SoltLejkSiti, Jutë 

Të Mirënjohurit Tabernacle Choir i Bashkohen Këngëtarë Europianë 

Tabernacle Choir at Temple Square [Kori i Tabernakullit në Sheshin e Tempullit] ka fituar një mori çmimesh dhe ka magjepsur dëgjues anembanë botës. Ai financohet nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. 

Pesë europianë janë përzgjedhur për të kënduar me Korin në SoltLejkSiti të Jutës në SHBA. Rasti ku do të këndojnë është Konferenca e Përgjithshme e Kishës që do të zhvillohet më 5–6 tetor 2024.   

Pjesëmarrësit janë Kristian Uolferti dhe Florensa C. MaiznerAdameri nga Gjermania, Elize Gotieri nga Austria dhe Franca, Laura Eçarri Ermoso nga Spanja dhe Nikolas Uotbledi nga Franca. 

Prej orarit rigoroz të provave të Tabernacle Choirit, anëtarëve të Korit u kërkohet të jetojnë pranë SoltLejkSitit, por në vitin 2023 nisi një Program i ri për Pjesëmarrësit nga Bota për të përfshirë këngëtarët që jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara. Qysh atëherë, programi ka vazhduar teksa Kori ka mirëpritur më shumë pjesëmarrës nga bota gjatë çdo ngjarjeje pasuese të Konferencës së Përgjithshme. Kjo u hap dyert të tjerëve që kanë aftësi të jashtëzakonshme muzikore, që të angazhohen gjithashtu përkohësisht, duke i lejuar Korit të përfaqësohet nga individë nga mbarë bota.  

Kur Kristian Uolferti, me origjinë nga Shtadthageni, tani në Frankfurt të Gjermanisë, qe shtatë vjeç, po këndonte nën zë në një orë mësimore të kishës dhe mësuesja e tij tha: “Kush po stonon aty prapa?”  Kjo sepse ai po këndonte një oktavë më poshtë se fëmijët e tjerë.  Kjo nuk e zmbrapsi Uolfertin, i cili vazhdoi të këndonte në koret e shkollës dhe të kishës. Ai tha: “Jam mirënjohës për njerëzit e shumtë që e kultivuan zhvillimin tim si këngëtar; në dukje kisha një zë të lartë, por ai kishte nevojë të intonohej për të kapur notat e duhura”. Kur ishte i ri në moshë madhore, Uolferti ndihmoi të krijohej një kor me moshatarët e vet që shkoi në turne në Europë, i cili përbëhej nga këngëtarë nga Gjermania, Zvicra, Norvegjia dhe Danimarka dhe që këndonte një repertor fetar.  Ai tregoi se “të ndiesh Shpirtin do të thotë të lidhesh me hyjnoren dhe kur e ndiej dashurinë e Perëndisë dhe këndoj, kjo më ndihmon ta ndiej Shpirtin. Shpresoj që të gjithë ta ndiejnë se Perëndia i do kur më dëgjojnë.”  

Atyre që u ftuan të bënin provën përzgjedhëse për Korin, iu kërkua të dërgonin një regjistrim të zërit, të bënin një intervistë përmes internetit dhe një provë teknike zëri. Kërkesa e fundit ishte një provë zëri 15minutëshe drejtpërsëdrejti përmes internetit me ndihmësdirigjentin e Tabernacle Choirit, Rajan Mërfin dhe Sherilin Uorthënin, Drejtoreshën e Shkollës së Korit për Tabernacle Choirin. “Ato me shumë gjasë qenë 15 minutat më torturuese të jetës sime!”, – shpjegoi Uolferti. 

Lindur në Gjermani dhe rritur në Vjenë të Austrisë, Florensa C. MaiznerAdameri ka marrë arsimim muzikor që në vitet e para të jetës. Krahas dashurisë për muzikën, MaiznerAdameri është në vitin e fundit para se të marrë diplomën në mjekësi në Universitetin e Tybingenit në Gjermani.  

