
Tempulli i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Romë, Itali është trajtuar gjerësisht në media ndërkombëtare dhe vendore. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit dhe të krishterë të tjerë e konsiderojnë Romën si një nga vendndodhjet më historike në botë, një qytet ku apostujt e lashtë, Pjetri dhe Pali, predikuan ungjillin e Jezu Krishtit. Tempulli më i ri europian në Romën historike, një vend me rëndësi për krishterimin, ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës.
Kanali National Geographic i Italisë paraqiti një ese fotografike të rrethinave të tempullit dhe të konferencës për shtyp mbi shtëpinë e hapur. Qendra e vizitorëve në Tempullin e Romës theksohet nga fotografi të shumta të statujave me përmasa reale të Christus të shoqëruar nga Dymbëdhjetë Apostujt e parë.
“Një ndërtesë që i shkon për shtat Mbretit të Mbretërve”, tha agjencia Reuters rreth tempullit, “me piktura me bojëra vaji të skenave nga bibla, vepra të stilit impresionist që përshkruajnë fshatin italian dhe shandanë me ar dhe kristal”. Anëtarët e Kishës ndërtojnë tempuj me materialet më të mira në nder të Zotit.
Sipas faqes Katholisch.de, anëtarët e Kishës e vlerësojnë familjen. Ata besojnë se familjet mund të jenë së bashku, madje pas vdekjes, shpjegon këndi i internetit i Kishës Katolike në Gjermani në një artikull të hollësishëm rreth shtëpisë së hapur në Tempullin e Romës. Në një titull artikulli, faqja protestante Evangelisch.de përshkruan “Tempullin e Shndritshëm në Periferi”.
“Në tempull, anëtarët e Kishës ndihen më pranë Atit të tyre në Qiell se kudo tjetër”, e mbyll e përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung në një artikull rreth Tempullit të Romës. Për anëtarët, tempulli është një simbol përjetësie dhe të drejton për te Jezu Krishti, sikurse pohohet tek tregimi i faqes Deutschlandfunk.

Rrjeti ORF i transmetimeve në Austri raporton gjatë rreth shtëpisë së hapur, edhe në televizion edhe në radio. Ata citojnë Raimondo Kastelanin, zëdhënës i Kishës, që tha se ajo që ndodh në tempull është e shenjtë për ata që besojnë.
Tempulli i ri u ka dhënë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme mundësi për të ndërtuar marrëdhënie me grupe të tjera besimi dhe për të përhapur lirinë fetare.
CNN International nxori si tituj kryesorë: “Bëj vend Vatikan – ka një kishë të re në qytet!” Ndërkohë që të dyja Kishat kanë ndasi në doktrinë, ato punuan bashkë në raste të shumta për të përhapur vlerat e familjes dhe për t’u kujdesur për të varfrit.
“Ne jemi miq me Kishën Katolike”, thotë Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Kam qenë pjesë e një delegacioni zyrtar që shkoi në Vatikan dhe u takua me kardinalë dhe të tjerë, jo vetëm rreth këtij projekti dhe jo vetëm rreth Kishës sonë në Itali, por në lidhje me marrëdhëniet shumëpalëshe që kemi me miqtë tanë, katolikët, anembanë botës, qoftë nëse ka të bëjë me punën humanitare, punën për refugjatët ose lirinë e fesë në hapësirën publike.”
Gazeta zvicerane Cath.ch thotë se, ndonëse anëtarët e Kishës janë të paktë në Itali, “shenjtorët e ditëve të mëvonshme përfshihen në projekte të larmishme mjedisore dhe shoqërore”. Pranimi dhe marrëdhëniet e kultivuara me udhëheqës të ndryshëm të opinionit, të qytetarëve, komunitetit dhe fetarë janë vendimtare për të pasur respekt dhe tolerancë fetare ndaj gjithkujt.
Tempujt e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme ndryshojnë nga godinat kishtare, ku anëtarët mblidhen për shërbimet e adhurimit të dielave. Tempujt konsiderohen “shtëpitë e Zotit” ku ripohohen mësimet e Jezu Krishtit nëpërmjet martesës, pagëzimit dhe ceremonive të tjera që i bashkojnë familjet për përjetësinë. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme studiojnë Biblën dhe Librin e Mormonit, një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit.