Solt‑Lejk‑Siti, Jutë

Tempujt Vazhdojnë të Funksionojnë Gjatë Pandemisë

Protokollet e sigurisë dhe kapaciteti i kufizuar ndihmojnë që ordinancat e tempullit të jenë në dispozicion ndërsa shfaqet varianti Omikron

Tempujt Vazhdojnë të Funksionojnë Gjatë Pandemisë

Sektori i Tempullit ka nxjerrë deklaratën në vijim:

Pas një mbylljeje për një kohë të shkurtër gjatë shpërthimit të pandemisë së virusit COVID-19, tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rifilluan funksionimin në maj 2020. Nga ajo kohë, ordinancat në tempull po sigurohen ashtu siç e lejojnë kushtet vendore dhe udhëzimet e qeverisë për shëndetin dhe sigurinë. Ne vazhdojmë ta bëjmë punën në tempuj në një mënyrë të sigurt dhe të kujdesshme dhe po i mbajmë nën vëzhgim pasojat e variantit Omicron. Protokollet e shëndetit dhe sigurisë mund të vazhdojnë të përshtaten siç e kërkojnë kushtet vendore.

Ne jemi mirënjohës për bekimin që kemi tempuj nëpër botë, që vazhdojnë të funksionojnë gjatë pandemisë. Për shkak se tempujt ende nuk mund të funksionojnë me kapacitet të plotë dhe për të lejuar mbajtjen e distancës fizike në zonat ku kryhen ordinancat, oraret e takimeve për ordinancat janë shumë të kufizuara. Ne e vlerësojmë durimin dhe mirëkuptimin e të gjithë atyre që janë të prekur. Ne u kërkojmë frekuentuesve të tempujve t’i ndjekin të gjitha protokollet e shëndetit dhe sigurisë dhe të mos e frekuentojnë tempullin nëse kanë simptoma të virusit COVID-19 ose janë ekspozuar së fundmi ndaj virusit.

Për t’i ndihmuar të gjithë që të marrin pjesë në tempull ndërkohë që kapaciteti është i kufizuar, ne i nxitim anëtarët e Kishës t’i planifikojnë takimet shumë më përpara, të marrin parasysh pjesëmarrjen në çdo ordinancë tempulli dhe t’i anulojnë takimet ku nuk mund të shkojnë, sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të tjerët të mund të marrin pjesë.

Udhëheqësit e Kishës dhe personeli po punojnë për ta zgjeruar kapacitetin në mënyrë që më shumë frekuentues të mund të marrin pjesë në tempull sa më shpejt të jetë e sigurt. Ne gjithashtu po e përmirësojmë sistemin e planifikimit për në tempull bazuar në përshtypjet që marrim. Mirëqenia e anëtarëve të Kishës dhe dëshira për të qenë qytetarë të mirë e udhërrëfejnë çdo vendim në lidhje me tempujt. Ne dëshirojmë që të gjithë t’i gëzojnë bekimet e shërbimit dhe adhurimit në shtëpinë e Zotit.