Me pikëllim njoftojmë se Rasëll M. Nelsoni, Presidenti i dashur i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ndërroi jetë paqësisht pak pas orës 22:00 MDT sot në shtëpinë e tij në Solt‑Lejk‑Siti. Ai ishte 101 vjeç – presidenti më i madh në moshë në historinë e Kishës.
Presidenti Nelson u thirr si Apostull më 7 prill 1984. Ai u bë udhëheqësi i Kishës më 14 janar 2018. Koha e tij si profet do të mbahet mend përgjithmonë si një kohë e shërbesës globale (ai vizitoi 32 vende dhe territore të SHBA‑së), një kohë kur ndërtimi i tempujve u shtua (ai njoftoi 200 tempuj të rinj) dhe një kohë ndryshimesh të thella. Duke filluar nga konferenca e përgjithshme e prillit 2018, në të cilën ai u mbështet si Apostulli me më shumë kohë në detyrë, Presidenti Nelson filloi të paraqiste rregullime të shpeshta të krijuara për t’i ndihmuar shenjtorët të jepnin më shumë shërbesë si Jezu Krishti dhe për të theksuar më mirë rolin qendror të Shpëtimtarit të botës në gjithçka që bën Kisha. Pjesët e mëvonshme të kësaj nekrologjie japin një pasqyrim të hollësishëm të udhëtimeve të tij si president dhe ndryshimeve të shumta që ai vuri në zbatim.










































































































Para shërbimit me kohë të plotë në Kishë, Presidenti Nelson ishte një kardiokirurg i nderuar dhe i respektuar në mbarë botën. Ai kreu operacionin e parë me zemër të hapur në Jutë, në vitin 1955. Ai shërbeu si president i Shoqatës për Kirurgjinë Vaskulare, drejtor i Bordit Amerikan për Kirurgjinë Torakale, kryetar i Këshillit të Kirurgjisë Kardiovaskulare për Shoqatën Amerikane të Zemrës dhe si president i Shoqatës Mjekësore të Shtetit të Jutës. Ai ishte autor i shumë kapitujve të librave shkollorë për mjekësinë dhe botimeve të tjera. Ai mbajti leksione dhe vizitoi si profesionist shumë organizata anembanë Shteteve të Bashkuara dhe kombeve të tjera. Dhe ai ishte njohës i 11 gjuhëve.
“Ai ishte personi më zemërbutë dhe më i ëmbël me të cilin mund të shpresosh të shoqërohesh ndonjëherë.”
– Presidenti Dallin H. Ouks
“Të gjithë ne që kemi punuar me Rasëll M. Nelsonin, dhe shumë njerëz që kanë marrë mësim prej tij dhe janë shoqëruar me të, jemi mrekulluar me modestinë e tij të jashtëzakonshme për një njeri si ai me arritje të mëdha”, – tha Presidenti Dallin H. Ouks, i cili u thirr të shërbente në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve në të njëjtën ditë me Presidentin Nelson në vitin 1984 dhe i cili shërbeu si Këshilltar i Parë i Presidentit Nelson në Presidencën e Parë. “Dhe [ne] jemi mrekulluar me zemërbutësinë e tij. Ai [ishte] personi më zemërbutë dhe më i ëmbël me të cilin mund të shpresosh të shoqërohesh ndonjëherë. Dhe ai do të mbahet mend gjithmonë në këtë mënyrë.”
Presidenti Nelson la pas gruan e tij, Uendin, 8 nga 10 fëmijët e tij, 57 nipër e mbesa dhe më shumë se 167 stërnipër e stërmbesa.
Ashtu siç ndodhi me apostujt në kohët e Dhiatës së Re, apostujt shenjtorë të ditëve të mëvonshme thirren për të qenë dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit. Presidenti Nelson ishte njëri prej 15 burrave që ndihmoi në mbikëqyrjen e rritjes dhe zhvillimit të Kishës globale, e cila tani shënon më shumë se 17 milionë anëtarë.
