Në një intervistë pak pasi mori thirrjen si anëtari më i ri i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Plaku Patrik Kirën tha: “Shoh më shumë thjeshtësi tani tek ungjilli se kurrë ndonjëherë”[i]. Qartazi, ai nuk po sugjeronte që thirrja e tij do të ishte e thjeshtë. Krejt e kundërta, ai foli edhe për “tronditjen” e tij “dhe natyrën tejet shkundëse të kësaj thirrjeje”[ii]. Me fjalë të tjera, vetëm pak ditë pas kësaj thirrjeje të shenjtë për të qenë apostull i Zotit tonë Jezu Krisht, Plaku Kirën u përqendrua te thjeshtësia e ungjillit në vend që të përqendrohej te ndërlikimi i thirrjes së tij. Ky fakt më bëri të reflektoj për mësimin se “nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen”[iii].
Ne jetojmë në një botë me ndërlikim gjithnjë në rritje. Vetëm në 25 vitet e fundit kanë ndodhur një mori ndryshimesh teknologjike dhe shoqërore që ndikojnë te shumica prej nesh çdo ditë[iv]. Ndërkohë që bota mund të ketë qenë gjithnjë e ndërlikuar, vërshimi aktual i informacionit në shtëpitë tona, përfshirë ndasitë e mendimeve, pasiguria shoqërore dhe politike, si dhe ndryshimet mjedisore, mund të na duket mbingarkues nganjëherë. Na duket sikur “i gjithë dheu [është] në rrëmujë”[v]. Pra, cila është përgjigjja jonë ndaj këtij ndërlikimi në rritje?
“Përgjigjja për pyetjet më të thjeshta dhe për problemet më të ndërlikuara është përherë e njëjtë. Përgjigjja është Jezu Krishti. Çdo zgjidhje gjendet tek Ai.”[6] Apostulli Pal na mëson që të përqendrohemi te “thjeshtësia [që është në] Krisht”[7]. Në një botë me ndërlikim gjithnjë e më të madh, Jezu Krishti mund të na ndihmojë të kuptojmë atë që ka më shumë rëndësi[8].
Presidenti Nelson na kujtoi: “Kundërshtari është i zgjuar. Për mijëvjeçarë ai ka bërë që e mira të duket e keqe dhe e keqja të duket e mirë. Mesazhet e tij priren të jenë të zhurmshme, të guximshme dhe mburracake. Mirëpo, mesazhet nga Ati ynë Qiellor janë qartësisht të ndryshme. Ai komunikon me thjeshtësi, qetësi dhe me një qartësi të tillë mahnitëse saqë ne nuk mund ta keqkuptojmë Atë.”[9]
Prandaj kur bota, duke thirrur me të madhe, të japë mesazhe të ngatërruara që janë pështjelluese, mbingarkuese dhe në dukje të ndërlikuara, zbatimi i thjeshtësisë që është në Krisht, do të thotë që t’ua ulim volumin këtyre zërave të lartë dhe, sikurse sugjeron Plaku Uhtdorf të bëjmë “një hap pas, ta sh[ohim] jetën t[onë] nga një nivel më i lartë dhe ta thjeshtëso[jmë] metodën t[onë] të dishepullimit. [Të] përqendroh[emi] te doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore të ungjillit.”[10]
E kam mësuar vërtetësinë e kësaj në vetë jetën time. Kur jam përballur me sfida në familjen, punën ose thirrjet e mia në kishë, mbështetja vetëm në fuqinë time shpesh nuk qe një qasje e suksesshme. Por t’i bëja vetes pyetjen e thjeshtë: “Çfarë do të bënte Jezusi?”[11] ose marrja parasysh e parimeve të thjeshta të ungjillit që mund të gjenin zbatim për situatën time aktuale, më ndihmuan për të tërhequr fuqitë e qiellit dhe për t’i përballuar këto sfida në një mënyrë shumë më të mirë. Problemet jo domosdoshmërisht largoheshin, por unë gjeja forcë, shpresë dhe përqendrim te puna për t’i zgjidhur shqetësimet e mia ose tek të jetuarit me to. Pështjellimi zëvendësohej nga qartësia e mendimit dhe e qëllimit.
Plaku Ballard shpesh na kujtoi: “Thjeshtojeni punën. Pikërisht në atë thjeshtësi ju do të gjeni paqen, gëzimin dhe lumturinë.”[12] Për këtë dëshmoj edhe unë.
[1] “Elder Kearon’s Message to News Media: Turn to the Source of All Peace — Jesus Christ”, 23 janar 2024 – Njoftim për Shtyp nga Solt‑Lejk‑Siti
[2] “Elder Kearon’s Message to News Media: Turn to the Source of All Peace — Jesus Christ”, 23 janar 2024 – Njoftim për Shtyp nga Solt‑Lejk‑Siti
[3] Alma 37:6
[4] Krahasojeni me Rita McGrath, në Harvard Business Review, 31 gusht 2011.
[5] Doktrina e Besëlidhje 45:26
[6] Rajën K. Olsen, “Përgjigjja Është Jezusi”, konferenca e përgjithshme, tetor 2022
[7] 2 Korintasve 11:3
[8] Shihni te Diter F. Uhtdorf, “Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi”, konferenca e përgjithshme, tetor 2010
[9] Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, konferenca e përgjithshme, prill 2020
[10] Diter F. Uhtdorf, “Funksionon në Mënyrë të Mrekullueshme!”, konferenca e përgjithshme, tetorit 2015.
[11] Shihni te Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, konferenca e përgjithshme, prill 2014
[12] M. Rasëll Ballard, “Ungjilli i Vërtetë, i Kulluar dhe i Thjeshtë i Jezu Krishtit”, konferenca e përgjithshme, prill 2019