Mesazh nga Udhëheqja Zonale

Të Ndjerit e Paqes në Mes të Stuhive

Storms
Elder Poznanski
Plaku Frank Poznanski, Francë I Shtatëdhjetë Zonal, Zona e Europës Qendrore

Disa vite më parë, një stuhi e madhe kaloi mbi shtëpinë tonë gjatë natës. Vetëm pas pak minutash dhe disa shkreptimave të rrufesë, Manona jonë e vogël u fut në shtrat me ne. Bashkëshortja ime, Veronika, duke dashur ta siguronte bijën tonë, e mori në krahë dhe e çoi drejt dritares dhe i tha: “Mos ki frikë. Shiko sa të bukura janë dritat në qiell.”  Por pikërisht në atë çast, një shkreptimë rrufeje e çau përmes qiellin me një goditje frikësuese. Veronika bëri një hap prapa me frikë dhe Manona ishte edhe më e tmerruar.

Teksa shihja fuqinë e elementeve të natyrës atë natë, nuk mund të mos mendoja për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, Krijuesin e të gjitha gjërave. Gjithashtu mendova për Atin tonë Qiellor i cili dha Birin e Tij të Vetëm për të na shpëtuar.  Ata përmbushën veprën më domethënëse të gjithësisë: hapjen e udhës për ne që të fitojmë jetën e përjetshme.

Më pas mendova për Moisiun, i cili u pushtua nga frika kur Shpëtimtari i kërkoi të shpëtonte Izraelin. Zoti i tha atij:

“Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti?  Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash.”[i]

Zëri i Zotit duhet të ketë tingëlluar si një bubullimë nëpër tërë trupin e Moisiut. Sikurse Moisiu, ne kemi përgjegjësinë për ta mbledhur Izraelin në një tokë paqeje, në kunjet e Sionit. Cilado qoftë aftësia jonë për t’u shprehur, ne duhet të shkojmë përpara me besim. A ndihemi të zotë për të bërë atë që Zoti dëshiron që ne të bëjmë? A mund ta ndiejmë përgjegjësinë tonë në mbledhjen e Izraelit?  Sigurisht, ajo fillon nga vetja, me bashkëshortin ose bashkëshorten tonë dhe me vetë fëmijët tanë. 

Ndërkohë që bashkëshortja dhe bija ime qenë shumë të frikësuara nga stuhia, mendova me veten time: “Shpresoj që të bjerë shi tani, sepse ka qenë shumë nxehtë”. Këndvështrime të ndryshme çojnë në veprime të ndryshme. Ku qëndrojmë kur jeta nuk na çon nëpër shtegun më të lehtë ose nëpër shtegun që dëshironim të merrnim? Teksa stuhia bëhej gjithnjë e më e ashpër, mendova edhe për Jozef Smithin, i cili shpesh ishte i mbingarkuar nga gjithë përgjegjësitë që i ishin dhënë në një moshë kaq të re. Ai shpesh ra në gjunjë për t’iu përgjëruar Atit tonë Qiellor. Ndoshta një nga çastet më prekëse ndodhi në Burgun e Libertisë, kur ai u ndie i braktisur nga Zoti. Zoti i tha atij:

“Në qoftë se ti do të hidhesh në gropë apo në duart e vrasësve dhe vendimi me vdekje jepet mbi ty, në qoftë se do të hidhesh në thellësi, në qoftë se dallgët e trazuara komplotojnë kundër teje, në qoftë se erërat e forta bëhen armiku yt, në qoftë se qiejt mbledhin errësirë dhe gjithë elementet ndërthuren për të penguar rrugën; dhe, mbi të gjitha, në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde. Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai? … Si rrjedhim, mos ki frikë se ç’mund të bëjë njeriu, sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë.”[ii]

Këto fjalë duhet t’i jenë dukur si një goditje bubullime nëpër tërë trupin e tij të sëmurë e të dërmuar. Por ngaqë erdhën nga Shpëtimtari ynë, ato i dhanë atij forcën dhe shpresën që i nevojitej për të shkuar përpara, pavarësisht nga vështirësitë e tij. A biem ne në gjunjë mjaftueshëm që të marrim forcën dhe shpresën e Tij?

Zoti shpesh përdor zërin e butë dhe të qetë të Shpirtit të Shenjtë për të na folur, për të na ngushëlluar, për të na paralajmëruar, për të na udhërrëfyer dhe për të na qetësuar. Ai e bën këtë gjë në çaste dyshimi, por edhe në kohë trazirash, dëshpërimi ose ankthi. Për t’u siguruar se gjithmonë e dëgjojmë këtë zë të vogël, ne duhet të mësohemi që ta dëgjojmë atë, ose më mirë të themi ta ndiejmë atë, në çastet e qeta. Atëherë, sado i butë që mund të jetë, ai do të depërtojë në zemrat dhe mendjet tona si një shkreptimë rrufeje.

Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.


[i] Eksodi 4:10–12

[ii] Doktrina e Besëlidhje 122: 7–9