Në një konferencë në Brazil të premten, më 20 tetor 2023, Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se kujdestaria për krijimet e Perëndisë duhet të bëhet përmes këndvështrimit se si ne mund t’i përmbushim më së miri qëllimet e Perëndisë.
“Në të gjitha aspektet e kujdestarisë sonë tokësore, dashuria jonë për Perëndinë dhe dishepullimi ynë për Jezu Krishtin do të jenë një udhërrëfyes i sigurt dhe me siguri ne do të bëjmë mirë me të vërtetë në botë”, tha Apostulli në Seminarin e Amerikës së Jugut 2023 në Florianopolis të Brazilit. “Qoftë secili prej jush një mjet në dorën e Perëndisë dhe qoftë jeta juaj një bekim për brezat e kaluar, të tanishëm dhe të ardhshëm!”
Konferenca, e organizuar nga Roble del Suri (një grup anëtarësh dhe miqsh të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme), përfshiu diku te rreth 100 profesionistë të rinj nga 10 vende të Amerikës së Jugut. Tema ishte “Kujdestaria jonë për krijimin e Perëndisë”. Gjatë katër ditëve, pjesëmarrësit dëgjuan nga disa prej udhëheqësve të Kishës, të shoqërisë civile, akademikë dhe të biznesit mbi qëndrueshmërinë mjedisore, angazhimin publik, kujdesin për jetën njerëzore dhe tema të tjera që lidhen me to.
“Duke e ditur qëllimin përfundimtar të krijimit, ne e matim atë që bëjmë me atë standard, duke e pyetur veten: ‘A do ta ndihmonte apo do ta pengonte planin hyjnor të Perëndisë?’” tha Plaku Kristoferson. “Për shembull, ne duhet t’i përdorim bekimet tona tokësore për t’u shërbyer nevojave materiale dhe shpirtërore të të tjerëve në një mënyrë e cila bën të mundur që ata të arrijnë ta njohin Perëndinë dhe t’i shërbejnë Atij dhe përfundimisht të trashëgojnë jetën e përjetshme.”
Plaku Kristoferson nënvizoi “diçka shumë të rëndësishme rreth krijimit” që u tha në ditën e dytë të konferencës nga Peshkopi Kryesues i Kishës Zherald Kosé, i cili foli nëpërmjet internetit.
“Krijimi i kësaj bote të mrekullueshme, në të cilën jetojmë, nuk është një qëllim në vetvete; është mjeti me anë të të cilit mund të përmbushen planet e përjetshme të Atit tonë Qiellor”, tha Peshkopi Kosé. “Kjo tokë dhe gjithçka në të – malet e larta; oqeanet e paana; fushat pjellore; luginat e gjelbra; lumenjtë gjarpërues; shkretëtirat e thata; shumëllojshmëria e panumërt e bimëve, insekteve, zogjve dhe kafshëve, gjithçka, absolutisht gjithçka, u krijua për një qëllim: t’u mundësojë bijve dhe bijave të Tij të trashëgojnë ekzaltimin dhe pavdekësinë në njësi të përjetshme familjare.”
“Zoti Vetë tha se pa formimin e familjeve të përjetshme përgjatë gjithë brezave të tyre, krijimi i tokës do të ‘shkatërrohej plotësisht’”, shtoi Plaku Kristoferson.
Lexojeni fjalimin e plotë të Plakut Kristoferson, “Nderimi i Krijuesit”.
Peshkopi Kosé tha se është përulëse të kuptosh se “çdo kafshë, bimë dhe çdo gjë tjetër e përkohshme e krijuar nga Perëndia, u hartua dhe u formua si një dhuratë dashurie me qëllimin e vetëm për të përsosur, ekzaltuar dhe mundësuar lumturinë e përjetshme të njerëzimit”.
Për shkak se toka është një dhuratë, Kisha e Jezu Krishtit “kërkon të jetë një kujdestare e urtë e burimeve natyrore nëpërmjet administrimit të përgjegjshëm të veprimtarive të saj globale”, tha Peshkopi Kosé. Kjo përfshin gjashtë përparësi kryesore të qëndrueshmërisë të përvijuara nga Peshkopata Kryesuese:
- Rriteni efektshmërinë e energjisë dhe të përdorimit të burimeve të përtëritshme. Kjo përfshin më shumë se 500 projekte të energjisë diellore në mbarë botën.
- Kursejeni ujin nëpërmjet projektimit të peizazhit me përdorim të kujdesshëm të ujit, përdorimit të teknologjisë inteligjente dhe planeve të administrimit të ujit. Një shembull i kohëve të fundit është peizazhi që iu përshtat shkretëtirës rreth tempullit të ri Red Kliffs në Jutë.