Nuk pritet të zgjidhet zyrtarisht një pasues nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës deri pas funeralit të Presidentit Nelson (në pritje të hollësive).
Një “Mjek i Dashur” që Bëri Bashkë Mjekësinë dhe Besimin

Ndofta nuk pritej që një Apostull të ishte një kardiokirurg me famë botërore, siç qe rasti me Presidentin Nelson para thirrjes së tij për shërbim gjatë gjithë jetës në Kishë. Por shërimi i zemrave fizikisht dhe shpirtërisht nuk është i pazakontë për dishepujt e Jezu Krishtit në çfarëdo epoke. Shkruesi i Dhiatës së Re, Lluka, ishte një mjek me reputacion – në fakt, Apostulli Pal, me të cilin ai udhëtoi si misionar, e quajti atë “mjeku [i dashur]” (Kolosianëve 4:14).
Si mjek, Presidenti Nelson ndoshta njihej më shumë për rolin e tij në zhvillimin e një makinerie artificiale të zemrës dhe mushkërive mjaftueshëm e vogël sa të funksiononte në një sallë operacioni. E bërë e mundur nga përkrahja dhe inkurajimi i vyer i gruas së tij të parë, Denzelit, ajo ishte një arritje që rriti vlerësimin e tij për dhuratën e jetës. “Unë mendoj se një kirurg është në një pozicion unik për të kuptuar një nga krijimet më të mëdha të Zotit – trupin e njeriut”, – tha ai. “Çdo segment i trupit më jep shtysë të besoj.”
Nderimi i Presidentit Nelson për jetën i rrënjosi atij një qasje shpirtërore ndaj mjekësisë. Shkrimi i tij i shenjtë udhërrëfyes nga Doktrina e Besëlidhjet i udhëhoqi veprimet e tij brenda dhe jashtë sallës së operacionit: “Dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet” (Doktrina e Besëlidhje 130:21).
“Me fjalë të tjera”, – tha Presidenti Nelson, – “ti nuk uron për një bekim; ti punon për një bekim dhe e bën atë të mundur. Shpesh i mësoja ekipit tim me të cilën punoja: ‘Ky pacient është lutur që të dalë mirë dhe ai ka një familje që lutet të dalë mirë. Të gjitha ato lutje nuk do të hyjnë aspak në punë nëse bëni qoftë edhe një gabim, kështu që duhet ta bëni punën shkëlqyeshëm në mënyrë që ky pacient të ketë një mundësi për të pasur bekimin që kërkon.’”
Koha e tij në shkollën e mjekësisë u shtri gjatë 12 vjetëve të para të martesës. Diplomimi i tij në shkollën e mjekësisë të Universitetit të Jutës në moshën 22‑vjeçare u pasua nga një stazh dhe disa vjet të tjerë specializimi në Minesota dhe Masaçusets; dy vjet shërbimi ushtarak në Uashington D.K. dhe jashtë tij; dhe një doktoraturë nga Universiteti i Minesotës. Interesi i tij i thellë në kërkime shkencore përfundimisht çoi në punën e tij novatore të makinerisë zemër‑mushkëri. Më vonë punoi si profesor i kërkimeve shkencore në kirurgji dhe drejtor i Sektorit të Specializimit në Kirurgjinë Torakale në Universitetin e Jutës dhe kryetar i Shërbimit të Kirurgjisë Torakale në Spitalin SHDM në Solt‑Lejk‑Siti.

Në vitin 1955, Presidenti Nelson kreu operacionin e parë me zemër të hapur në Jutë dhe ai përfundoi më shumë se 7000 operacione gjatë karrierës së tij. Një nga operacionet e tij më me vlerë për t’u përmendur ndodhi në vitin 1972, kur dashuria e Presidentit Nelson për mjekësinë dhe besimin u puqën plotësisht, ndërsa iu kërkua të kryente një operacion me rrezik të lartë për Spenser W. Kimballin, i cili në atë kohë ishte Apostulli i Kishës me më shumë kohë në detyrë. Presidenti Nelson po shërbente si President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës të Kishës ndërsa vazhdonte punën si kardiokirurg. Atij iu dha një bekim priftërie para operacionit që ai besonte se ndikoi në rezultat.