“Mendoj se e nënvlerësojmë muzikën. Ajo është një çelës i fuqishëm për trupin dhe shpirtin. Muzika është shërim”, – vërejti ajo. Kur MaiznerAdameri u përzgjodh për Korin, si pjesë e Programit për Pjesëmarrësit nga Bota, ajo tha: “Për shkak të studimeve të ngjeshura dhe kërkuese për mjekësi, nuk kam pasur shumë kohë të merrem me muzikë po aq sa me të, por prapëseprapë, kur del nevoja e ngutshme për një pushim, atëherë muzika sjell drejtpeshim në jetën time. Si pjesëmarrëse nga bota më duket sikur më është dhuruar diçka.” 

Rreth kësaj mundësie, MaiznerAdameri shprehu ngazëllimin e saj: “M’u bë shumë qejfi nga kjo ofertë mikpritëse për të ndërvepruar me anëtarë që kanë një formim muzikor nga mbarë bota. Kjo është diçka tejet e veçantë. E kam për nder që qëndroj si përfaqësuese e Jezu Krishtit në botë nëpërmjet muzikës.” 

Elize Gotieri është po ashtu e ngazëllyer nga kjo mundësi unike për të kënduar me Korin. E lindur në Francë, ajo filloi të studionte muzikë në moshën gjashtëvjeçare duke nisur me violinë dhe më pas piano. Në moshën 12vjeçare, mësoi violën dhe filloi të këndonte me korin e konservatorit të saj në BrivlaGajard të Francës. Duke përshkruar dashurinë për muzikën, Gotieri tha: “Muzika bën të mundur që të shprehim atë që nuk e shprehim dot me fjalë për shkak se është thjesht tejet madhore”. 

Në universitet, Gotieri studioi historinë angleze dhe amerikane, letërsi dhe gjuhësi dhe mori një diplomë universitare si dhe një diplomë pasuniversitare. Sidoqoftë, ajo vazhdoi të studionte për muzikë në kohën e lirë për shkak të dashurisë për të. Pas diplomimit, ajo mori vendimin të shpërngulej në Vjenë, Austri, për të nxjerrë dobi nga mjedisi dhe dija për muzikën që mundësohet në atë vend. Gotieri u shpreh: “Muzika ka qenë gjithnjë shumë shpirtërore për mua dhe ndihem shumë e bekuar dhe ndiej shumë dashuri ngaqë e kam këtë mundësi për të kënduar me Tabernacle Choirin”. 

Synimi i Korit është të depërtojë në mbarë botën për të sjellë paqe dhe shërim. Në deklaratën e misionit të Korit lexojmë: “The Tabernacle Choir at Temple Square interpreton muzikë që i frymëzon njerëzit në mbarë botën që të afrohen më shumë me hyjnoren dhe të ndiejnë dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij”.    

Muzika ka qenë shumë e rëndësishme në jetën e Laura Eçarri Ermosos nga Pamplona e Spanjës qëkurse ishte një vogëlushe.  Prindërit e saj e kanë dashur përherë muzikën dhe asaj i pëlqente të këndonte me babanë dhe motrat e vëllezërit.  

Disa muaj më parë, Eçarri po mendonte t’i bashkohej një kori, por ndjeu se nuk mund t’i kushtonte kohë për shkak të punës, studimeve dhe përparësive të tjera.  Megjithëse i pëlqente t’i dirigjonte koret në kishë, ndjeu nevojën të këndonte me njerëz të tjerë. Eçarri tregoi: “Pasi ia kisha shprehur ndjenjën time Zotit, më kontaktuan që të bëja provën përzgjedhëse për Tabernacle Choirin një javë më vonë”.   Për këtë përvojë, ajo tha: “Fakti që e pata këtë mundësi, qe një mrekulli!  Qava shumë dhe nuk e dija a do të më zgjidhnin, por ndjeva se lutja ime mori përgjigje.  Ati Qiellor është gjithnjë në dijeni për ndjenjat dhe dëshirat tona më të thella.”   

Pjesëmarrësit nga bota udhëtuan drejt SoltLejkSitit dy javë më parë për të filluar provat me Korin. Përpos pjesëmarrjes së tyre, çdo pjesëmarrës merr një thirrje për të qenë ambasador i Kishës dhe për të përhapur dashamirësinë dhe besimin e vet nëpërmjet muzikës. Pjesëmarrësit nga bota flasin gjuhë të ndryshme dhe kanë rrethana të ndryshme në jetë, por kanë të përbashkët pasionin për muzikën dhe dëshirën për ta ndarë me të tjerët.