Mali i Zi 

Të porsalindurit marrin kujdes të specializuar në Mal të Zi  

Më shumë se 65 infermierë dhe mjekë për nënat e reja dhe të porsalindurit në vendin ballkanik të Malit të Zi janë më të përgatitur për t’u kujdesur për foshnjat pas një konference trajnimi dyjavore e pa kosto, të financuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe që u paraqit nga një ekip vullnetar specialistësh mjekësorë. Pjesëmarrësit tani janë të trajnuar për të ofruar kujdes më të efektshëm për të porsalindurit dhe për të dalluar e trajtuar foshnjat me probleme të frymëmarrjes, shkaku më i madh i vdekshmërisë së të porsalindurve në botë. 

 Në të njëjtën kohë që personeli në çerdhen e të porsalindurve të një spitali po trajnohej për pajisjet e specializuara për foshnjat me probleme të frymëmarrjes, një nënë e re në repartin e lindjes po lindte binjakë pikërisht me ato simptoma.    

 Den Ud’hedi, trajnuesi i terapistëve të ekipit për frymëmarrjen, nuk e priste atë urgjencë, por nën drejtimin dhe udhërrëfimin e tij, infermierja në ngarkim e çerdhes dhe një koleg i vendosën shpejt pajisjet dhe filluan trajtimin për të dyja foshnjat. “Unë ndihmova kur ishte e nevojshme, gjë që e bëra shumë pak, dhe ata bënë një punë të mrekullueshme”, – kujton Deni. “Pasi [pajisjet e frymëmarrjes] iu vunë foshnjave, ato reaguan shumë mirë ndaj terapisë, gjë që qe mirë ta dëshmonte personeli.” Pothuajse 20 infermierë dhe mjekë panë “me ankth, por me entuziazëm” se si personeli i vuri në jetë me sukses aftësitë e veta të reja.    

 Ky trajnim po vazhdon edhe pas përfundimit të konferencës. Pjesëmarrësit tani po trajnojnë kolegë në nëntë institucione mjekësore në të gjithë vendin ku lindin foshnjat. Kisha ka dhuruar pajisje dhe furnizime të rëndësishme për sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit, për të siguruar një mbikëqyrje përkrahëse afatgjatë e të vazhdueshme. Kisha po punon së bashku me UNICEFin dhe Ministrinë e Shëndetësisë së vendit për të siguruar që programi “Trajnoni Trajnuesin” të ketë një ndikim të qëndrueshëm. 

 “Vendet në të gjithë botën kanë parë përmirësime të konsiderueshme në vdekshmërinë dhe sëmundjet foshnjore pasi i kanë vënë në zbatim këto programe”, – thotë Marsia Beneti, drejtuese e ekipit të konferencës me bashkëshortin e saj, anestezistin e dalë në pension Xhorxh Benetin. Çifti Benet ka qenë pjesë e kësaj përpjekjeje që në fillim.  

 Kisha ka financuar projekte për Kujdesin ndaj Nënave dhe të Porsalindurve (KNP) për më shumë se 20 vjet dhe konsiderohet gjerësisht si një nga ofruesit kryesorë të trajnimit KNP në botë. Çifti Benet, vetëm një nga disa çifte misionare me kohë të plotë dhe të kualifikuara që drejtojnë ekipet mjekësore për Kishën, ka drejtuar programe në më shumë se 20 vende, duke trajnuar mijëra përkujdesës shëndetësorë.  

Çifti Benet i kthen sytë pas te 20 vitet e shërbimit misionar veçse me mirënjohje. “Dhënia e kësaj mundësie të madhe për të ndihmuar në shpëtimin dhe përmirësimin e jetës së foshnjave dhe nënave në të gjithë botën”, – thotë Marsia, – “ka qenë përvoja më e bukur në jetë.”     

Sipas Marsia Benetit, udhëtimi për në Malin e Zi kishte më shumë se një vit që po përgatitej dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen dhe përkrahjen e Ida Ferdinandit (UNICEF) dhe Milica Dukiçit (Ministria e Shëndetësisë së Malit të Zi).