Rasëll M. Nelsoni, profet dhe udhëheqës i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, festoi ditëlindjen e 100-të më 9 shtator 2024. Ai vazhdon ta udhëheqë besimin fetar botëror me energji dhe dhembshuri.
Në qershor, Presidenti Nelson doli në rrjetet sociale dhe i ftoi njerëzit ta përkujtonin ditëlindjen e tij duke ndjekur shembullin e Jezusit dhe duke shkuar në ndihmë të “një” individi në nevojë, duke iu referuar shëmbëlltyrës së deles së humbur në Dhiatën e Re. Shumë njerëz kanë treguar në rrjetet sociale përvojat e tyre kur kanë qenë “një” njeri në nevojë dhe kur kanë ndihmuar “një” njeri në nevojë, duke përdorur etiketimin #99plus1.
Më datë 5 dhe 6 tetor, profeti 100-vjeçar do të japë mesazhe shprese, paqeje dhe dashurie në konferencën e përgjithshme të Kishës, një mbledhje mbarëbotërore e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Të gjithë ftohen të marrin pjesë në sesionet e konferencës që zënë fill te Qendra e Konferencave e Kishës me 21 000 vende në Solt-Lejk-Siti të Shteteve të Bashkuara dhe transmetohen drejtpërsëdrejti në më shumë se 70 gjuhë.
Një veçori e shumëpritur e konferencës së përgjithshme është lajmërimi i mundshëm i tempujve të rinj që do të ndërtohen përqark botës. Nën drejtimin e Presidentit Nelson, ndërtimi i tempujve të Kishës në rang botëror ka shkuar përpara me një ritëm të shpejtë. Prej kohës kur u bë president i Kishës së Jezu Krishtit në janar 2018, Presidenti Nelson ka lajmëruar vendndodhjet e tempujve të rinj në çdo konferencë të përgjithshme.
Disa tempuj të rinj në mbarë Europën janë lajmëruar gjatë asaj periudhe në Barcelonë, Birmingam, Bruksel, Budapest, Edinburg, Hamburg dhe Vienë. Në një kohë kur disa kisha po i mbyllin dyert, Kisha e Jezu Krishtit po shton struktura të shenjta për të plotësuar nevojat e ndjekësve besnikë anembanë.
Presidentit Nelson do t’i bashkohen udhëheqës të tjerë të Kishës, burra dhe gra, të cilët do të flasin në pesë sesionet e konferencës së përgjithshme. Muzika për pjesën më të madhe të sesioneve do të sigurohet nga Tabernacle Choir at Temple Square.
Si ta shihni konferencën e përgjithshme
Të gjitha sesionet e konferencës do të transmetohen drejtpërsëdrejti në broadcasts.ChurchofJesusChrist.org në më shumë se 70 gjuhë. Ato mund të shihen edhe te kanali General Conference [Konferenca e Përgjithshme] në Youtube që ka Kisha dhe në kanale të tjera radiofonike, televizive, satelitore dhe digjitale.
Pas transmetimit, mesazhet do të jenë në dispozicion për t’u parë sipas kërkesës te kanali General Conference [Konferenca e Përgjithshme] në Youtube dhe në kanale të tjera digjitale të Kishës, si dhe në revistat e Kishës.