Të Kesh Besim në Jezu Krishtin

jesus-christ

A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë besojnë mormonët rreth Jezu Krishtit? Në fakt, emri i vërtetë i Kishës Mormone është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo përqendrohet te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Anëtarët e Kishës e adhurojnë Jezu Krishtin si Birin e Perëndisë dhe besojnë se besimi në Të është thelbësor për shpëtimin.

A besojnë mormonët te Jezu Krishti?

Mormonët besojnë te Jezu Krishti dhe se Ai është Biri i vërtetë i Perëndisë, i cili jetoi dhe dha mësim në Tokën e Shenjtë, siç shënohet në Bibël (shih JesusChrist.lds.org). Ai vuajti për mëkatet dhe të metat tona, u ringjall dhe një ditë do të kthehet për të mbretëruar në tokë. Jezu Krishti është Mesia i premtuar, për të cilin qe profetizuar nga profetët e lashtë, dhe i Tiji është i vetmi emër me anë të të cilit vjen shpëtimi (shih Veprat e Apostujve 4:12).

Mormonët besojnë gjithashtu se zhvillimi i besimit në Jezu Krisht është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë në këtë jetë. Që besimi të ketë efekt, ai duhet të përqendrohet te Jezu Krishti dhe jo te ndonjë njeri apo gjë tjetër. Për mormonët, besimi në Krisht është parimi i parë i ungjillit (shih Nenet e Besimit 1:4). Mormonët besojnë se besimi në Jezu Krisht është një dhuratë nga Perëndia dhe se ne mund të lutemi e t’i kërkojmë Perëndisë ta forcojë besimin tonë.

Çfarë besojnë mormonët rreth besimit në Jezu Krisht?

Për mormonët, besimi në Jezu Krisht është më shumë sesa një bindje pasive. Mormonët e besojnë mësimin e Biblës se “besimi pa vepra është i vdekur” (Jakob [Bibël] 2:20). Me fjalë të tjera, që ai të ketë efekt në jetën tonë, ne duhet të veprojmë sipas besimit tonë. Besimi në Jezu Krisht është një forcë nxitëse që i frymëzon njerëzit të bëjnë mirë e të jenë të mirë dhe besimi i mormonëve i frymëzon ata që të veprojnë. Bindja e mormonëve në Jezu Krishtin i udhëheq ata të pendohen për mëkatet e tyre, të pagëzohen, ta frekuentojnë kishën të dielave, të kujdesen për të varfrit e nevojtarët dhe të kërkojnë të bëjnë mirë në lagjet dhe komunitetet e tyre.

Shumë mormonë marrin gjithashtu forcë të madhe vetjake nga besimi i tyre në Jezu Krisht për t’u përballur me sfidat e jetës. Për shkak se mormonët besojnë në Jezu Krishtin dhe e shohin Atë si Shpëtimtarin e tyre, ata kanë mirëbesim se Ai i ka mposhtur të gjitha gjërat dhe mund t’i ngushëllojë e t’i forcojë ata në të gjitha sfidat e jetës. Ata e pranojnë që, megjithëse jeta në tokë mund të jetë e vështirë, Jezusi vuajti, vdiq dhe u ngrit sërish kështu që të gjithë ne të mund të kemi shpresë për një jetë më të mirë me Perëndinë një ditë.

Si mund të mësojmë më shumë rreth Jezu Krishtit?        

Për të mësuar më shumë rreth Jezu Krishtit dhe mënyrës se si besimi në Të mund ta bekojë jetën tuaj, vizitoni mormon.org/alb.