Mesazh i Udhëheqjes Zonale  

Të Jemi Një në Krishtin  

parents with 3 kids reading and laughing together
Elder Pokhylko
Plaku Kirilo Pokilko, Ukrainë  I Shtatëdhjetë Zonal, Ndihmës për Presidencën e Zonës së Europës Veriore

Një himn i bukur i Kishës, me titull “Sepse Mua Shum’ m’Ësht’ Dhën’” (1), na mëson të gjithëve se Zoti dëshiron që të jemi një dhe ta ndihmojmë njëritjetrin me aq shumë sa u bekuam nga Ati ynë i dashur Qiellor. Kur e bëjmë këtë gjë, ne i mbajnë më mirë besëlidhjet e tempullit që i kemi bërë me Të. Apostulli Pal dha mësim: “Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi” (2). Çfarë bekimi është që të jemi në gjendje ta përkrahim njëritjetrin dhe të jemi Një në Krisht. Ne mund të arrijmë shumë më tepër së bashku sesa mundemi të vetëm.   

Të jemi Një në Krishtin është të studiojmë fjalët e Tij së bashku në kishë. Ne të gjithë jemi të ndryshëm, me dhunti, zotësi, përvoja jete dhe prejardhje të ndryshme. Në ato ndryshime, ne mund të gjejmë forcë kur përqendrohemi te Shpëtimtari dhe mësimet e Tij ndërsa mësojmë së bashku nga shkrimet e shenjta. Fryma e Shenjtë do të punojë me ne individualisht kur jemi të çiltër për të mësuar dhe do ta pasurojë përvojën tonë shpirtërore nëpërmjet adhurimit të Zotit së bashku.    

Të jemi Një në Krishtin është t’i japim dëshmitë tona dhe të studiojmë së bashku shkrimet e shenjta në shtëpi me familjet tona. Fëmijët kanë çdo të drejtë që të dëgjojnë dëshmitë e prindërve të tyre që u jepen atyre shpesh në mjedise joformale dhe miqësore. Ata kanë nevojë të dinë se prindërit e tyre e dinë se Shpëtimtari jeton dhe se Ai udhëheq Kishën e Tij. Bashkëshortët dhe bashkëshortet e meritojnë që ta dëgjojnë shpesh dëshminë e njëritjetrit, për ta forcuar besimin e njëritjetrit. Ne mësojmë nga Nefi: “Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” (3).    

Të jemi Një në Krishtin është të bëjmë për njëritjetrin atë që bëri Shpëtimtari. Ne mësojmë nga shkrimet e shenjta se çdo herë që ndihmojmë dikë të bëjë diçka me qëllim që të jetë më pranë Shpëtimtarit, në të njëjtën kohë ne vijmë më pranë Atij. Në të gjitha përpjekjet tona për dhënie shërbese, kur shkojmë e ndihmojmë dikë ose kur i lutemi në shtëpi individualisht apo si familje Atit Qiellor në emër të dikujt, ne do të bekohemi me Shpirtin, do të vijmë më pranë Shpëtimtarit dhe do të jemi më pranë njëritjetrit si bijtë dhe bijat e Tij. Nefi na dha një mësim të shkëlqyer se si mund ta përkrahim njëritjetrin kur nuk jemi së bashku, por ende shqetësohemi rreth mirëqenies shpirtërore dhe fizike të njëritjetrit. Ai tha sa më poshtë: “Pasi, unë lutem vazhdimisht për ta gjatë ditës dhe sytë e mi lagin jastëkun tim gjatë natës, për shkak të tyre; dhe unë i thërras Perëndisë tim në besim dhe e di se ai do ta dëgjojë thirrjen time” (4). Ati Qiellor i do ata që i ndihmojnë fëmijët e Tij, dhe do t’i bekojë ata me edhe më shumë mundësi për t’u kujdesur mirë ndaj dikujt.   

Ne do të jemi Një në Krishtin kur vijmë në kishë të dielën dhe marrim sakramentin, kur japim dëshminë tonë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij të rivendosur dhe kur vijmë në tempull për të marrë pjesë në ordinancat e tempullit dhe i shërbejmë njëritjetrit. Ne do të jemi Një në Krishtin kur “mendojmë çelestialisht” rreth njëritjetrit, duke u përpjekur që të shohim më të mirën te çdo person dhe duke e ditur se Zoti mund ta ndihmojë çdo njeri të vijë tek Ai dhe të ndryshojë nëse një person është i gatshëm ta përjetojë atë ndryshim të fuqishëm.  


  1. Himne të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nr. 136: “Sepse Mua Shum’ m’Ësht’ Dhën’”
  2. 2 Korintasve 1:3–4
  3. 2 Nefi 25:26
  4. 2 Nefi 33:3