesë pjesëmarrës të rinj nga vende të Europës, përfshirë Austrinë, Gjermaninë, Francën dhe Spanjën. 

Gjatë sesionit përmbyllës të konferencës, Presidenti Rasëll M. Nelson raportoi se restaurimet në Tempullin historik të SoltLejkut dhe Sheshin e Tempullit, që filluan pesë vjet më parë, parashikohen të përfundojnë nga fundi i vitit 2026.