Nga data 22 shkurt deri më 1 mars 2026, komunitetet në mbarë Europën do të mirëpresin tre udhëheqës të lartë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Plakun Dejll G. Renland, Plakun Zherald Kosé dhe Plakun S. Mark Palmer, ndërsa takohen me bashkësitë, të rinjtë e të rejat, partnerët civilë dhe miqtë e Kishës.
Vizita është pjesë e përpjekjes së gjatë të Kishës për të inkurajuar besimin, për të forcuar familjet dhe për të përkrahur komunitetet vendore. Këta udhëheqës udhëtojnë në mbarë botën, ashtu si bënin apostujt e hershëm të krishterë, për t’i dëgjuar, për t’i lartësuar njerëzit shpirtërisht dhe për të mësuar vetë nga njerëzit që takojnë.
Plaku Renland, specialist i trajnuar për transplantimin e zemrës dhe një nga dymbëdhjetë Apostujt e Kishës, do të takohet me komunitetet në Rumani, Gjermani dhe Holandë. Duke filluar në Bukuresht, ai do të kryesojë në një konferencë të veçantë distrikti dhe në një takim shpirtëror kushtuar grave në zonë. Ai gjithashtu do të takohet me misionarët që shërbejnë në Rumani, dhe më vonë do të udhëtojë në Gjermani për t’u lidhur me Misionin e Frankfurtit dhe një mbledhje misionare shumëgjuhëshe. Vizita e tij do të përfundojë në Holandë në një konferencë të veçantë kunji në Apeldorn.
Plaku Renland shpesh thekson se shërbimi në Kishë ka të bëjë në thelb me dashurinë për Perëndinë dhe dashurinë për njerëzit. Siç ka dhënë mësim ai, çdo person është “një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë”. Vizita e tij u ofron të ftuarve dhe anëtarëve mundësi për të dëgjuar mesazhe të përqendruara te shpresa, qëllimi dhe ndjekja e Jezu Krishtit në jetën e përditshme.
Për Plakun Kosé, i thirrur së fundmi si Apostull, kjo vizitë është një lloj rikthimi në shtëpi. I lindur në Bordo të Francës, ai do të udhëtojë nga Versaja në Marsejë, duke u lidhur me bashkësitë dhe anëtarët e komunitetit.
Gjatë kohës së tij në Francë ai do ta vendosë theksin te bashkësitë e vjetra dhe ato të sapoformuara, duke nderuar pionierët dhe anëtarët e rinj që kontribuojnë në rritjen e komunitetit të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të vendit – një trashëgimi që filloi me ardhjen e misionarëve të parë në vitin 1849 dhe vazhdon edhe sot me tempullin në Lë-Shene, të përkushtuar në vitin 2017. Mesazhet e Plakut Kosé shpesh përqendrohen te mirënjohja, uniteti dhe jeta e krishterë plot gëzim, tema që jehojnë gjerësisht si tek anëtarët ashtu edhe te miqtë.
Plaku Palmer, një udhëheqës i krishterë për mbarë botën me origjinë nga Zelanda e Re dhe anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, do të takohet me komunitetet në Spanjë, Gjermani, Francë dhe Zvicër. Ai do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Motra Zhaklinë Palmer.
Vizita e tyre i vë theks të veçantë përkrahjes dhe frymëzimit të të rinjve e të rejave në moshë madhore. Në Barcelonë dhe Hamburg, Plaku Palmer do të flasë në takimet shpirtërore për të rinjtë e të rejat e moshës 18–35 vjeç/e, duke i inkurajuar ata të bëjnë zgjedhje të rrënjosura te besimi, mirësia dhe qëllimi afatgjatë. Ai gjithashtu do të takohet me bashkësitë dhe miqtë e Kishës në konferenca më të mëdha në Barcelonë dhe Zyrih, përveç angazhimit me misionarët që shërbejnë në Spanjë dhe Gjermani.
Plaku Palmer njihet për natyrën e tij të dashur dhe aftësinë për t’u lidhur me të rinjtë e të rejat në moshë madhore. Ai shpesh i inkurajon ata të bëjnë zgjedhje të rrënjosura te besimi, mirësia dhe qëllimi afatgjatë. Siç ai ka thënë: “Asgjë në jetën tuaj nuk do të ketë shije më të ëmbël se dashuria e Perëndisë dhe të jetuarit e një jete dishepullimi dhe shërbimi si të Krishtit”.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përfshin më shumë se 500 000 anëtarë në të gjithë Europën, së bashku me shumë miq që marrin pjesë në ngjarje të komunitetit, projekte humanitare dhe mbledhje të përqendruara te besimi. Vizitat nga udhëheqësit e Kishës për mbarë botën, ofrojnë mundësi për të forcuar bashkësitë, për të ndërtuar marrëdhënie me partnerët vendorë dhe për të shpërndarë mesazhe drejtuar njerëzve të të gjitha prejardhjeve. Qoftë ai dikush një anëtar prej kohësh, një mik i ri i Kishës ose thjesht kureshtar, këto ngjarje i mirëpresin të gjithë ata që kërkojnë këndvështrime lartësuese dhe një ndjesi lidhjeje njerëzore.