Frankfurt‑mbi‑Majn, Gjermani

Tufa e vogël italiane dhe godina kishtare prej druri

Artikulli i dytë i serisë “Çastet Kulmore dhe Mrekullitë: Trashëgimia e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Europë”

Artikulli në vijim është historia e dytë nga gjashtë historitë e një serie të titulluar “Çastet Kulmore dhe Mrekullitë: Trashëgimia e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Europë”.  Këta artikuj u hulumtuan dhe hartuan nga Xhejms Peri, Doktor Shkencash, Anëtar i Akademisë së Arsimit të Lartë, historian dhe shkrimtar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Libri i ardhshëm “Saints – volume 3” [“Shenjtorët – vëllimi 3”] do të përfshijë shumë histori dhe ngjarje të tjera në lidhje me themelimin e Kishës në Europë.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua zyrtarisht me gjashtë anëtarë më 6 prill 1830, në një shtëpi të vogël prej druri në rrethinat në veri të Nju-Jorkut. Që nga ato fillime të përulura më shumë se 190 vjet më parë, Kisha është rritur në 16,5 milionë anëtarë në gati 31 000 bashkësi në mbarë botën. Që herët, udhëheqësit e Kishës dërguan misionarë jashtë vendit për të përhapur ungjillin e Jezu Krishtit në mbarë botën.  Në shtator 1850, Italia u përkushtua për punë misionare nga Lorenco Snou, T. B. H Stinhausi dhe Xhozef Toronto dhe u mbyll 17 vjet më vonë. Ishte për shkak të besimit, sakrificës dhe përkushtimit të katër anëtarëve që Misioni i Italisë u përkushtua edhe një herë në vitin 1966 nga Ezra Taft Bensoni, në atë kohë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. 

Në një ditë vere të vitit 1958, një grua dhe tre burra qëndruan në një shteg të qetë në fshatin e vogël Komerco të Italisë, duke vështruar dhe pritur për ardhjen e Presidentit dhe Motrës Kristensen të Misionit të Francës. Katër shenjtorët ishin të vetmit anëtarë në zonën e tyre të Italisë, që kishte një popullsi prej rreth 49 milionë banorësh. Përveç vizitave rastësore nga udhëheqësit e Kishës dhe anëtarë të tjerë, ky grup i vogël shenjtorësh ishte i izoluar dhe qindra kilometra larg anëtarëve më të afërt.

Presidenti dhe Motra Kristensen nuk ishin shumë të sigurt për drejtimin e tyre dhe fillimisht e kaluan shtegun e pastaj u kthyen mbrapsht. U shkëmbyen shprehje dashurie dhe përshëndetje të ngrohta teksa çifti Kristensen u takua me Pietro dhe Feliçita Snaideron, Santo Beltramen dhe Luixhi Pitinin. Që të katërt ishin tek të gjashtëdhjetat ose shtatëdhjetat dhe kishin qenë anëtarë prej disa vitesh. Pietroja dhe Feliçitaja ishin njohur me Kishën në vitin 1949 ndërsa jetonin në Kanë të Francës. Vajza e tyre dhe familja e saj ishin bashkuar me Kishën dhe kërkonin t’ua jepnin atyre mesazhin për ungjillin. Pietroja dhe Feliçitaja u pagëzuan më vonë në vitin 1951 bashkë me Santo Beltramen, një burrë të cilit ata kishin filluar t’i flisnin për ungjillin. Personi i katërt, Luixhi Pitini, u pagëzua pak vite më vonë pasi edhe ai mori mësimet nga çifti Snaidero.

Santoja dhe Luixhi udhëtuan shumë kilometra me biçikletë për të qenë në takimin me çiftin Kristensen, gjë që ishte diçka që e bënin çdo javë për mbledhjen e tyre të sakramentit. Pas tetë vitesh Santoja kishte munguar vetëm në një mbledhje. Çifti Snaidero e drejtoi grupin e vogël të shenjtorëve në shtëpinë e tyre të thjeshtë për një pije të ftohtë. Ndërsa bisedonin në kuzhinën e tyre, Feliçitaja hapi një derë që të çonte në një dhomë të vogël që ishte vendi i mbledhjes, të cilën e kishte ndërtuar vetë Pietroja. Pavarësisht se nuk kishte njohuri për zdrukthëtari dhe vetëm një sharrë dhe çekiç, ai e dinte se grupi i tyre i vogël i shenjtorëve kishte nevojë për një vend ku të adhuronte dhe ai kishte marrë përgjegjësinë që të bënte diçka për këtë.