“Ishte njësoj si një muzikant që luajti një koncert në piano pa bërë as edhe një gabim ose një lojtar bejsbolli që hedh nëntë goditje topi pa gabime”, – tha ai. “Ai operacion i gjatë dhe i ndërlikuar u bë pa asnjë të metë. Dhe në fund të operacionit, kur zemra pulsoi fuqishëm, e dija që ai do të jetonte. Dhe ndërsa po i mbyllnim kraharorin, pata ndjesinë se ky njeri do të jetonte për t’u bërë President i Kishës.”
Spenser W. Kimballi me të vërtetë u bë President i Kishës dhe jetoi edhe 13 vjet të tjerë.
“[Presidenti Nelson] kishte njohuri të shkëlqyera nga përgatitja e tij mjekësore mbi çështjet shëndetësore që lindnin në Autoritetet e Përgjithshme”, – tha Presidenti Ouks. “Dhe ai na jepte ide të jashtëzakonshme se çfarë nënkuptonte ajo lloj diagnoze dhe cila ishte perspektiva, si dhe ndikimet praktike të asaj diagnoze të caktuar.”
Jeta me Denzelin
Presidenti Nelson gjithmonë kërkonte të bënte më të mirën e tij në çfarëdo detyre që e priste. Kur ishte fëmijë i vogël, ishin artet skenike jo ato shëruese, që i tërhoqën fillimisht vëmendjen. Ai këndoi si tenor në një kuartet që fitoi çmim dhe luajti rolin kryesor në një shfaqje muzikore si student i vitit të parë në Universitetin e Jutës. Në fakt, dashuria e tij për muzikën përfundimisht e çoi atë drejt dashurisë së jetës.

Ai mban mend që mbërriti për provat për një shfaqje të ardhshme dhe dëgjoi një soprano në skenë. “Ajo ishte mahnitëse”, – kujton Presidenti Nelson. “Zëri i saj ishte i pabesueshëm dhe unë thashë: ‘Kush është kjo?’ Drejtori muzikor u përgjigj: ‘Ajo është Denzel Uaiti. Me të do të këndoni në këtë shfaqje’.” Presidenti Nelson tha: “Ne kurrë nuk dolëm në ndonjë takim tjetër me askënd tjetër që prej atij çasti”.
Muzika u bë një pjesë qendrore e jetës së tyre së bashku. Çifti Nelson nuk e ndau kurrë muzikën nga shtëpia e vet pasi bleu një piano të përdorur për më pak se 100 dollarë në fillim të martesës. Gjatë kohës së tij si mjek, Presidenti Nelson do të ngrihej herët në mëngjes për të luajtur në piano dhe për të studiuar shkrimet e shenjta. “Kombinimi i këtyre të dyjave”, – tha ai, – “solli një ndikim shpirtëror në shtëpinë e tyre.”
Ashtu si shumë çifte të reja të martuara, çifti Nelson punoi së bashku për të përballuar jetesën dhe nuk ishte gjithmonë e lehtë. Presidenti Nelson solli në kujtesë se po ecte rrugëve të Bostonit një natë me bashkëshorten e tij, me katër fëmijë në atë kohë, kur ajo ngjeshi hundën në vitrinën e një dyqani mobiliesh dhe pyeti: “I dashur, a mendon se një ditë do të jemi në gjendje ta blejmë një abazhur?” “Ishte gjatë këtyre kohëve”, – tha Presidenti Nelson, – “që ata kujtuan shkrimin e shenjtë te Mateu 6:33, ku thuhet: ‘Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen’.”
“Mendova se ata ishin një skuadër vërtet e mirë”, – kujtoi Gloria Nelson Irioni, e treta nga 10 fëmijët e Nelsonit, që përfshinin nëntë vajza dhe një djalë. “Ata kujdeseshin mirë për njëri‑tjetrin dhe ishin vërtet të sigurt në dashurinë e tyre për njëri‑tjetrin. Kur babai im kthehej në shtëpi nga puna, ose vinte në shtëpi, gjëja e parë që bënte, ishte të shkonte të kërkonte nënën time dhe ta përshëndeste me një përqafim dhe një puthje. … Ai na tregoi se gjëja më e mirë që një burrë mund të bëjë për fëmijët e tij, është ta dojë nënën e tyre.”

