Mesazh nga Udhëheqja Zonale

Ti Dëgjoje nga Qielli

“Ndërtimi dhe mirëmbajtja e tempujve mund të mos ta ndryshojnë jetën tuaj por kalimi i kohës suaj në tempull sigurisht që do ta ndryshojë”

Ti Dëgjoje nga Qielli
Plaku Emanuel Petrinjani, Itali
Plaku Emanuel Petrinjani, Itali I Shtatëdhjetë Zonal, Zona e Europës Qendrore

Një nga dhuratat më të çmuara që prindërit e mi më kanë dhënë gjatë fëmijërisë sime, ishte dashuria e tyre për tempullin. Dëshira e tyre për të adhuruar në Shtëpinë e Zotit ishte e vazhdueshme dhe nuk lëkundej kurrë, pavarësisht nga largësia e madhe dhe shpenzimi i madh për të udhëtuar drejt tempullit më të afërt.

Në fund të viteve 80, gjatë restaurimit të tempullit të Bernës në Zvicër, familja jonë udhëtoi për në Frankfurt të Gjermanisë. Ende më kujtohet qartësisht dita kur mbërritëm në tempull. Isha vetëm nëntë vjeç dhe, edhe pse vëllai im dhe unë i kishim shoqëruar prindërit tanë për në tempull shumë herë, kjo përvojë ishte e ndryshme për mua. Kur u futëm në dhomën e pritjes së strehimit për frekuentuesit e tempullit, pata një ndjenjë gëzimi dhe përkitjeje që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë. Më kujtohet që isha i ulur atje me një ndjenjë që ishte e re për mua, i gjithëpushtuar nga një dashuri qarkuese. Më kujtohet nëna duke më shpjeguar se ato ndjenja u dhanë nga Shpirti i Zotit, i cili po më dëshmonte se isha në shtëpinë e Tij të shenjtë. Edhe pse nuk e kuptova tërësisht në atë kohë, ishte e qartë për mua që ajo që po ndieja, ishte një dhuratë vetjake nga Zoti.

Solomon Temple

Në shekullin e 10të pr.K., pas shumë brezash, populli i Izraelit më së fundi i kishte ndërtuar një tempull Zotit. Libri i Mbretërve shënon lutjen përkushtuese që bëri mbreti Salomon. Mbreti i kishte mbledhur njerëzit që t’i ofronin Zotit një ceremoni dhe një festë përkushtuese. Pasi e vendosën arkën e besëlidhjes në “vendin shumë të shenjtë” (1), një re zbriti mbi tempull dhe “lavdia e Zotit mbush[i] shtëpinë e [Zotit]” (2). Sikurse për etërit e tyre që udhëtonin nëpër shkretëtirë, Zoti po i ofronte popullit të Tij një shfaqje të qartë të vetë pranisë së Tij në tempull (3). Zoti nuk kishte bërë dallim midis një tabernakulli të përkohshëm prej pëlhure dhe një tabernakulli të çmuar të bërë me gurë; që të dy ishin pranuar prej Tij, pasi përfaqësonin sakrificën më të mirë që kishte populli për ta ofruar në atë kohë.

Zollikofen Temple

Si pjesë e lutjes përkushtuese, mbreti Salomon u përgjërua disa herë me frazën “dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd” (4) dhe për ta dëgjuar popullin e Tij kurdoherë që ai do të pendohej dhe do të kthehej drejt shtëpisë së Tij. Ndërkohë që Salomoni lutet, ai e di se tempulli jo vetëm që i bekon popujt dhe kombet, por veçanërisht individët e familjet dhe si rrjedhojë shton: “Çdo lutje, çdo kërkesë që do të të drejtohet nga çfarëdo personi … kur secili të ketë pranuar plagën e zemrës së tij dhe të ketë shtrirë duart në drejtim të këtij tempulli, ti dëgjoje nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe fal, ndërhy dhe jepi secilit sipas sjelljes së tij, ti që njeh zemrën e secilit” (5).

Frankfurt Temple

Përgjatë viteve, gëzimi dhe dashuria vetjake që ndjeva atë ditë në Frankfurt, janë rritur për t’u bërë një njohuri dhe kuptueshmëri më e madhe për Atin tonë në Qiell dhe më kanë siguruar bekimin e përjetimit të dashurisë dhe këshillës së Tij posaçërisht për mua. Në tempull kam arritur të di se Zoti e njeh “plagën e zemrës [sime]” dhe më dëgjon kur drejtohem tek tempulli me besim. Diçka tjetër që e kam mësuar, është se ndërtimi i një marrëdhënieje vetjake me Krishtin dhe njohuria për Krishtin në tempull kërkojnë sakrificë, besim dhe dëshirë. Sipas fjalëve të Plakut Bednar: “Ka një ndryshim mes anëtarëve që frekuentojnë kishën, e paguajnë të dhjetën, që herë pas here sulen në tempull për të shkuar në një sesion, dhe atyre anëtarëve që besnikërisht dhe në mënyrë konsekuente adhurojnë në tempull” (6).

Presidenti Nelson gjithashtu shtoi: “Ndërtimi dhe mirëmbajtja e tempujve mund të mos ta ndryshojnë jetën tuaj por kalimi i kohës suaj në tempull sigurisht që do ta ndryshojë” (7). Zbulofshim ne të gjithë gëzimin e adhurimit në shtëpinë e Tij të shenjtë, ku Perëndia e di “plagën e zemrës [sonë]” (5) dhe do t’i dëgjojë lutjet tona (4).


1. 1 Mbretërve 8:6
2. 1 Mbretërve 8:10–11
3. Eksodi 33:7–11
4. 1 Mbretërve 8:28–30
5. Mbretërve 8:38–40
6. Plaku Dejvid A. Bednar, Me Nder Mbani një Emër e Qëndrim, Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2009
7. Presidenti Rasëll M. Nelson, Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme, Konferenca e Përgjithshme e Tetorit 2018