- Shmangini mbetjet materiale përmes zvogëlimit, ripërdorimit dhe riciklimit; zgjidhjet për paketimin dhe metodat e ndërtimit. Kisha miratoi kohët e fundit kalimin nga plastika e ricikluar 40%–70% te plastika e ricikluar 100% e gotave tona të sakramentit. Duke punuar me këshillues të palëve të treta për të vlerësuar alternativa të ndryshme të qëndrueshme, Kisha zbuloi se gotat e sakramentit të bëra nga 100% plastikë e ricikluar do të zvogëlojnë emetimin e përgjithshëm të karbonit në krahasim me gotat aktuale madje edhe gotat prej letre. Kisha planifikon të fillojë përdorimin e gotave plastike 100% të riciklueshme në fillim të vitit 2024.
- Përmirësojeni cilësinë e ajrit dhe zvogëlojini rrezatimet. Kjo përfshin përmirësimin e efektshmërisë së lëndëve djegëse në të gjitha automjetet që përdor Kisha në mbarë botën.
- Ushtroni projektimin, zhvillimin dhe ndërtimin e qëndrueshëm. Për shembull, me tempujt, Kisha është e ndërgjegjshme për materialet, përzgjedhjen e vendit dhe metodat e nevojshme për të mbështetur funksionimin dhe mirëmbajtjen e tyre afatgjatë në një mënyrë të shëndetshme mjedisore.
- Përfshihuni në praktikat e qëndrueshme të bujqësisë e blegtorisë. Kjo përfshin përdorimin e kulturave mbrojtëse, qarkullimin e të korrave, bujqësinë pa lëvrim të tokës, administrimin e kullotave, kapjen e gazit serrë dhe praktika të tjera më të mira.
Administruesja e Kishës për Qëndrueshmërinë, Xhenika Sexhuik, tha në konferencë të mërkurën se ajo ka mësuar se si vizioni i qartë, të mësuarit në mënyrë të vazhdueshme dhe këndvështrimet e ndryshme mund ta ndihmojnë Kishën të jetë një kujdestare më e mirë e krijimeve të Perëndisë.
Për shembull, në një konferencë të kohëve të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, që u përqendrua te gratë, feja dhe ndryshimet klimatike, Sexhuiku dëgjoi histori frymëzuese të grave që udhëheqin përpjekjet për qëndrueshmëri në mbarë botën.
“Ndërsa secili pjesëmarrës i konferencës solli një këndvështrim të ndryshëm, bindjet tona të përbashkëta për krijimin dhe kujdestarinë, së bashku me gatishmërinë tonë për të mësuar nga përvojat e ndryshme të njëri‑tjetrit, krijuan një ndjenjë të pamohueshme respekti, uniteti dhe produktiviteti”, tha ajo. “U largova nga kjo konferencë me një këndvështrim të ri për të parë se si degradimi mjedisor ndikon në komunitete të ndryshme në mbarë botën dhe aftësi krijuese të frymëzuar në lidhje me zgjidhjet e mundshme.”
“Ndërsa shkojmë përpara me besim, guxim e këmbëngulje, duke mësuar vazhdimisht dhe duke kërkuar këndvështrime të ndryshme”, tha Sexhuiku, “ne do të udhëhiqemi drejt suksesit që kërkojmë. Pavarësisht sfidës apo pasigurisë që hasim, ne mund të marrim zemër, sepse Perëndia po na çon përpara.”
Peshkopi Kosé i la pjesëmarrësit në konferencë me ftesën e thjeshtë për të vepruar.
“Merrini në shqyrtim mënyrat se si mund t’i bekoni familjen tuaj, komunitetin tuaj, vendin në të cilin jetoni dhe në fund njerëzit në nevojë në mbarë botën”, tha ai. “Shpresoj se do të kujdeseni për mjedisin tuaj natyror dhe do të përvetësoni stile jetese dhe sjellje vetjake që respektojnë, ruajnë dhe i zbukurojnë krijimet e mrekullueshme të Perëndisë. Shpresoj se do të jepni shembull për të ndihmuar ata që janë prekur nga fatkeqësitë natyrore, degradimi i mjedisit të tyre natyror dhe vështirësi të tjera. Shpresoj se do t’i përgatitni veten dhe të tjerët për urgjenca të mundshme dhe do t’i vini në zbatim parimet e Kishës të të jetuarit me maturi e gatishmëri në vetë jetën tuaj.
“Së fundi”, përfundoi ai, “një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni ndonjëherë, është të luteni dhe t’i kërkoni Perëndisë që t’ju bekojë e mbrojë ju dhe komunitetin në të cilin jetoni. Shkrimet e shenjta janë të mbushura me shembuj që tregojnë rëndësinë e shoqërimit të përpjekjeve tona vetjake dhe kolektive me lutje të zellshme.”
Lexojini fjalët e Peshkopi Kosé “Përkujdesja për Krijimet e Perëndisë: Një Detyrë Dashurie”.
Burime Shtesë
Plaku Kristoferson: Nderimi i Krijuesit
Peshkopi Zherald Kosé: Përkujdesja për Krijimet e Perëndisë: Një Detyrë Dashurie
Kujdestaria për Mjedisin dhe Ruajtja e Tij