Denzeli ishte zemra e shtëpisë Nelson. Presidenti Nelson tha: “Ajo më ka bërë shoqëri, më ka dhënë 10 fëmijë të bukur dhe të gjitha ato gjëra të mrekullueshme e të paperceptueshme që një grua i jep burrit për ta ndihmuar atë të synojë përmbushje dhe vetëmohim”.
Nga më i madhi tek më i vogli, fëmijët e Nelsonit janë (me emrat e bashkëshortëve/e në kllapa) Marsha N. Uorkmen (Riçard Uorkmen), Uendi N. Meksfilld (vdiq në vitin 2019, ishte e martuar me Norman A. Meksfilldin), Gloria N. Irion (Riçard A. Irion), Brenda N. Majëlls (Riçard L. Majëlls), Silvia N. Uebster (Dejvid R. Uebster), Emili N. Uituer (vdiq në vitin 1995, ishte e martuar me Bredli E. Uituerin), Lori N. Marsh (Riçard M. Marsh), Rozali N. Ringud (Majkëll T. Ringud), Marxhëri N. Louder (Bredli J. Louder) dhe Rasëll M. Nelson i Riu (Britni).
Sa i përket Presidentit Nelson, ai kaloi kohë me fëmijët e tij mes gjithë asaj agjende të ngjeshur, mjekësore dhe kishtare. Ai udhëtonte shumë dhe shpesh merrte me vete me radhë nga një pjesëtar të familjes. Ai i shihte këto kohë me fëmijët e vet si një investim të mençur. “Ato udhëtime më dhanë mundësinë për të dëgjuar problemet dhe ambiciet e tyre dhe që ne thjesht të flisnim me njëri‑tjetrin dhe t’i tregonim ide dhe përvoja njëri‑tjetrit”, – tha ai. Veprimtari të tilla si leximi i shkrimeve të shenjta, lutjet familjare dy herë në ditë dhe mbrëmjet e përjavshme familjare gjithashtu ndihmuan për ta mbajtur familjen të lidhur.
“Ndërsa familja rritej, ai bënte çmos të ishte i pranishëm në secilën, secilën ngjarje të shënuar e të rëndësishme. Ai vinte në bekimin, pagëzimin, shugurimin në priftëri, lamtumirën për në mision [dhe] dasmën e çdo fëmije”, – tha Irioni.
Martesa me Uendi L. Uatsonin
Presidenti Nelson besonte me gjithë zemër se sekreti i një jete të lumtur nuk është ajo që keni, por njohuritë që zotëroni për Perëndinë. Njerëzit “duhet ta dinë se Perëndia jeton. Ata duhet të dinë se Ai ka një plan për ta. Nëse ata do ta ndjekin atë plan, ata do të gjejnë gëzim, edhe pse vështirësitë e jetës sjellin pikëllim, sfidë, ndonjëherë dhembje, trishtim”– tha ai. “Nëse ata mund ta kenë atë besim tek Ai dhe të lidhen me Të, ata do të kenë forcë për t’u bërë ballë sprovave që do të sjellë jeta. Gjatë procesit ata do të gjejnë gëzim të madh.”
Qëndrueshmëria e tij shpirtërore u vu në provë kur Denzeli e tij e dashur ndërroi jetë papritur në shkurt të 2005‑ës. Me gjithë këtë, vdekja e saj ia forcoi besimin dhe përkushtimin ndaj familjes.
Në konferencën e përgjithshme të prillit 2006, Presidenti Nelson foli për nevojën e forcimit të martesave.
“Martesa sjell mundësi më të mëdha për lumturi se çfarëdo marrëdhënie tjetër njerëzore”, – tha ai. “Prapëseprapë, disa çifte të martuara nuk e arrijnë potencialin e tyre të plotë. Ata e lënë romancën e tyre të ndryshket, e marrin për të mirëqenë njëri‑tjetrin, i lejojnë interesat e tjera ose retë e shpërfilljes ta errësojnë pamjen e asaj çka martesa e tyre mund të jetë në të vërtetë. Martesat do të ishin më të lumtura nëse do të ushqeheshin me më shumë kujdes.”