Shtëpia dhe salla e mbledhjes që u përdor nga çifti Snaidero
Shtëpia dhe salla e mbledhjes që u përdor nga çifti Snaidero

Dhoma ishte vetëm dy metra e gjerë dhe katër metra e gjysmë e gjatë, por kishte dy dritare të vogla me një vazo të vendosur te secila. Dyshemeja prej druri ishte pastruar dhe lyer e bardhë dhe katër karrige të vogla me ndenjëse të thurura qëndronin në secilën anë të dhomës. Ishte bërë gati një tavolinë e vogël me gota sakramenti të vogla prej qelqi dhe buka, për t’u përgatitur për mbledhjen e tyre javore të sakramentit. Tre libra këngësh ishin shenjuar që tregonin katër këngët që shenjtorët italianë e dinin se mund t’i këndonin në frëngjisht. Në njërën anë të dhomës ishte një fotografi e Tempullit të Solt-Lejkut e varur në mur dhe në anën tjetër ishte një fotografi e Presidencës së Parë.

Presidenti dhe Motra Kristensen u bashkuan me katër shenjtorët italianë për mbledhjen e tyre të sakramentit. Për atë rast, Motra Kristensen kujtoi: “Ati ynë Qiellor derdhi po aq shumë nga shpirti dhe frymëzimi i Tij në atë vend të vogël sa dhe në tabernakullin ose godinën tonë më të bukur kishtare në Shtetet e Bashkuara. Ne ishim të gjithë të privilegjuar të jepnin dëshminë tonë.”

Pas mbledhjes, Santo Beltrameja i dorëzoi Presidentit Kristensen vlerën e së dhjetës prej tre vitesh, të cilën nuk kishte mundur ta dhuronte prej disa kohësh. Vëllai Pitini gjithashtu i dhuroi Kishës shumat e tij të vogla. Pavarësisht se ishin larg një dege të organizuar dhe ndërsa jetonin të izoluar, anëtarët italianë u përpoqën t’i mbanin besëlidhjet që kishin bërë, pavarësisht nga kundërshtimi i vazhdueshëm nga priftërinjtë vendas.

Grupi më pas u bashkua për një vakt për të cilin Motra Snaidero kishte harxhuar orë të tëra për ta përgatitur. Vajza e tyre u kishte dërguar disa ushqime që ata i kishin ruajtur për këtë rast të veçantë dhe ishin shumë të kënaqur që do t’i ndanin me bashkëshenjtorët e tyre që kishin udhëtuar nga larg.

Vëllai Pitini dhe çifti Snaidero në vitin 1967
Vëllai Pitini dhe çifti Snaidero në vitin 1967

Disa muaj pas mbledhjes së çiftit Kristensen me shenjtorët e përulur në Komerco të Italisë, Pietroja dhe Feliçitaja bënë udhëtimin për në Tempullin e Bernës ku u vulosën së bashku për kohën dhe gjithë përjetësinë. Megjithatë, fatkeqësisht, Santo Beltrameja vdiq pak kohë më vonë. Ai nuk pati asnjëherë rastin për ta frekuentuar tempullin, por një vit më vonë ordinancat për të u bënë me mëkëmbës. Shenjtorët vazhduan të takoheshin me besnikëri në Komerco derisa mbërritën misionarët dhe nisën të krijoheshin bashkësi në Itali. Vitet e besnikërisë u shpërblyen dhe ata dëshmuan një rritje të jashtëzakonshme të Kishës në Itali.

Kontributet e këtyre shenjtorëve të përkushtuar të ditëve të mëvonshme ndihmuan që Kisha të rritej nga katër anëtarë në vitin 1958 në gati 27 500 anëtarë që marrin pjesë në 95 bashkësi në Itali sot. Për informacion të përditësuar rreth Kishës në Itali, klikoni këtu.

Nga ditët e hershme të Kishës deri në ditët e sotme, shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë nga koha, talentet dhe aftësitë e tyre për punën e Kishës në Europë. Nëse keni njohuri të tjera rreth Pietro dhe Feliçita Snaideros, Santo Beltrames ose Luixhi Pitinit apo një përvojë vetjake të një anëtari/eje të Kishës kontributet e të cilit/së cilës do të ishin me interes për të tjerët në Zonën e Europës, ju lutemi, dërgojeni informacionin ose historinë tuaj te EUAChurchHist@ChurchofJesusChrist.org