Solt‑Lejk‑Siti, Jutë

Udhëheqësit e Kishës i Inkurajojnë Anëtarët të Bëjnë Besëlidhje dhe ta Thellojnë Marrëdhënien me Jezu Krishtin

Njoftohen 15 tempuj të rinj, njëri prej tyre në Edinburg të Skocisë

Kaloni më shumë kohë në tempull dhe jini më besnikë ndaj besëlidhjeve të Perëndisë, ishte ftesa që iu bë anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në mbarë botën në Konferencën e Përgjithshme të prillit 2024 të Kishës, të zhvilluar në Qendrën e Konferencave në Solt‑Lejk‑Siti. Rasëll M. Nelson, Presidenti i Kishës, shpalli: “Asgjë nuk do t’ju ndihmojë më shumë që të mbaheni te shufra e hekurit, sesa adhurimi në tempull aq rregullisht sa ta lejojnë rrethanat tuaja”.

Konferencat e përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme zhvillohen çdo gjashtë muaj. Udhëheqësit mbarëbotërorë të Kishës u drejtohen anëtarëve dhe miqve anembanë globit. Pesë sesionet e konferencës, të zhvilluara më 6–7 prill 2024, u transmetuan drejtpërdrejt në 70 gjuhë. 30 gjuhë të tjera janë përfshirë në regjistrimet në dispozicion pas disa ditësh. 

“Plani i Perëndisë është hartuar që ta çojë gjithkënd në shtëpi”, – tha Plaku Patrik Kirën, nga Anglia. Plaku Kirën është anëtari më i ri i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Plani i Perëndisë është hartuar për ta çuar secilin prej fëmijëve të Tij në shtëpi, jo për t’i lënë jashtë”, – shpalli ai.

Motra Xh. Enet Denis, udhëheqëse në organizatën e grave, foli për bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë. Ajo u kujtoi anëtarëve: “Ne kemi privilegjin dhe bekimin e të qenit të ftuar në një marrëdhënie besëlidhjesh me Perëndinë, në të cilën vetë jeta jonë mund të bëhet një simbol i asaj besëlidhjeje”. Ajo vazhdoi duke thënë se besëlidhjet krijojnë llojin e marrëdhënies që e lejon Perëndinë të na japë formë e të na ndryshojë me kalimin e kohës dhe të na lartësojë që të bëhemi më shumë si Jezu Krishti.

Plaku Masimo De Feo, Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë dhe President i Zonës së Europës Qendrore, përdori një histori nga Dhiata e Re rreth një të verbri për të dhënë mësim tre parime për mbajtjen e një shikimi të qartë shpirtëror. Parimi i parë është të përqendrohemi te Jezu Krishti dhe të qëndrojmë të vërtetë ndaj asaj që e dimë se është e vërtetë. Parimi i dytë është të “lëmë pas njeriun e natyrshëm, [të] pendohemi dhe [të] fillojmë një jetë të re në Krisht”. Parimi i tretë është ta dëgjojmë zërin e Zotit dhe ta lejojmë Atë të na udhërrëfejë.

 

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim hapat për të gjetur gëzim më të lartë nëpërmjet Jezu Krishtit, me gëzimin si vetë qëllimin e planit të Perëndisë për fëmijët e Tij.  Apostulli me origjinë gjermane tha: “Nëse e ndieni se mund të ketë më shumë nga ky lloj gëzimi në jetën tuaj, ju ftoj të niseni në udhëtimin e ndjekjes së Jezu Krishtit dhe udhës së Tij”.

Plaku Xhek N. Xherard, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore zgjodhi temën e integritetit moral. “Ushtrimi i integritetit moral në zgjedhjet tona është një shpërfaqje e jashtme e zotimit tonë të brendshëm për ta ndjekur Shpëtimtarin Jezu Krisht”, – tha ai.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na kujtoi të gjithëve: “Perëndia e dëgjon çdo lutje që ofrojmë, dhe i përgjigjet secilës prej tyre në përputhje me shtegun që Ai ka përvijuar për përsosjen tonë”. Plaku Holland më pas pohoi se “ndodh për arsye të njohura vetëm nga Perëndia që lutjet marrin përgjigje në mënyra të ndryshme nga ajo që shpresojmë, por ju premtoj se ato dëgjohen dhe marrin përgjigje sipas dashurisë së Tij të pashtershme dhe boshtit kohor të Tij kozmik”.

Motra Suzën H. Porter, udhëheqëse në programin e fëmijëve të Kishës, i ftoi të gjithë që të luten për ta njohur Perëndinë, për t’u rritur personalisht dhe për t’u treguar të tjerëve dashurinë e Perëndisë.

Gjatë konferencës, anëtarët e Kishës mbështetën ndryshimet në udhëheqje. U thirr Presidenca e re e Përgjithshme e Shkollës të së Dielës. Tetë Autoritete të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë u liruan nga thirrja dhe iu dha statusi i nderit. Njëmbëdhjetë Të Shtatëdhjetë Zonalë të rinj u thirrën nga e gjithë bota, tre prej tyre do të fillojnë të shërbejnë në Zonën e Europës Qendrore të Kishës, nga 1 gushti 2024.

Të Shtatëdhjetët në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shërbejnë si “dëshmitarë të veçantë” dhe iu vijnë në ndihmë Dymbëdhjetë Apostujve për “ngritjen e kishës dhe rregullimin e gjithë punëve të saj”.

Gjatë sesionit përmbyllës të konferencës së përgjithshme të prillit 2024, Presidenti Rasëll M. Nelson njoftoi planet për ndërtimin e 15 tempujve të tjerë:

  • Uturoa, Polinezia Franceze
  • Çiuaua, Meksikë
  • Florianopolis, Brazil
  • Rozario, Argjentinë
  • Edinburg, Skoci
  • Brisbejn, Zona Jugore e Australisë
  • Viktoria, Kolumbia Britanike
  • Jumë, Arizonë
  • Hjuston, Zona Jugore e Teksasit
  • Dë-Moin, Ajoua
  • Sinsinati, Ohajo
  • Honolulu, Havai
  • Uest‑Xhordan, Jutë
  • Lehi, Jutë
  • Marakaibo, Venezuelë