Fill pas konferencës, Presidenti Nelson u martua me Uendi L. Uatsonin. Përpara se të martohej, Motra Nelson, e lindur në Kanada, kishte qenë pedagoge terapie për martesën dhe familjen për 25 vjet – 13 vjetët e fundit ishte në Universitetin “Brigam Jang”.

Motra Nelson ka folur për luftën shpirtërore të agjërimit dhe lutjes që përjetoi përpara se të zgjidhte të zhvillonte një marrëdhënie me asokohe Plakun Nelson. Ajo tha se hyrja në një familje të madhe dhe shkëputja e saj tërësisht nga karriera, ndër të tjera, rezultuan të ishin sfida të jashtëzakonshme.
“Ne mendojmë: ‘Oh, është vullneti i Zotit. Kjo do të thotë se gjithçka do të jetë thjesht e lehtë dhe e mrekullueshme dhe e mahnitshme.’ Përkundrazi, ishte e vështirë”, – tha Motra Nelson gjatë një turneu shërbese në Paqësor me profetin në maj 2019. “Ne kishim pritshmëri të ndryshme. Pa dyshim, ai ishte ende i brengosur për Denzelin. … Ishte një ndryshim drastik.”
“Ne e duam fort atë”, – tha Irioni. “Ajo ka qenë një bekim i madh për babanë tim dhe gjithashtu për familjen tonë ngaqë u kujdes për të.”
“Më duhet të them se fëmijët e tij ishin të shkëlqyer”, – shtoi Motra Nelson. “Doja të isha mikja e tyre dhe ata padyshim ishin miqtë e mi. Ishin tejet mikpritës. Nipërit dhe mbesat janë fantastike. Dhe tani stër‑[nipërit e mbesat] janë thjesht të mahnitshëm.”
Gjatë një vizite shërbese në Australi në vitin 2019, Presidenti Nelson e përshkroi Uendin në këtë mënyrë: “Ajo është doktoreshë. Ajo është gerontologe. Ajo është terapiste për martesën dhe familjen. Dhe ajo është një vajzë vërtet argëtuese për t’u shoqëruar.”
Një Profet Poliglot për Kombet
Gjatë vizitave shërbestare në disa vende të Amerikës Latine në vjeshtën e vitit 2019, profeti dha pjesë të konsiderueshme të predikimeve të tij në spanjisht, për kënaqësinë e shenjtorëve vendas të ditëve të mëvonshme. Në Peru, për shembull, ai mbajti fjalime hyrëse në anglisht. Pastaj ndërroi gjuhën, duke thënë: “Me lejen tuaj, do të doja t’ju drejtohesha në spanjisht”. Të gjithë të pranishmit në stadium shpërthyen në duartrokitje.

“Unë isha një herë me të dhe ai e ndërroi gjuhën në rusisht si pjesë e një komunikimi me një person rusishtfolës”, – tha Presidenti Ouks. “Unë e di që ai mësoi kinezisht aq sa për të marrë pjesë në një operacion kirurgjikal me zemër të hapur në Kinë, duke dhënë udhëzime në kinezisht, në sallën e operacionit.”
Në fakt, vajza e tij tha se babai i saj ishte njohës i 11 gjuhëve.
“Unë mendoj se atij i pëlqente shumë të takonte njerëz nga e gjithë bota”, – tha Irioni. “Ai adhuronte t’i shihte ata ta përqafonin ungjillin, të bëheshin shenjtorë dhe të shihte ndryshimin tek ata, nga trishtimi në shpresë dhe nga errësira në dritë.”
Ai ishte gjithashtu person kyç për njohjen e Kishës në shumë vende komuniste. “Ai ishte dëshmitar okular i mrekullive që ndodhën atje”, – tha e bija. “Ai bëri më të mirën që mundi, dhe pastaj pjesën tjetër e mori Zoti në dorë. U hapën dyer që ai kurrë nuk i kishte menduar.”
Pasi u bë udhëheqës i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në janar 2018, Presidenti Nelson vizitoi në masë të madhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe udhëheqës qeveritarë e fetarë në pothuajse çdo kontinent. Ai udhëtoi në 32 vende dhe territore amerikane.
