Jeta e Profetit Jozef Smith: Fëmijëria e Tij

Young Joseph Smith, the future founder of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, sought answers to his questions from the Bible.
Young Joseph Smith, the future founder of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, sought answers to his questions from the Bible.

Kush ishte Jozef Smithi?

Nëse keni dëgjuar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ju ndoshta e pyetni veten se kush e filloi këtë Kishë. Jozef Smith i Riu njihet ndoshta më mirë si njeriu nëpërmjet të cilit filloi Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Por ai është shumë më tepër se themeluesi i një feje. Ai ishte një profet i Perëndisë dhe nderohet nga miliona njerëz anembanë botës, pavarësisht nga fillimet e tij të përulura.

Jozef Smith i Riu u lind më 23 dhjetor 1805, në Sheron të Vermontit, nga Jozef Smith Plaku dhe Lusi Mak Smithi. Jozefi kishte dy vëllezër më të mëdhenj, Alvinin dhe Hajrëmin, dhe një motër më të madhe, Sofronian. Jozefi kishte gjithashtu pesë vëllezër e motra më të vogla që mbijetuan deri në moshë madhore, Samuelin, Uilliamin, Katerinën, Don Karlosin e Lusin dhe dy vëllezër që vdiqën në foshnjëri (shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 2).

Si ishte fëmijëria e Jozef Smithit?

Familja Smith përjetoi vështirësi financiare dhe mundime në rininë e Jozefit. Babai i Jozefit pësoi një seri dështimesh financiare, të cilat e bënë të vështirë që ai të siguronte të ardhura për familjen e tij të madhe. Familja u shpërngul shpesh ndërsa Jozef Smith Plaku përpiqej të punonte në magazinim, bujqësi dhe sipërmarrje tregtare, të gjitha me pak sukses (shih Matthew S. Holland, “The Path to Palmyra”, Ensign, qershor 2015, f. 26–28).

Nëna e Jozefit e përshkroi të riun Jozef si një “fëmijë jashtëzakonisht të qetë e mirëdashës” (Lucy Mack Smith, “Lucy Mack Smith, History, 1845”, f. 72, josephsmithpapers.org). Sidoqoftë, Jozefi u përball me vetë sfidat e tij në fëmijëri. Në vitin 1813, kur ishte vetëm rreth shtatë vjeç, Jozefi u sëmur rëndë me ethe tifoje. Infeksioni nga sëmundja u përhap në kockën e këmbës së Jozefit dhe doktorët patën frikë se do t’u duhej ta pritnin. Jozefi nuk pranoi që t’ia pritnin këmbën dhe nëna e tij iu përgjërua doktorëve që t’ia shpëtonin. Doktorët ranë dakord që të përpiqeshin për ta hequr me operacion pjesën e sëmurë të kockës, pa e prerë (shih Vivian M. Adams, “Joseph Smith’s Boyhood Surgery: Mercy during a ‘Desperate Siege’”, Ensign, qershor 2013, f. 66–69).

Edhe në këtë moshë të re, Jozefi tregoi kurajë të madhe, dashuri për prindërit e tij dhe besim përballë një dhembjeje të tmerrshme. Për ta qetësuar agoninë e operacionit pa anestezi, doktorët e nxitën Jozefin të konsumonte pije alkoolike dhe i udhëzuan prindërit e tij që ta lidhnin në shtrat. Nëna e tij solli ndër mend se ai u përgjigj: “‘Jo, … nuk do të prek asnjë gllënjkë pijeje, as nuk do të lidhem; por … babai im do të ulet në shtrat, pranë meje, dhe atëherë unë do të bëj çfarëdo që të jetë e nevojshme të bëhet me qëllim që ta heq atë kockë. Por nënë, dua që ti të largohesh nga dhoma; e di që nuk e duron dot të më shohësh të vuaj në këtë mënyrë … Zoti do të më ndihmojë dhe unë do ta kaloj këtë’” (Lucy Mack Smith, “Lucy Mack Smith, History, 1844–1845”, libri 3, faqet 1–2, josephsmithpapers.org, pikësimi i standardizuar). Infeksioni u hoq me sukses por, pas operacionit, Jozefi eci me paterica për disa vite dhe ai çaloi lehtë gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tij (shih Mësimet: Jozef Smith, f. 2.)

Çfarë u bë Jozef Smithi kur u rrit?

Në vitin 1816, Jozef Smith Plaku e shpërnguli familjen e tij për në Palmira të Nju-Jorkut, ku ai u përpoq sërish në bujqësi (shih Holland, “The Path to Palmyra”, f. 27–28). Adoleshenti Jozef Smith i Riu dhe vëllezërit e motrat e tij punuan për ta ndihmuar babanë e tyre në fermë dhe nuk morën shumë arsimim të mirëfilltë. Sidoqoftë, ata lexonin shpesh nga Bibla e Shenjtë si familje (shih “Joseph Smith and the Restoration”, newsroom.churchofjesuschrist.org). Rreth moshës 15-vjeçare, kur Jozefi filloi ta pyeste veten se me cilën kishë të bashkohej, ai kërkoi përgjigje nga Bibla (shih Joseph Smith – Historia 1:7–13).

Studimi i Biblës nga ana e Jozefit, e çoi atë drejt lutjes për të ditur se me cilën kishë duhej të bashkohej. Në vitin 1820, në përgjigje të lutjes së Jozefit, Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozefit në një vegim të jashtëzakonshëm. Ata i thanë Jozefit se nuk duhej të bashkohej me asnjë kishë që ishte në atë kohë në tokë (shih Joseph Smith – Historia 1:18–20). Sot, shenjtorët e ditëve të mëvonshme e konsiderojnë këtë vegim, të përmendur si Vegimi i Parë, si një prej ngjarjeve themeluese të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Kur e filloi Jozef Smithi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Jozefi e ndoqi këshillën e Perëndisë dhe më vonë kreu shumë vepra të mëdha e të rëndësishme për mbretërinë e Perëndisë. Në moshën 24-vjeçare, ai rivendosi Kishën e Jezu Krishtit në tokë kur, nën drejtimin e Perëndisë, organizoi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Bashkëkohësit e Jozefit dëshmuan: “Joseph Smith-i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të” (shih DeB 135:3).

Në ç’mënyrë mund të mësoj më shumë?

Jozef Smithi ishte më shumë sesa themeluesi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai ishte një profet i Perëndisë, aftësia e të cilit për të arritur kaq shumë gjëra në një moshë kaq të re, është e mrekullueshme. Për të mësuar më shumë rreth Jozef Smithit, vizitoni ejanitekrishti.org.