Ai gjithashtu kaloi kohë të konsiderueshme duke ndërtuar ura me udhëheqës të besimeve, grupeve dhe kombeve të tjera. Më e shquara ishte vizita e tij me Papa Françeskun në Vatikan në mars 2019 dhe marrëdhënia e tij me National Association for the Advancement of Colored People [Shoqatën Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë] (NAACP) [SHKPNJN], një organizatë për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara.

“Ne patëm një përvojë shumë të përzemërt, të paharrueshme”, – tha Presidenti Nelson për vizitën e tij me Papën. “Shenjtëria e Tij, ai ishte jashtëzakonisht i hirshëm, zemërbutë dhe mikpritës. Çfarë burri gojëmbël dhe i mrekullueshëm është ai dhe sa me fat janë njerëzit katolikë që kanë një udhëheqës kaq të hirshëm, të aftë, plot interesim dhe dashuri!”
Në maj 2018, profeti iu bashkua udhëheqësve të NAACP‑së [SHKPNJN‑së] në një thirrje për civilizim dhe harmoni racore më të madhe. Pastaj, në korrik 2019, udhëheqësit e NAACP‑së [SHKPNJN‑së] e ftuan Presidentin Nelson të fliste në kuvendin vjetor të organizatës në Detroit. “Nuk kemi pse të jemi të ngjashëm ose të dukemi të ngjashëm që të kemi dashuri për njëri‑tjetrin. Madje nuk kemi as pse të jemi dakord me njëri‑tjetrin për ta dashur njëri-tjetrin”, – tha Presidenti Nelson. Ai u mblodh përsëri me udhëheqës të NAACP‑së [SHKPNJN‑së] në qershor 2021 për të njoftuar iniciativa arsimore dhe humanitare në lidhje me bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm.
Profeti vizitoi udhëheqës të shumë kombeve ndërsa udhëtonte në vende të ndryshme. Kjo përfshinte zyrtarë qeveritarë nga Indonezia, Kamboxhia, Kolumbia, Peruja, Samoa, Tonga, Vietnami, Zelanda e Re dhe të tjera. Ai gjithashtu mirëpriti shumë udhëheqës në Sheshin e Tempullit, duke përfshirë një delegacion vietnamez, ambasadorin e Kubës dhe udhëheqësin e Ligës Botërore Myslimane.
Profeti i përforcoi këto përpjekje për ndërtimin e urave duke u bërë thirrje shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të jenë paqebërës që të “ndërtojnë, lartësojnë, nxitin, bindin dhe frymëzojnë, pavarësisht se sa e vështirë është situata”.
“Vëllezër e motra, ne mirëfilli mund ta ndryshojmë botën me një person dhe një ndërveprim, një e nga një. Si? Duke u bërë modeli i mënyrës se si të trajtohen ndryshimet e ndershme të opinionit me respekt reciprok dhe dialog dinjitoz”, – tha Presidenti Nelson. “Nëse e keni seriozisht që të ndihmoni për ta mbledhur Izraelin dhe për të ndërtuar marrëdhënie të cilat do të zgjatin gjatë gjithë përjetësive, tani është koha që ta lini mënjanë hidhësinë. Tani është koha që të mos këmbëngulni më që o të bëhet si thoni ju o s’ka. Tani është koha që të mos bëni më gjëra që i bëjnë të tjerët të ecin në majë të gishtave nga frika se mos ju nevrikosin. Tani është koha që t’i varrosim armët tona të luftës. Nëse arsenali juaj i fjalëve është i mbushur me fyerje dhe akuzime, tani është koha që t’i flakni tutje ato. Ju do të ngriheni si një burrë ose grua shpirtërisht e fortë e Krishtit.”
Gjatë udhëtimit me Presidentin Nelson në vitin 2018 (një udhëtim që përfshinte një ndalesë në Jerusalem, qytetin e paqes), asokohe Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vuri në dukje vizionin global të Presidentit Nelson.
“Ai është profeti për [gjithë] botën dhe ai e ka atë këndvështrim”, – tha Plaku Holland. “Ai e ka atë parashikim profetik. Ne e mbështetim atë si një shikues dhe një zbulues, dhe ai e drejton shikimin nga e gjithë bota.”

Një Njeri që Ndryshoi Kishën
Shumë ndryshime të rëndësishme u prezantuan nga Presidenti Nelson. Siç u përmend më parë, secila prej tyre u krijua për ta vendosur fokusin drejt e te Jezu Krishti.
Nën udhëheqjen e tij, profeti rregulloi mënyrën se si shenjtorët në mbarë botën do t’i jepnin shërbesë njëri‑tjetrit. Ai theksoi në mënyrë të vazhdueshme rëndësinë e emrit të saktë të Kishës. Ai e zhvendosi theksin e mësimdhënies së ungjillit te përqendrimi i saj në çdo shtëpi dhe përkrahja e saj nga Kisha. Ai modifikoi një rregullore që lejon fëmijët e prindërve LGBT që të pagëzohen. Ai i rregulloi pyetjet e besimit të intervistës për rekomandim tempulli, për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës ta kuptojnë më thellë qëllimin e adhurimit në tempull. Ai prezantoi një program të ri global për të rinjtë, për fëmijët dhe adoleshentët e Kishës. Ai njoftoi një rregullore të re për dëshmitarët për pagëzimet për të gjallët, pagëzimet me mëkëmbës dhe vulosjet për të gjallët dhe me mëkëmbës. Ai autorizoi një rregullore globale për çiftet e martuara nga ana civile që të martohen menjëherë në një nga tempujt e besimit fetar. Ai riorganizoi dhe konsolidoi kuorumet e priftërisë dhe organizatat për personat në moshë madhore dhe fëmijët. Ai prezantoi ndryshime të larmishme në rregulloren dhe procedurat për misionarët. Ai ndryshoi simbolin e Kishës në një portretizim të Zotit të ringjallur dhe të gjallë Jezu Krisht. Dhe ai lexoi një proklamatë të re drejtuar botës për Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit.
“Presidenti Nelson, nuk e di sa ‘detyra të ngutshme’ të tjera mund të përballojmë këtë fundjavë. Disa prej nesh e kanë zemrën të dobët. Por teksa mendoj për këtë, ju mund të kujdeseni edhe për këtë. Çfarë profeti!”
– Plaku Holland, prill 2018
“Për të perifrazuar Ralf Ualdo Emersonin, momentet më të paharrueshme në jetë janë ato në të cilat ne ndiejmë ngutjen për zbulesë”, – tha asokohe Plaku Xhefri R. Holland, afër përfundimit të konferencës së përgjithshme të prillit 2018, në të cilën profeti prezantoi disa ndryshime të dukshme. “Presidenti Nelson, nuk e di sa ‘detyra të ngutshme’ të tjera mund të përballojmë këtë fundjavë. Disa prej nesh e kanë zemrën të dobët. Por teksa mendoj për këtë, ju mund të kujdeseni edhe për këtë. Çfarë profeti!”
Të gjitha këto ndryshime u bënë ndërsa Presidenti Nelson i inkurajoi shenjtorët e ditëve të mëvonshme të merrnin udhërrëfim vetjak nga Perëndia, ashtu siç ai mori zbulesë për Kishën. Ai dhe udhëheqës të tjerë thanë në mënyrë të përsëritur se këto ndryshime janë pjesë e Rivendosjes së vazhdueshme të ungjillit të Jezu Krishtit.
Një Mësues Mjeshtër që Preku Zemrat
Presidenti Ouks iu referua Presidentit Nelson si një mësues mjeshtër. “Kam dëgjuar kirurgë që ai i trajnoi, të komentojnë se sa i efektshëm ishte ai tek u mësonte të bëheshin kirurgë”, – tha Presidenti Ouks. “Dhe unë e kam parë atë si mësues mjeshtër që i mëson shërbëtorët e Zotit në të njëjtën mënyrë.”
Si një “mjek i dashur”, Presidenti Nelson mirëfilli preku zemrat e qindra pacientëve që vuanin nga sëmundje fizike. Si një dishepull i Krishtit, ai i shëroi zemrat me fjalë dhe vepra.